Lazio insiston për Hetemajn

Sipas mediave italiane, skuadra e Chievos po kërkon sulmuesin e ri të Lazios, Emiliano Alfaro. Por drejtuesit e ekipit nga qyteti romak po synojnë që këtë futbollist mos ta shesin, por ta shkëmbejnë me Hetemajn.
Mediat italiane shkruajnë se drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare nga java e ardhshme mund t’i rifillojnë bisedimet me Chievon për Emiliano Alfaron dhe Përparim Hetemajn. I pari vlerësohet nga Lazio 3.5 milionë euro derisa Chievo kartonin e mesfushorit nga Skenderaj e shet për 4 milionë euro.
Edhe gjatë verës së vitit të kaluar, Lazio ishte e interesuar për shërbimet e Hetemajt, por ky i fundit nga Brecsia ishte transferuar në Chievo, ku sezonin e kaluar tregoi paraqitje të mira. Ish-mesfushori i AEK’ut, Twentes dhe Helsinkit, nëse i bashkohet Lazios, aty do ta takojë bashkëkombasin e tij, Lorik Cana.