E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi disa projektligje: V E N D I M PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.855

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi disa projektligje:

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8551, DATË 18.11.1999, "PËR AVOKATURËN E SHTETIT""

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8551, datë 18.11.1999, "Për Avokaturën e Shtetit"", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8551,
DATË 18.11.1999, "PËR AVOKATURËN E SHTETIT"

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.8551, datë 18.11.1999, "Për Avokaturën e Shtetit", të bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 1 të bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1. Shkronja "a", e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

"a) Në çështjet gjyqësore, me objekt gjykimi, me vlerë mbi 5 000 000 (pesë milionë) lekë, ku një organ qendror ose vendor, i administratës publike është palë kundrejt një personi privat.".

2. Pas shkronjës "a", të pikës 1, shtohet shkronja "a/1", me këtë përmbajtje:

"a/1) në çështjet gjyqësore, ku është palë një organ i administratës, tatimore ose doganore, kundrejt një personi privat, si edhe në çështjet gjyqësore, që kanë të bëjnë me mosmarrëveshje, që rrjedhin nga kontratat administrative, sipas kuptimit të nenit 151, të Kodit të Procedurave Administrative, me vlerë mbi 5 000 000 (pesë milionë) lekë.".

3. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"2. Sipas kritereve të pikës 1, të këtij neni, Avokatura e Shtetit përfaqëson dhe mbron në gjyq interesat pasurore të shtetit në mosmarrëveshje, që mund të lindin për investimet e tij në subjektet, publike ose private, apo në çdo marrëveshje tjetër, ku mund të jetë cenuar apo mund të cenohet pasuria e shtetit.".

4. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"4. Në çështje të veçanta, avokati i Përgjithshëm i Shtetit mund të delegojë, që, në gjykimin në shkallë të parë, mbrojtja të bëhet nga përfaqësues të organit të interesuar të administratës.".

5. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"6. Avokatura e Shtetit, për çështje që kërkojnë specializim në fusha të caktuara të së drejtës ose që janë të rëndësisë së veçantë, mund të pajtojë për përfaqësim e mbrojtje avokatë të lirë, sipas këtij ligji dhe rregullores së Avokaturës së Shtetit, të miratuar nga ministri i Drejtësisë.".

6. Pas pikës 6 shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:

"7. Avokatura e Shtetit ka të drejtë të ngrejë padi me objekt për pavlefshmëritë e veprimeve juridike e kontratave administrative, me vlerë mbi 5 000 000 (pesë milionë) lekë apo të kërkojë rishikimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligjin procedural dhe në këtë ligj.".

Neni 2

Pas nenit 1 shtohen nenet 1/a dhe 1/b, me këtë përmbajtje:

"Neni 1/a
Fillimi i gjykimit për pavlefshmëri të veprimeve juridike ose kontratave administrative

1. Avokatura e Shtetit, sipas kërkesës së motivuar të organit përgjegjës të institucionit të interesuar, ka të drejtë të fillojë procedurat për ngritjen e padisë, me objekt për pavlefshmëri të veprimit juridik, që tjetërson ose disponon pasurinë shtetërore në favor të të tretëve ose për pavlefshmëri të kontratave administrative, të lidhura me të tretë, me vlerë mbi 5 000 000 (pesë milionë) lekë.

2. Avokatura e Shtetit, përpara se të depozitojë padinë në gjykatë, i paraqet organit të interesuar një raport të hollësishëm për gjendjen e fakteve dhe të ligjit, kostot e pritshme të gjykimit, si dhe për çdo shpenzim të zakonshëm/të jashtëzakonshëm apo çdo dëmshpërblim pasuror/ jopasuror, që pala tjetër mund të pretendojë ose të fitojë, gjatë ose pas përfundimit të gjykimit për shpalljen e pavlefshme të kontratës ose të veprimit juridik. Në këtë raport, Avokatura e Shtetit është e detyruar të shprehë qëndrimin për ngritjen ose jo të padisë.

3. Organi i interesuar, pasi njihet me raportin e Avokaturës së Shtetit, të hartuar sipas pikës 2, të këtij neni, jep pëlqimin për ngritjen ose jo të padisë.

4. Në rast se ndërmjet organit të interesuar dhe Avokaturës së Shtetit ka mendime të ndryshme për vlerësimin për fillimin e gjykimit për pavlefshmëri të veprimit juridik ose të kontratës administrative, çështja i paraqitet ministrit të Drejtësisë. Një kopje e mendimeve të ministrit të Drejtësisë, i dërgohet për dijeni organit të interesuar. Kopja me mendimet e ministrit të Drejtësisë është konfidenciale dhe nuk mund të përdoret në gjykim si provë.

5. Mendimi i ministrit të Drejtësisë nuk sjell asnjë pasojë juridike për subjektin e interesuar për fillim gjykimi dhe pëlqimi i dhënë, sipas pikës 3, të këtij neni, mbetet në fuqi. Mendimi i ministrit të Drejtësisë shërben si rrethanë për të vlerësuar punën e Avokaturës së Shtetit ose të organit të interesuar të administratës. Nëse padia është ngritur, mendimi mund të përdoret për këtë qëllim vetëm pas përfundimit të gjykimit, me vendim të formës së prerë.

Neni 1/b
Mbrojtja e interesave pasurore të shtetit në gjykimin penal

1. Drejtuesi i prokurorisë së rrethit gjyqësor njofton Avokaturën e Shtetit, brenda 7 ditëve nga dita e regjistrimit të procedimit penal për vepra penale, nga të cilat ka dyshime se janë cenuar interesat pasurore të institucioneve shtetërore ose të personave juridikë, publikë.

2. Avokatura e Shtetit ngre padi civile në procesin penal, për kërkimin e pasurisë ose shpërblimin e dëmit, që u është shkaktuar interesave të shtetit nga kryerja e veprës penale.

3. Avokatura e Shtetit mund t'i delegojë të drejtën e parashikuar në pikën 2, të këtij neni, organit, qendror ose vendor, të administratës, që ka interes të drejtpërdrejtë, ose organit epror të personit juridik publik, në rast se vlera e dëmit është më pak se 1 milion lekë. Delegimi është i vlefshëm për gjykimin në shkallë të parë dhe në gjykatën e apelit.".

Neni 3

Në nenin 2 të bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"1. Avokatura e Shtetit, në mbrojtje të të drejtave dhe të interesave të shtetit, u jep mendim, me shkrim, organeve të administratës publike, kur kjo i kërkohet prej tyre, në veçanti, për të vënë në lëvizje, për të kundërshtuar ose për të tërhequr çështje në gjykim.".

2. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

"2/1 Për hartimin dhe nënshkrimin e kontratave administrative, të parashikuara nga neni 151, i Kodit të Procedurave Administrative, me vlerë mbi 5 000 000 (pesë milionë) lekë, këshillimi i organit përkatës të administratës publike me Avokaturën e Shtetit është i detyrueshëm. Në raste të tilla, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Kryeministri mund të pajtojë avokatë të huaj, me njohuri të posaçme në fushën përkatëse, të cilët asistojnë Avokaturën e Shtetit dhe organin përgjegjës.".

3. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"4. Ministri i Drejtësisë mund ta ngarkojë Avokaturën e Shtetit të japë mendim për projektaktet, që lidhen me veprimtarinë e organeve të administratës publike.".

4. Në pikën 5, pas fjalëve "... nuk mund të kërkojë..." shtohet "... drejtpërdrejt...".

Neni 4

Neni 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"Neni 3
Ndërmjetësimi dhe pajtimi

1. Avokatura e Shtetit ndërmjetëson për zgjidhjen, me pajtim, të mosmarrëveshjeve, ndërmjet organeve qendrore të administratës publike dhe enteve publike. Zgjidhja e propozuar nga Avokatura e Shtetit u paraqitet për miratim ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave. Miratimi i dhënë prej tyre materializohet në një urdhër të përbashkët dhe, vetëm pas kësaj, bëhet e detyrueshme për palët në mosmarrëveshje.

2. Avokatura e Shtetit rekomandon zgjidhje, me pajtim, për mosmarrëveshjet ndërmjet një organi, qendror ose vendor, të administratës publike dhe një organi tjetër, qendror ose vendor, kur ata e kërkojnë këtë zgjidhje. Nuk mund të jepen rekomandime për çështje të mosmarrëveshjeve për kompetencat.".

Neni 5

Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"Neni 4
Kufizime

Avokatura e Shtetit nuk mund të përfaqësojë dhe as të këshillojë për çështjet gjyqësore të një organi, qendror ose vendor, të administratës publike kundër një organi tjetër, qendror ose vendor, si dhe për çështjet gjyqësore, ndërmjet administratës publike e punonjësve të saj, për marrëdhëniet e punës.".

Neni 6

Pika 1, e nenit 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:

"1. Organet e administratës publike detyrohen t'i japin Avokaturës së Shtetit të gjitha sqarimet, informacionet dhe dokumentet e nevojshme, që lidhen me procesin, gjyqësor apo këshillimor, brenda 5 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës. Në rast se nga organet e administratës publike nuk respektohet parashikimi i mësipërm, Avokatura e Shtetit njofton ministrin e Drejtësisë dhe strukturën përkatëse të kontrollit, pranë Kryeministrit.

Organet e administratës publike, nëse kanë vendosur të ngrenë padi kundër personave privatë për çështjet me objekt, me vlerë mbi 5 000 000 (pesë milionë) lekë, të ndryshme nga ato të parashikuara në nenin 1/b, të këtij ligji, detyrohen të njoftojnë, menjëherë, Avokaturën e Shtetit, duke i vënë asaj në dispozicion të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Nëse Avokatura e Shtetit ia delegon të drejtën e përfaqësimit organit përkatës të administrates, ky i fundit është i detyruar të njoftojë për rezultatin e gjykimit në shkallë të parë dhe të kërkojë këshillë për apelim.

Organet e administratës publike, në rast se kanë vendosur të ngrenë padi kundër personave privatë, për çështje me objekt me vlerë më pak se 5 milionë lekë, të ndryshme nga ato të parashikuara në nenin 1/b, të këtij ligji, mund të kërkojnë mendimin e Avokaturës së Shtetit, por ky mendim nuk është i detyrueshëm dhe nuk mund të krijojë konflikt mendimesh, në kuptim të nenit 6, të këtij ligji.

Organet e administratës publike, në rast se paditen në gjykatë për çështje të parashikuara në shkronjat "a" dhe "a/1", të nenit 1, të këtij ligji, detyrohen të njoftojnë, menjëherë, Avokaturën e Shtetit dhe t'i vënë asaj në dispozicion të gjitha dokumentet, që kanë rëndësi për çështjen. Njoftimi i kryer nga gjykata, sipas nenit 79/a, të Kodit të Procedurës Civile, nuk e përjashton organin e administratës nga detyrimi për njoftim.".

Neni 7

Neni 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"Neni 6
Zgjidhja e konfliktit të mendimeve

Në rast se Avokatura e Shtetit dhe organi i interesuar i administratës publike kanë mendime të ndryshme për ecurinë e çështjeve gjyqësore, që parashikohen në shkronjat "a" dhe "a/1", të nenit 1, të këtij ligji, konflikti zgjidhet, sipas rastit, nga organi i zgjedhur vendor, ministri përkatës apo ministri i Drejtësisë.".

Neni 8

Në nenin 7 të bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"1. Avokatura e Shtetit është institucion në varësi të ministrit të Drejtësisë. Avokatura e Shtetit ushtron veprimtarinë në përputhje me këtë ligj. Avokatura e Shtetit drejtohet nga avokati i Përgjithshëm i Shtetit.".

2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"3. Struktura dhe organika e Avokaturës së Shtetit miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Drejtësisë.".

Neni 9

Neni 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"Neni 8
Avokati i Përgjithshëm i Shtetit

1. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit emërohet dhe lirohet/shkarkohet në detyrë me urdhër të Kryeministrit, sipas propozimit të ministrit të Drejtësisë, nga radhët e juristëve, me të paktën 10 vjet përvojë në profesion.

2. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit zëvendësohet, me porosi të tij, kur është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionin, nga avokati më i vjetër në moshë në Avokaturën e Shtetit.

Me urdhër të Kryeministrit, kur vendi i avokatit të Përgjithshëm të Shtetit mbetet i lirë, mund të emërohet në këtë detyrë një avokat, në detyrë pranë Avokaturës së Përgjithshme, deri sa të emërohet avokati i ri i Përgjithshëm i Shtetit.

3. Avokati i Përgjithshëm:

a) mbikëqyr dhe përgjigjet për mbarëvajtjen e punës në të gjitha zyrat, personelin dhe shërbimin e Avokaturës së Shtetit dhe drejton organizimin e tyre;
b) bën shpërndarjen e çështjeve gjyqësore dhe të kërkesave për dhënie mendimi, me shkrim, në institucionin, që ai drejton;
c) miraton kërkesën e avokatit të Shtetit, për t'i ngarkuar vetë organit të interesuar mbrojtjen në shkallë të parë;
ç) jep udhëzime të brendshme për trajtimin e çështjeve gjyqësore dhe të këshillimeve ligjore;
d) raporton te ministri i Drejtësisë jo më pak se një herë në muaj për veprimtarinë e kryer nga Avokatura e Shtetit, duke theksuar mangësitë e mundshme ligjore dhe nevojat për ndryshime përkatëse;
dh) paraqet një raport vjetor përpara ministrit të Drejtësisë, për dëmin e shkaktuar ndaj interesave publike nga veprimet e organeve të administratës publike;
e) i propozon ministrit të Drejtësisë të paktën nga tri kandidatura për kryetarë të degëve të zyrave vendore pranë gjykatës së Apelit;
ë) i raporton ministrit të Drejtësisë, me kërkesë të këtij të fundit ose me nismën e vet, për çështje të veçanta, për të cilat ka marrë dijeni para dhe gjatë përfaqësimit të mbrojtjes së interesave shtetërore.".

Neni 10

Nenet 9 dhe 10 shfuqizohen.

Neni 11

Shkronja "c", e pikës 2, të nenit 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:

"c) Organizon takime këshilluese dhe seminare kualifikuese me avokatë, që punojnë në Avokaturën e Shtetit, si dhe me juristë të organeve të administratës publike.".

Neni 12

Neni 12 shfuqizohet.

Neni 13

Në shkronjën "d", të pikës 1, të nenit 13, fjala "…e personave…" zëvendësohet me "…e avokatëve të zyrave vendore…".

Neni 14

Në nenin 14 të bëhen këto ndryshime e shtesa:

1. Titulli "Avokati i Shtetit pranë gjykatës së Apelit" zëvendësohet me "Zyra vendore e Avokatisë së Shtetit".
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"1. Avokati i Shtetit në zyrën vendore të Avokaturës së Shtetit emërohet nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e avokatit të Përgjithshëm të Shtetit. Zyrat vendore që, sipas organikës së përcaktuar, kanë më shumë se 1 avokat, drejtohen nga njëri prej tyre, i cili emërohet dhe shkarkohet nga kjo detyrë nga ministri i Drejtësisë, sipas propozimit të avokatit të Përgjithshëm të Shtetit.".

3. Pas pikës 1 shtohet pika 1/a, me këtë përmbajtje:

"1/a. Ministri i Drejtësisë siguron dhe garanton mirëfunksionimin e zyrave të avokatisë vendore në mjedise shtetërore ose, në mungesë të tyre, në mjedise të përshtatshme, të marra me qira nga të tretë.".

4. Fjalia e parë, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

"Avokati i Shtetit, që drejton zyrën pranë çdo gjykate apeli:".

5. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

"3. Funksioni i drejtuesit të zyrës vendore, e cila ka në organikë vetëm një avokat, kryhet nga ky avokat.".

Neni 15

Pika 3, e nenit 15, ndryshohet, si më poshtë vijon:

"3. Avokati i Shtetit, në rast mospërputhjeje në mendim me drejtuesin e zyrës vendore përkatëse mund t'i kërkojë, me shkrim, avokatit të Përgjithshëm të Shtetit deklarimin për çështjen dhe, në rast se edhe deklarimi i këtij të fundit është në kundërshtim me mendimin e tij, i kërkon zëvendësimin për trajtimin e çështjes gjyqësore apo të këshillimit, për të cilin ka lindur mospërputhja.".

Neni 16

Në nenin 16 të bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"1. Në çështje të rëndësishme për interesat e shtetit ose kur natyra e çështjes kërkon juristë të specializuar, në fusha të veçanta, avokati i Përgjithshëm, vetë ose me propozim të avokatit të Shtetit, pranë gjykatës së apelit për gjykimet deri në gjykatën e apelit, pajton avokatë në profesion të lirë, me miratimin e ministrit të Drejtësisë.".

1. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"5. Avokatura e Shtetit përgatit buletine të rregullta periodike, çdo 6 muaj, për listën e avokatëve të pajtuar, çështjet në ndjekje, shpërblimet përkatëse, të cilat i bën publike për të tretë në faqen e saj të internetit.".

Neni 17

Në shkronjën "b", të nenit 17, lidhëza "dhe" zëvendësohet me "ose".

Neni 18

Neni 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"Neni 18
Papajtueshmëria

Avokati i Përgjithshëm, si dhe çdo avokat i shtetit, nuk lejohet të kryejë funksione të tjera, publike dhe private.".

Neni 19

Në nenin 19 pas shprehjes "…Kodit të Procedurave Administrative" shtohet "…dhe ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.".".

Neni 20

Në nenin 20, pas shkronjës "ç" shtohen shkronjat "d", "dh" dhe "e", me këtë përmbajtje:

"d) kryen akte dhe sjellje, që diskreditojnë rëndë figurën e tij dhe institucionin;
dh) shkel dispozitat e këtij ligji dhe etikën;
e) thyen disiplinën në punë, në mënyrë të përsëritur, edhe pas paralajmërimit të dhënë me shkrim nga ana e eprorit.".

Neni 21

Neni 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"Neni 23

Ngarkohet ministri i Drejtësisë të nxjerrë urdhëra dhe udhëzime për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të Avokaturës së Shtetit.

Ministria e Drejtësisë merr masa që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të bëjë, në përputhje me këtë ligj, transferimin e institucionit të avokatit të Shtetit.

Deri në miratimin e strukturës, sipas nenit 3, të këtij ligji, personeli i Avokaturës së Shtetit të vazhdojë efektet financiare, sipas ligjit të mëparshëm.

Buxheti i institucionit të Avokatit të Shtetit do të administrohet nga Ministria e Drejtësisë.".

Neni 22

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI

* * *
V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SHUMËPALËSHE, NDËRMJET KOMUNITETIT EUROPIAN DHE SHTETEVE ANËTARE TË TIJ, REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, BOSNJËS DHE HERCEGOVINËS, REPUBLIKËS SË BULLGARISË, REPUBLIKËS SË KROACISË, ISH-REPUBLIKËS JUGOSLLAVE TË MAQEDONISË, REPUBLIKËS SË ISLANDËS, REPUBLIKËS SË MALIT TË ZI, MBRETËRISË SË NORVEGJISË, RUMANISË, REPUBLIKËS SË SERBISË DHE MISIONIT ADMINISTRATIV TË PËRKOHSHËM TË KOMBEVE TË BASHKUARA NË KOSOVË, PËR KRIJIMIN E NJË ZONE TË PËRBASHKËT TË AVIACIONIT EUROPIAN"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes shumëpalëshe, ndërmjet Komunitetit Europian dhe shteteve anëtare të tij, Republikës së Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Republikës së Bullgarisë, Republikës së Kroacisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Republikës së Islandës, Republikës së Malit të Zi, Mbretërisë së Norvegjisë, Rumanisë, Republikës së Serbisë dhe Misionit Administrativ të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për krijimin e një zone të përbashkët të aviacionit europian", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

P R O J E K T L I GJ

PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SHUMËPALËSHE, NDËRMJET KOMUNITETIT EUROPIAN DHE SHTETEVE ANËTARE TË TIJ, REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, BOSNJËS DHE HERCEGOVINËS, REPUBLIKËS SË BULLGARISË, REPUBLIKËS SË KROACISË, ISH-REPUBLIKËS JUGOSLLAVE TË MAQEDONISË, REPUBLIKËS SË ISLANDËS, REPUBLIKËS SË MALIT TË ZI, MBRETËRISË SË NORVEGJISË, RUMANISË, REPUBLIKËS SË SERBISË DHE MISIONIT ADMINISTRATIV TË PËRKOHSHËM TË KOMBEVE TË BASHKUARA NË KOSOVË, PËR KRIJIMIN E NJË ZONE TË PËRBASHKËT TË AVIACIONIT EUROPIAN

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes shumëpalëshe, ndërmjet Komunitetit Europian dhe shteteve anëtare të tij, Republikës së Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Republikës së Bullgarisë, Republikës së Kroacisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Republikës së Islandës, Republikës së Malit të Zi, Mbretërisë së Norvegjisë, Rumanisë, Republikës së Serbisë dhe Misionit Administrativ të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për krijimin e një zone të përbashkët të aviacionit europian".
Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI

* * *

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR RATIFIKIMIN E NDRYSHIMIT NË MARRËVESHJEN E RISHITJES SË AKSIONEVE TË INSIG, SHA-SË, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE, QË VEPRON NË EMËR TË SHTETIT SHQIPTAR, DHE KORPORATËS FINANCIARE NDËRKOMBËTARE (IFC) E BANKËS EUROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (EBRD)"

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e ndryshimit në marrëveshjen e rishitjes së aksioneve të INSIG, sha-së, ndërmjet Ministrisë së Financave, që vepron në emër të shtetit shqiptar, dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD)", për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

P R O J E K T L I GJ

PËR

RATIFIKIMIN E NDRYSHIMIT NË MARRËVESHJEN E RISHITJES SË AKSIONEVE TË INSIG, SHA-SË, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE, QË VEPRON NË EMËR TË SHTETIT SHQIPTAR, DHE KORPORATËS FINANCIARE NDËRKOMBËTARE (IFC) E BANKËS EUROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (EBRD)

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pikat 1 e 2, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Neni 1

Ratifikimin e ndryshimit në marrëveshjen e rishitjes së aksioneve të INSIG, sha-së, ndërmjet Ministrisë së Financave, që vepron në emër të shtetit shqiptar, dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).
Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI

* * *

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR RATIFIKIMIN E NJË NDRYSHIMI NË MARRËVESHJEN E TREGTISË SË LIRË, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MISIONIT TË ADMINISTRATËS SË PËRKOHSHME TË KOMBEVE TË BASHKUARA NË KOSOVË (UNMIK), NË EMËR TË INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME VETËQEVERISËSE TË KOSOVËS"

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e një ndryshimi në marrëveshjen e tregtisë së lirë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në emër të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës", për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

P R O J E K T L I GJ

PËR
RATIFIKIMIN E NJË NDRYSHIMI NË MARRËVESHJEN E TREGTISË SË LIRË, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MISIONIT TË ADMINISTRATËS SË PËRKOHSHME TË KOMBEVE TË BASHKUARA NË KOSOVË (UNMIK), NË EMËR TË INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME VETËQEVERISËSE TË KOSOVËS

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :
Neni 1

Ratifikimin e një ndryshimi në marrëveshjen e tregtisë së lirë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në emër të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës.
Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

KRYETARI
JOZEFINA TOPALLI

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›