Në kuadër të analizës së punës tre mujore në ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Kryeministri Fatos Nano u takua sot me ministrin Luan Memushi. Kryeministri Nano vlerësoi punën e ministr
Në kuadër të analizës së punës tre mujore në ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Kryeministri Fatos Nano u takua sot me ministrin Luan Memushi.
Kryeministri Nano vlerësoi punën e ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përmirsimin e sistemit arsimor dhe reformën e thellë në fushën e arsimit me qëllim përafrimin e tij me standartet europiane.
Takimi u përqëndrua në disa aspekte në të cilat është përqëndruar veprimtaria e kësaj ministrie, si puna që po bëhet me kurrikulat shkollore, realizimi i kriterit të konkurimit të hapur të teksteve shkollore me qëllim përfshirjen sa më të mirë të kapaciteteve shkencore, zhvillimi i arsimit publik me atij privat dhe raportet mes tyre, si dhe zhvillimin e mekanizmave për kontrollin e mësimdhënies në shkollat private.
Gjatë analizës u konsiderua i domosdoshëm një koordinim edhe më i mirë i punës shkencore, e cila aktualisht realizohet në disa nivele, Akademia e Shkencave, Katedrat e Universiteteve, Bërthamat shkencore private dhe të shoqërisë civile, institutetet e studimeve pranë dikastereve etj.
Po ashtu, në takim u diskutua rreth krijimit të një data-base të studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë vendit dhe pajisja e kësaj kategorie me kartën e studentit, çka do të ndihmojë për lehtësimin e procedurave për qarkullimin e lirë të tyre. Në këtë drejtim, duhet të shtohen përpjekjet për lëvizjen e lirë edhe të petagogëve, studiuesve dhe specialistëve të kësaj fushe.
Ministri Memushi raporti gjithashtu rreth masave që ka ndërmarrë ministria e Arsimit dhe Shkencës lidhur me fenomenin e të ashtëquajturave kurse jashtë orarit të mësimit dhe të dypunësimit të mësuesve, duke u patur si synim moscënimin dhe përmirësimin e nivelit të mësimdhënies.
Kryeministri Nano theksoi se nuk duhet të tolerohet në veprime, të cilat ndikojnë në uljen e nivelit të mësimdhënies. Cilësia dhe rritja e standarteve, tha Kryeministri, duhet të jetë prioritet i punës së ministrisë së Arsimit.
***
Kryeministri Fatos Nano, në kuadër të analizave tremujore të punës në ministri të ndryshme, u takua sot me Ministrin e Mjedisit, Et'hem Ruka dhe autoritete të tjera të kësaj ministrie.
Më fillim të takimit, Ministri Ruka është ndalur në punën që po kryen kjo ministri për përmirësimin e legjislacionit në fushën e mjedisit. Sipas ministrit, janë ngritur grupet e punës të cilat po punojnë për hartimin e projektligjit "Për ratifikimin e konventës për ndotësit organik të qëndrueshëm", projektvendimin "Për shpalljen e Gjirit të Vlorës zonë e mbrojtur", etj.
Ndërkohë, gjatë këtij tremujori Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, hartuan projektligjin "Për mbrojtjen e tokës bujqësore", i cili tashmë është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe pret miratimin në Kuvend.
Lidhur me monitorimin e mjedisit, ministri Ruka bëri të ditur se deri tani janë shqyrtuar raportet e monitorimit për vitin e kaluar dhe në bazë të konkluzioneve të dala u hartuan kontratat e reja monitoruese për vitin 2004. Për këtë vit, janë kontaktuar 10 institucione monitoruese, të cilat do të monitorojnë cilësinë e ajrit urban, zonat bregdetare, ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore, biodiversitetin, etj.
Një kontribut të rëndësishëm në këtë fushë do të japë edhe Ambasada e Mbretërisë së Hollandës me anë të projektit për mbështetjen e Institutit të Mjedisit. Faza e parë është duke përfunduar me rikonstruksionin e godinës së Institutit, sigurimin e një sërë pajisjesh laboratorike të sofistikuara dhe me trajnimin e stafit. Faza e dytë e projektit ka të bëjë me përmirësimin e monitorimit të mjedisit për një periudhë trevjeçare.
Për rehabilitimin e zonave të ndotura, Ministria është fokusuar kryesisht në ato zona që përbëjnë më shumë shqetësim për shëndetin e komunitetit. Për këto zona, Ministri Ruka u shpreh se janë kryer studime fizibiliteti dhe janë ngritur grupe pune, të cilat po përgatisin plane veprimi me propozime konkrete për ndërmarrjen e masave për përmirësimin e situatës mjedisore.
Ndërkohë, për forcimin e kontrollit në mjedis për zbatimin e ligjit, ministri Ruka bëri të ditur se nga ana e shërbimit të inspektoriatit të mjedisit në ministri janë realizuar 560 inspektime. Për subjektet që rezultojnë me ndotje të madhe në mjedis, janë vendosur 25 gjoba me një vlerë prej 6 680 000 lekë, si dhe është vendosur masa e pezullimit për 8 aktivitete. Më vijim të kësaj pune, është duke u rritur edhe numri i subjekteve të cilët kanë aplikuar për të marrë leje mjedisore.
Kryeministri Nano, pasi ka vlerësuar punën e kryer nga kjo ministri në drejtim të përmirësimit të situatës mjedisore në Shqipëri, eshte shprehur se do te mbeshtese një thellim të punës për monitorimin e mjedisit, duke rritur bashkëpunimin me dikasteret dhe institucionet që merren me mjedisin ose krijojnë kushte dhe janë përgjegjëse për ndotjen e tij.
Kryeministri është ndalur në nevojën për forcimin e kontrollit në mjedis përmes zbatimit të ligjeve, ndërkohë që është shprehur se ndërkohë këto ligje duhet të jenë të zbatueshme. Më tej, ne takim eshte diskutuar per rritjen e rolit të inspektorëve të Mjedisit në Agjencitë rajonale të Mjedisit, duke patur parasysh se ata kanë të gjitha kompetencat për të kryer një punë edhe më produktive në drejtim të evidentimit dhe më tej të pakësimit të problemeve në mjedis si dhe bashkepunimin me faktore te tjere ne kete drejtim.