Tjetërsohet onkologjiku, qendër trajtimi dhe kërkimi
Shërbimi i onkologjikut, pavijonit ku trajtohen të sëmurët me kancer, që për vite me radhë ka qenë pjesë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, do të jetë i ndarë nga struktura spitalore. Administrimi i tij do të jetë në varësi të qendrës spitalore ose të Ministrisë së Shëndetësisë. Bordi i sëmundjeve tumorale, i ngritur enkas për të shqyrtuar mundësinë e përmirësimit të prevalencës së sëmundjeve tumorale në vendin tonë, është në diskutime e sipër për ndarjen përfundimisht të onkologjikut nga qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”.
Kështu, pas ndarjes nga spitali, ky shërbim do të fuqizohet më tej, duke u fokusuar jo vetëm te trajtimi i pacientëve me sëmundje kanceroze, por edhe duke eksploruar më shumë në kërkimin shkencor. Sigurisht që ndarja e shërbimit nga spitalet e tjera do të thotë edhe autonomi financiare.
ProjektiSpitali onkologjik pritet të ndahet nga qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” për të funksionuar si një strukturë publike më vete. Propozimin e kanë bërë drejtuesit e këtij spitali tre vite më parë, në bashkëpunim edhe me drejtuesit e këtij pavijoni, me argumentin se kështu puna do të menaxhohej më mirë. Në vitin 2007, drejtoria e “Nënë Terezës” e aprovoi projektin duke sqaruar se i gjithë draft-propozimi është dërguar për shqyrtim në Ministrinë e Shëndetësisë pranë strukturave përkatëse.
“Spitali i ri onkologjik shtetëror, nëse do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, do të jetë një qendër kërkimore shkencore dhe një qendër diagnostikuese-kuruese për të sëmurët me kancer”, thuhet në draft. Sipas propozimit, ky projekt ka ardhur si pasojë e shtimit të numrit të të sëmurëve me tumore, i cili është shtuar edhe më shumë këto tre vitet e fundit. Shtimi i këtij numri ka sjellë edhe një dyndje të madhe të pacientëve drejt QSUT-së. Të sëmurët që drejtohen për trajtim pranë pavijoneve në shërbimin ku trajtohen kancerozët nuk janë vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova e Maqedonia.
Fluksi dhe financimiShtimi i rasteve me tumore, por edhe mungesa e një shërbimi tjetër onkologjiku, sipas specialistëve kërkon rritjen e kapaciteteve në infrastrukturë dhe burime njerëzore, aparateve diagnostikuese, ECHO-ve, modaliteteve për realizimin e kimioterapisë. Sipas projektuesve të draftit, një grup specialistësh nga fusha e trajtimit të sëmundjeve tumorale, financave dhe administrimit publik, nëse do të krijohet mundësia e shkëputjes së onkologjikut nga QSUT-ja dhe dalja e tij si një spital më vete, atëherë do të shikohet mundësia e ngritjes së shërbimeve të tilla edhe në disa qytete të tjera të vendit. Kjo, për të sjellë më pranë pacientëve shërbimin e kualifikuar shëndetësor, më afër zonës së banimit, por edhe për lënien e mundësisë së veprimtarisë kërkimore të onkologjikut në Tiranë.
Nëse miratohet projekti, shërbimi do të jetë shtetëror, por mënyra e menaxhimit, administrimit dhe financimit do të kërkohen që të kenë pavarësi dhe autonomi, ashtu si në të gjitha institutet homologe në Europë.