Në luftë kundër vëllezërve?

Nadim Nashif është me pa dëshirë izraelit. “Në vitin 1948 arabët u detyruan që të marrin nënshtetësinë izraelite. Që nga ajo kohë, ata diskriminohen në mënyrë sistematike”, thotë Nashif, drejtor i Baladnas, një organizatë kjo arabe e rinisë, me seli në qytetin izraelit, Haifa.
Ai rrëfen për raste në edukim, politikë dhe ekonomi, të cilat sipas mendimit të tij dëshmojnë për diskriminimin e shtetasve arabë të Izraelit. Megjithatë, një temë tjetër është ajo që e tërbon Nashifin: ideja që t rinjtë arabë të ftohen në shërbim ushtarak.
Izraeli po zien: klasa e mesme është e frustruar dhe proteston për barazi. Vëmendja është përqendruar në dy pakica: te ultra-ortodoksët, të cilët përbëjnë rreth 8 për qind të popullatës dhe arabët, të cilët përbëjnë 20 për qind të popullatës së Izraelit. Izraelitët laikë nuk dëshirojnë të bartin më vetëm barrën kryesore dhe kërkojnë që edhe izraeloitët religjiozë dhe arabët të bartin mbi supet e tyre barrën e shërbimit ushtarak dhe që të paguajnë detyrimet tatimore.
Që nga 1 gushti, shërbimi ushtarak vlen edhe për ultra-ortodoksët, së paku në teori. Më vonë është paraparë që në shërbim të ftohen edhe të rinjtë arabë, “në shërbim kombëtarë”, siç njihet shërbimi civil në Izrael: pra shërbim si zjarrfikës, infermierë dhe ndihmës-policë.
Që nga viti 2007 të rinjtë arabë kanë mundësinë që të paraqiten vullnetarisht në shërbimin kombëtarë. Këtë për çdo vit e bëjnë nga 2 mijë arabë, gjë që nuk i pëlqen aspak udhëheqësve të tyre politik.
“Jemi kundër. Shërbimi kombëtarë organizohet nga ministria e Mbrojtjes. Në rast nevoje dhe situata emergjente, vullnetarët i nënshtrohen ushtrisë. Në këtë mënyrë, ata bëhen pjesë e makinerisë luftarake kundër vëllezërve tonë arabë”, thotë Nashif.
Baladna ka filluar një fushatë me posterë kundër shërbimit civil: Një grusht, si shenjë identifikuese, siç e bartin ushtarët izraelitë:”Jo shërbimit ushtarak”, shkruan nën të me shkronja të verdha.
“Në çdo shtet normal, shteti i shërben qytetarëve dhe jo anasjelltas. Nëse nuk sigurojmë të drejta të barabarta, atëherë nuk duhet as të shërbejmë”, vazhdon Nashif, por shton se edhe po të kishte barazi, ai do të ishte kundër shërbimit civil.
Dikush ka vizatuar një grafit të kuq prapa shpinës së Nashifit, i cili qartëson domethënien e emrit të organizatës që drejton ai. Baladna në përkthim do të thotë “Toka jonë”. Grafiti tregon gjithë Palestinën, nga Jordani deri në Mesdhe, pa Izraelin.
“Sionizmi është një gjë tejet e keqe. Shërbimi kombëtar dëmton identitetin tonë palestinez. Ata që kryejnë shërbimin civil, janë tradhtarë”, thotë ai më tutje.
Mohammed, i cili sa po ka kryer shërbimin e tij civil në spitalin Rambam në Haifa, ka përvojë me këtë akuzë.
“Kur u kuptua lajmi se dëshiroj të kryej shërbimin civil, në fshat më quajtën tradhtarë. Por unë kurrë në jetë nuk do të kapja armën në dorë. Në spital i ndihmoj edhe arabët, të cilët këtu trajtohen njejtë si hebrenjtë”, thotë ky 21 vjeçar.
“Nuk jam tradhtarë”, thotë edhe 19 vjeçari, Adham.
“E dua Palestinën dhe e dua Izraelin. Pse jo të dyja? Izraeli është një shtet i mirë”, thotë Adham dhe vazhdon me një shembull:”Kam pasur një edukim të mrekullueshëm. Vetëm shikoni Egjiptin, për të kuptuar se sa mirë e kemi ne këtu. Kurrë nuk jam diskriminuar, nuk ka racizëm”.
Motivet personale dhe kombëtare ishin ato, të cilat binden Adhamin dhe Mohammedin për të kryer shërbimin kombëtarë.
“Nuk besoj se hebrenjtë kanë vjedhur shtetin tonë. Nga shteti i Izraelit kam marrë shumë. Nëse shërbej, marrë diçka në shkëmbim. Këto më respektojnë, më vonë shteti do të më paguaj vitin e parë të studimeve”, thotë Adham.
“Shërbimi civil ka ndryshuar jetën time. Kam vetëbesim shumë më të madh, kam krijuar përvojë”, thotë Mohammed.
Shpesh janë arsyet financiare ato, të cilat bindin të rinjtë arab që të paraqiten për shërbim civil. Rreth 90 për qind e arabëve, të cilët shërbejnë, janë femra.
Në sektorin arab, vetëm rreth 15 për qind të femrave janë të punësuara.
“Kjo është një prej pikave të dobëta të shoqërisë tonë, ngase femrat shtypen nga vetë ne. Për disa, shërbimi kombëtar është e vetmja mënyrë për ngritje sociale. Megjithatë, do të ishte më mirë që shteti të financonte studimet e tyre, pa kërkuar në shkëmbim shërbim nga ato”, thotë Nashif. (Die Welt)