E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në listat e deputetëve të Ramës, kriminelë, prindër vrasësish dhe trafikantë

07-06-2013 / Gazeta 55

Deklaratë e zëdhënëses së PD-së, Laura Vorpsi

Nëpërmjet një deklarate për mediat zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi akuzoi dje kryesocialistin Rama se është i çoroditur. “Edi Rama kudo që shkon me platformën e tij “akuzo-shpif dhe moho” çdo gjë të mirë, me qëllim që të mbjellë sa me shumë dëshpërim, mërzi dhe pesimizëm tek njerëzit. Nëse do të besonim Edi Ramën, tek Ne këto katër vite nuk ka ndodhur asgjë e mirë; lëvizja pa viza apo 4 Miliardë Dollarë investime të huaja; mijëra e mijëra kilometra rrugë dhe qindra shkolla të ndërtuara, nuk kanë ndodhur…dhe sipas fiksacioneve të tij, Ne jetojmë në Mesjetë, të izoluar nga Bota, me rrugë të mbushura me banditë të armatosur, dhe me Shqiptarët në kërkim të tre fetave bukë”, tha ajo. Sipas Vorpsit, Paçka se ai vetë, ka në listat e deputetëve të tij, kriminelë apo prindër vrasësish, trafikantë etj. Si gjithmonë, Edi Rama sajon fantazira nga salloni mavi që çdo qytetar e kupton fare mirë dhe qartë që nuk kanë lidhje me realitetin! Qytetarët gjithashtu e dinë se Edi Rama nuk ka asnjë plan për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të krijuar vende pune, asnjë zgjidhje dhe ide konkrete, por vetëm slogane boshe dhe skema për rritje taksash që do të shkatërronin vende pune dhe bizneset që krijojnë vende pune, ashtu siç bëri edhe kur ishte Kryetar Bashkie”. Vorpsi tha më tej se, Rama e kërkon pushtetin dhe mbajtjen e karriges së Partisë Socialiste me aq dëshpërim, saqë për këtë është gati të thotë dhe të bëjë çdo gjë. “Qytetarët e dinë të vërtetën sepse ata i shohin dhe i prekin arritjet çdo ditë. Ata ecin në rrugë të reja, shkojnë në shkolla të reja të pajisura me kompjuterë dhe internet, vizitohen në qendra shëndetësore më cilësore, shohin që rrogat e tyre janë rritur dhe blejnë më shumë, udhëtojnë të lirë në Europë dhe janë krenarë për vendin e tyre”. “Sali Berisha dhe Partia Demokratike ofrojnë një alternativë më të mirë. Një alternativë që në bashkëpunim me qytetarët, punon për të shtruar rrugë, ndërtuar shkolla, rritur furnizimin me ujë të pijshëm dhe krijon vënde pune. Një alternativë e cila vendos qytetarin të parin. Ne jemi krenarë se sa shumë ka ecur Shqipëria. Ne jemi optimistë për të ardhmen tonë. Dhe ne e dimë se së bashku nuk ka asgjë që Ne nuk mund të arrijmë”, shtoi ajo.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›