LSI kërkon anëtarë në numërimin e votave
23/04/2005 Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që me përgjegjësi qytetare ndaj vendit dhe demokracisë, të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e kësaj partie në verifikimin e emrave të tyre në listat e votimit. Për këtë arsye, kjo forcë politike shprehet se çdo qytetar mund të kontaktojë me shtabet e LSI-së në kryeqytet dhe në të gjithë vendin, në rastet kur nuk kanë emrat në listat e zgjedhësve. Disa ditë më parë LSI-ja ka bërë kërkesë për t'i pranuar përfaqësuesit e saj në “grupet e verifikimit të listave të zgjedhësve”, të ngritur nga komisioni parlamentar i Kuvendit. Sipas LSI-së, të gjithë anëtarët e kësaj partie, që do të marrin pjesë në këto grupe verifikimesh, do të jenë plotësisht vullnetarë dhe do t’i shërbejë vetëm qëllimit pozitiv të verifikimit dhe evidentimit të parregullsive në lista, në mënyrë që të mos i mohohet e drejta e votës si principi bazë i demokracisë, asnjë qytetari që ka të drejtën e saj. LSI-ja garanton të gjithë zgjedhësit që kontributi i saj do të jetë serioz dhe maksimal në verifikimin e listave për të bërë të mundur që asnjë të mos mbetet pa votuar.