E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan këto vendime: V E N D I M PËR MIRATIMIN E PROTOKOLLIT TË BISEDIMEVE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SÃ

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan këto vendime:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROTOKOLLIT TË BISEDIMEVE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN, FINANCIAR E TEKNIK, PËR VITIN 2006

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, « Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare », me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Miratimin e protokollit të bisedimeve, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin, financiar e teknik, për vitin 2006.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në « Fletoren zyrtare ».

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË GREQISË, PËR BASHKËPUNIM NË FUSHËN E ENERGJISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve e marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për bashkëpunim në fushën e energjisë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR, 2004

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr. 8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve e marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar, 2004, për projektin "Shërbimi i studimit dhe i ekspertëve, VI", me një fond grant 1 200 000 (një milion e dyqind mijë) euro.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.551, DATË 2.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, "PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE BUXHETORË, PËR VITIN 2006, NË MINISTRITË DHE INSTITUCIONET QENDRORE", TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.9464, date 28.12.2005, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006", me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.551, datë 2.8.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

"1. Numri i punonjësve buxhetorë, për vitin 2006, për ministritë dhe institucionet qendrore është 110 340 veta, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.".

2. Në lidhjen nr.1, numri i punonjësve buxhetorë për Ministrinë e Drejtësisë, për periudhën gusht-dhjetor 2006, nga "2 720 punonjës" bëhet "2 740 punonjës".
3. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2006, MIRATUAR PËR MINISTRINË E PUNËVE PUBLIKE, TRANSPORTIT DHE TELEKOMUNIKACIONIT, PËR REHABILITIMIN E SISTEMIT KULLUES, NË ZONËN E SHKOZETIT, DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit në Republikën e Shqipërisë", dhe të nenit 12, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006", me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në buxhetin e miratuar për vitin 2006, zëri "Investime për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve", t'i shtohet fondi prej 18 715 000 (tetëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë mijë) lekësh, për kryerjen e punimeve për rehabilitimin e sistemit kullues në zonën e Shkozetit, Durrës, fond i cili të ndahet, si më poshtë vijon:

a) Rehabilitimi i sistemit kullues në zonën e Shkozetit, Durrës, 18 215 000 (tetëmbëdhjetë milionë e dyqind e pesëmbëdhjetë mijë) lekë;
b) Drejtimi dhe kolaudimi i punimeve për rehabilitimin e sistemit kullues në zonën e Shkozetit, Durrës, 500 000 (pesëqind mijë) lekë.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

3. Punimet të përfundojnë brenda muajit dhjetor të vitit 2006.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

TRANSFERIMIN E PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE TË SISTEMEVE TË UJËSJELLËS-KANALIZIMEVE NË PRONËSI TË NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika II, shkronja "a", 10, pika 3.1, shkronjat "a" e "b" e 72, pika 5.1, shkronjat "a" e "b", të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore", dhe të neneve 3, shkronja "e", 4,6, shkronja "a", 7,8 e 16, pika 1, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, "Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore", me propozimin e ministrit të Brendshëm, të ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e transferimit të pronave të paluajtshme shtetërore të sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve, në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, sipas lidhjeve 1, 2 e 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Njësitë e qeverisjes vendore, të cilave u transferohen pronat e paluajtshme të sistemeve përkatëse të ujësjellës-kanalizimeve, të respektojnë marrëveshjet, detyrimet kontraktore, kontratat e shërbimit dhe të koncesionit, të nënshkruara ndërmjet Këshillit të Ministrave, ministrive dhe institucioneve qendrore, ndërmarrjeve të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve dhe njësive të qeverisjes vendore me donatorët e huaj dhe me shoqëritë kontraktuese.

3. Njësitë e qeverisjes vendore, të cilat përfitojnë prona sipas lidhjeve 1, 2 e 3, të këtij vendimi, detyrohen të ruajnë statusin juridik të shoqërive anonime, që transferohen të paktën për një periudhë 2-vjeçare.

4. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të pasqyrojë ndryshimet e kapitaleve, që vijnë si rezultat i transferimit të pronave të paluajtshme në njësitë e qeverisjes vendore, sipas lidhjeve 2 e 3.

5. Ngarkohen zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe njësitë e qeverisjes vendore të kryejnë procedurat e regjistrimit të pronave, të miratuara me këtë vendim.

6. Në çastin e transferimit në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, të pronave të paluajtshme shtetërore të sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve, të bëhet shlyerja e detyrimeve të vjetra ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vlerën 71 540 (shtatëdhjetë e një mijë e pesëqind e dyzet) mijë lekë, dhe ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, në vlerën 56 520 (pesëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e njëzet) mijë lekë, përkatësisht, sipas listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

7. Fondi prej 128 060 (njëqind e njëzet e tetë mijë e gjashtëdhjetë) mijë lekësh, për shlyerjen e detyrimeve të vjetra të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

8. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Brendshme, të transferojë në buxhetin e njësive të qeverisjes vendore fonde me destinacion, subvencione dhe investimeve buxhetore për pronat e transferuara.

9. Ngarkohen ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ministri i Financave, ministri i Brendshëm, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT GLOBAL PËR LUFTËN KUNDËR AIDS-IT, TUBERKULOZIT DHE MALARJES, PËR PROGRAMIN "PËRSHKALLËZIMI I PËRGJIGJES KOMBËTARE NDAJ TUBERKULOZIT"

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë, dhe Fondit Global për Luftën Kundër AIDS-it, Tuberkulozit dhe Malarjes, për programin "Përshkallëzimi i përgjigjes kombëtare ndaj tuberkulozit", në shumën 776 298 (shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e tetë) USD.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT GLOBAL PËR LUFTËN KUNDËR AIDS-IT, TUBERKULOZIT DHE MALARJES, PËR PROGRAMIN "FUQIZIMI I PËRGJIGJES KOMBËTARE TË SHQIPËRISË NDAJ HIV/AIDS-IT, PËR GRUPET E PAMBROJTURA"

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë, dhe Fondit Global për Luftën kundër AIDS-it, Tuberkulozit dhe Malarjes, për programin "Fuqizimi i përgjigjes kombëtare të Shqipërisë ndaj HIV/AIDSit, për grupet e pambrojtura", në shumën 2 502 858 (dy milionë e pesëqind e dy mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë) USD.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN, PËRBËRJEN, KOMPETENCAT DHE MËNYRËN E FUNKSIONIMIT TË KOMITETIT AD-HOC TË LOJËRAVE TË FATIT, KAZINOVE DHE HIPODROMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8701, datë 1.12.2000, "Për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e komitetit të lojërave të fatit, si një strukturë ad-hoc, pranë ministrit përgjegjës për ekonominë, për shqyrtimin e kërkesave për dhënien e lejeve për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet.

2. Kompetencat e këtij komiteti janë:

a) Shqyrton kërkesat e subjekteve të ndryshme, për licencimin në fushën e lojërave të fatit, kazinove dhe hipodromeve, dhe kërkesat e organeve të qeverisjes vendore, sipas pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.8701, datë 1.12.2000, "Për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet", të ndryshuar, dhe ia paraqet për miratim përfundimtar ministrit përgjegjës për ekonominë;

b)I propozon për miratim ministrit përgjegjës për ekonominë standardet dhe format e biletave të lojërave të fatit, pasi ka marrë paraprakisht edhe mendimin e organizatorit;

c)Merr masa, në bashkëpunim me subjektet e licencuara, për shtypjen e biletave, si dhe kontrollon e mbikëqyr këtë proces, sidomos shpërndarjen e biletave subjekteve të licencuara, duke bërë regjistrimet përkatëse për secilën prej tyre;

ç)U dërgon organeve të qeverisjes vendore dokumentin e miratimit paraprak të lejeve për ushtrimin e veprimtarive të lojërave të fatit, ku përcaktohen edhe kompetencat e tyre;

d)I propozon ministrit përgjegjës për ekonominë heqjen e lejes për organizatorin e lojës së fatit, kazinosë apo hipodromit, kur vëren shkelje të dispozitave, ligjore apo nënligjore, në fuqi, që kanë të bëjnë me ushtrimin e veprimtarisë së subjektit apo shkelje të kushteve të përcaktuara në leje;

dh)Shqyrton kërkesat e subjekteve për ripërtëritjen e lejeve për lojërat e fatit dhe ia paraqet, për miratim, ministrit përgjegjës për ekonominë;

e)U propozon ministrit përgjegjës për ekonominë dhe ministrit përgjegjës për rendin publik numrin e kazinove, që mund të hapen në një zonë të caktuar;

ë)Merr masa, në bashkëpunim me organizatorin e kazinosë dhe ministrinë përgjegjëse për rendin publik, për përcaktimin e sigurimit të kazinosë dhe të kontrollit të pjesëmarrësve në lojë;

f) I kërkon, në bashkëpunim me personat e autorizuar nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe organi i kontrollit teknik, organizatorit të subjektit vënien në dispozicion të çdo lloj dokumentacioni apo të dhëne të nevojshme, për të ushtruar kontroll mbi to apo për të mbikëqyrur veprimtarinë;

g) I propozon ministrit përgjegjës për ekonominë shfuqizimin e lejes së dhënë për lojërat e fatit apo ndërprerjen, pa paralajmërim, të procedurave të dhënies së lejes, në rast se leja apo procedurat e dhënies së saj janë në kundërshtim a cenojnë interesin e përgjithshëm;

gj) I propozon ministrit përgjegjës për ekonominë, pas shqyrtimit të projekteve të paraqitura nga organizatori, miratimin e rregulloreve për secilën prej lojërave të fatit, që luhen në kazino dhe hipodrom;

h) Njofton zyrtarisht organet tatimore për të gjitha subjektet e licencuara për lojëra fati, brenda 5 ditëve nga marrja e lejes për ushtrimin e këtyre veprimtarive. Gjithashtu, vë në dispozicion të organeve tatimore, sipas kërkesës së tyre, të gjithë dokumentacionin, që zotëron për organizatorët dhe veprimtarinë e tyre.

3. Komiteti i lojërave të fatit ngrihet me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë:

a)Komiteti për shqyrtimin e kërkesave për dhënien e lejeve për lojëra fati apo për çdo çështje tjetër, në lidhje me këtë fushë, përbëhet, si më poshtë vijon:

- Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme
Rregullatore, në Ministrinë e Ekonomisë,
Tregtisë dhe Energjetikës, kryetar;
- Dy përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë,
Tregtisë dhe Energjetikës anëtarë;
- Një përfaqësues i Ministrisë së Financave anëtar;
- Një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme anëtar.

b) Komiteti për shqyrtimin e kërkesave për dhënien e lejeve për kazino dhe hipodrom apo çdo çështje tjetër, në lidhje me këtë fushë, përbëhet, si më poshtë vijon:

- Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë
dhe Energjetikës kryetar;
- Dy përfaqësues së Ministrisë së Ekonomisë,
Tregtisë dhe Energjetikës anëtarë;
- Një përfaqësues i Ministrisë së Financave anëtar;
- Një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, nga
sektori i luftës kundër pastrimit të parave
dhe krimit ekonomiko-financiar, anëtar;
- Një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë anëtar;
- Një përfaqësues i Ministrisë së Turizmit,
Kulturës, Rinisë dhe Sporteve anëtar;
- Një përfaqësues i Ministisë së Punës,
Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta anëtar;
- Një përfaqësues i Drejtorisë së
Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit anëtar.

4. Mbledhjet e komitetit thirren dhe drejtohen nga kryetari. Përcaktimi i rendit të ditës dhe i datës së mbledhjes vendosen nga kryetari i komitetit dhe u bëhen të ditura anëtarëve të tjerë, të paktën 3 ditë para mbledhjes.

5. Mbledhjet e komitetit janë të vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se ¾ e anëtarëve. Në fillim të mbledhjes, kryetari i komitetit verifikon numrin e pjesëmarrësve dhe, në mungesë të shumicës së nevojshme, vendos thirrjen e mbledhjes tjetër jo më vonë se tri ditë.

6. Në përfundim të shqyrtimit të çështjeve, sipas rendit të ditës, kryetari i komitetit të lojërave të fatit vendos hedhjen në votë të çështjeve, për të cilat duhet të merret vendim nga komiteti. Vendimet e komitetit merren me shumicën e votave (shumicë absolute). Në rast barazie votash, vendimtare është vota e kryetarit të komitetit.

7. Vendimet e komitetit të lojërave të fatit janë të detyrueshme për t'u zbatuar nga të gjitha strukturat dhe personat e ngarkuar posaçërisht nga përmbajtja e tij.

8. Vendimet e marra nga komiteti i lojërave të fatit i dërgohen ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ministri, për shkaqe ligjore, ka të drejtë t'i kërkojë komitetit rishqyrtim të çështjes.

9. Sektori i lojërave të fatit, pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, gjatë punës së komitetit, ushtron edhe funksionet e sekretariatit teknik.

10. Sekretariati teknik ka detyrë të kujdeset për shkëmbimin e informacionit, dërgimin e njoftimeve dhe përgatitjen e materialeve, që shqyrtohen në mbledhjet e komitetit, si dhe mbajtjen e procesverbaleve të mbledhjeve.

11. Sekretariati teknik kujdeset dhe përgjigjet për administrimin e dokumentacionit të punës së komitetit të lojërave të fatit, për dërgimin e marrjen e të dhënave, të njoftimeve dhe të korrespondencës me organet e personat juridikë, për procedurën e dhënies së lejes.

12. Komiteti i lojërave të fatit, në dhënien apo vlerësimin e kërkesave, për dhënien e lejeve në fushën e lojërave të fatit, kazinove dhe hipodromeve apo për çdo çështje tjetër, që lidhet me to, zbaton kriteret dhe procedurat e përcaktuara në ligjin nr.8701, datë 1.12.2000, "Për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet", të ndryshuar, dhe në vendimin nr.238, datë 13.4.2001, të Këshillit të Ministrave, "Për kriteret e dhënies së lejes, për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet", të ndryshuar.

13. Vendimi nr.239, datë 19.4.2001, i Këshillit të Ministrave, "Për organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e komitetit të lojërave të fatit", shfuqizohet.

14. Ngarkohet ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, që, në zbatim të pikës 1, të këtij vendimi, të nxjerrë dhe të miratojë rregulloren e funksionimit të komitetit të lojërave të fatit.

15. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›