E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moisiu ul tonet me Berishën dhe Nanon

23/04/2005  Berisha paralajmëron se do të përdorë skemën e Dushkut në rast se PS nuk heq dorë prej saj

Kreu i shtetit fton kryetarët e partive për bisedime mbi datën e zgjedhjeve

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka filluar takimet me përfaqësues të forcave politike në vend, lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve. Pas marrëdhënieve të ftohta me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ky i fundit ka zhvilluar dje një bisedë me kreun e shtetit, në Rezidencën Presidenciale, i cili ka të drejtën kushtetuese të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Pritet që këto ditë në Presidencë të zhvillohen bisedime me Kryeministrin Fatos Nano për të gjetur gjuhën e përbashkët mes pozitës dhe opozitës për datën e zgjedhjeve. Në axhendën e takimeve të Presidentit janë dhe përfaqësues të partive të tjera të spektrit politik në vend si LSI-ja, LZHK-ja, PSD-ja, PR-ja etj. Pas këtyre takimeve, kreu i shtetit pritet të përcaktojë datën e zgjedhjeve, për të respektuar atë që Moisiu premtoi disa ditë më parë, ku data 25 prill u la si afat për të shpallur datën e zgjedhjeve.

Debatet

Dy kahet e politikës shqiptare prej më shumë se disa muaj janë pozicionuar në dy qëndrime të kundërta, për sa i përket datës së zhvillimit të votimeve. Të djathtët kërkojnë që të afrohet data e zgjedhjeve, ndërsa nga ana tjetër të majtët kërkojnë që data të caktohet konform Kushtetutës, pra nga data 3 korrik deri më 3 gusht.

Data e zgjedhjeve

Kreu i PD-së i ka shprehur Presidentit shqetësimin që do të krijojë përcaktimi i datës së zgjedhjeve në periudhën e pushimeve turistike të verës. “Ne e kemi të garantuar suksesin në çdo datë dhe stinë që do të zhvillohen këto zgjedhje, por sërish shpreha mendimi se duhet të respektojmë problemin e turizmit, sepse është një humbje e madhe për ekonominë shqiptare largimi i turistëve nga zgjedhjet në korrik apo më vonë”, tha Berisha. Sipas Berishës, zgjedhjet e përgjithshme duhet të zhvillohen nga fundi i muajit qershor. “Sidoqoftë edhe një herë dua të theksoj se për sa i përket interesit partiak nuk është një problem madhor për ne kjo”, tha Berisha.

Megadushku

Shqetësim madhor për kreun e demokratëve është dhe kthimi i parave të pista në mandate deputetësh, si dhe megadushku, që Partia Socialiste pretendon të zhvillojë në këto zgjedhje. Në takim me Mosiun, ai i ka bërë të ditur dhe qëndrimet e PD-së me amendametet antidushk. “Ne i qëndrojmë variantit tonë dhe jemi për t'u votuar amendamenti që kemi paraqitur. Përndyrshe, pasojat do të jenë shumë të rënda mbi Nanon, dhe ne e kemi të gatshme skemën tonë. Data është kompetencë e Presidentit ekskluzive dhe kushtetuese, dhe ne e respektojmë kushtetueshmërinë e vendit dhe ndarjen e pushteteve në mënyrën më të prerë”. Lideri demokrat shprehet se, në rast se PS-ja do të përdorë fenomenin e Dushkut në zgjedhjet e përgjithshme, “PD-ja nuk ka asnjë alternativë tjetër për të zvogëluar efektin dhe për të çuar drejt barazimit të votës, përveçse të aplikojmë dhe ne atë që do të mjerojë zotin Nano. Pasi të marrë fund fati amendamentit, do ta merrni vesh këtë skemë”.

Skënder Gjinushi

Çdo bashkëpunim që bëhet mes partive aleate, apo të çdo kategorie qoftë para zgjedhjeve konform sistemit elektoral nuk mund të quhet as dushk, as shkarpë. Kështu transmetohet vetëm një shqetësim, që ngrihet nga ato parti, apo disa parti që kanë kontribuar në bërjen e këtij kodi elektoral. Legjitimiteti i zgjedhjeve është se kush grupim ka shumicën e popullit.

Lufter Xhuveli

Ne nuk jemi të interesuar që kjo skemë e të ashtuquajturit Dushk të zbatohet. Ne praktikisht dëmtohemi nga një praktikë e tillë dhe jemi të interesuar për zgjedhje që duhet të kryhen mbi bazë të ligjit dhe mbi bazë të Kushtetutës dhe njëkohësisht dhe mbi bazën e një ndershmërie elektorale. Është zmadhuar problemi së tepërmi dhe po përdoret nga përfaqësues të opozitsë për spekulim politik.

Jozefina Topalli

Nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli, ka përshëndetur deklaratën e NDI, i cili një ditë më parë u shpreh kundër kalimit të votave në proporcional për partitë e tjera. Topalli tha se PD-ja është në një linjë me qëndrimin e këtij organizmi, duke përmendur dhe iniciativën e opozitës për amendamentin “Antidushk”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›