E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në Konferencën "Prokurimet Publike, një hap i rëndësishëm drejt integrimit europian", organizuar nga Delegacioni i Komisionit Europian në Tira

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në Konferencën "Prokurimet Publike, një hap i rëndësishëm drejt integrimit europian", organizuar nga Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë, në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimeve Publike shqiptare. Diskutimet e kësaj konference u përqëndruan në ligjin e ri të prokurimeve publike, të hartuar tashmë nga qeveria, me ekspertizën dhe bashkëpunimin e institucioneve ndërkombëtare, ekspertëve shqiptarë, donatorëve, komunitetit të biznesit, etj.

Në konferencë ishin të pranishëm Kryetari i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Ambasadori Helmuth Lohan, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Tiranë, përfaqësues të Trupit Diplomatik, drejtues të Agjencisë së Prokurimeve Publike në vend, etj.

Ambasadori i KE-së në Tiranë, zoti Lohan vlerësoi se ligji i hartuar për prokurimet publike, me kontributin e të gjithë aktorëve, është një hap i rëndësishëm në drejtim të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa theksoi se zbatimi korrekt i tij garanton gjithëpërfshirjen, konkurencën e lirë, mosdiskriminimin në proceset e prokurimeve publike, si dhe kontribuon për forcimin e besimit në autoritetet ekonomike të administratës së vendit.

Kryeministri Berisha, duke falënderuar institucionet ndërkombëtare dhe të gjithë faktorët që ndihmuan në hartimin e këtij ligji, shprehu angazhimin e plotë të qeverisë në zbatimin rigoroz të ligjit dhe garantimin e transparencës së plotë në procesin e prokurimit publik në vend.

Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:

"Para së gjithash, dua t'i shpreh mirënjohjen më të thellë me këtë rast Delegacionit të Komisionit Europian, ekspertëve të KE-së, punonjësve të Agjencisë shqiptare të Prokurimeve Publike për organizimin e kësaj konference dhe për punën e shkëlqyer që ata kanë bërë, duke i dhënë Shqipërisë një ligj të ri për një nga proceset më themelore të çdo vendi, prokurimet publike.

Konferenca organizohet si kurorëzim i një punë të rëndësishme, të gjatë e kompetente të këtij grupi. Dua në fillim t'ju informoj se ligji i ri i prokurimeve publike përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare. Prokurimët publike kanë qenë viktimë kryesore e sistemit kleptokratik. Dua t'u them se qindra e qindra milionë euro në prokurimet publike shqiptare, gjatë viteve të shkuara, janë prokuruar direkt, pra i janë dorëzuar paraprakisht sipërmarrësit të paracaktuar. Mjafton t'u hedhim një sy publikimeve të prokurimeve publike sipas institucioneve dhe koorporatave të vendit dhe do të gjeni në to deri në 86 përqind prokurime direkte, prokurime jashtë çdo rregulli, për të mos thënë se përcaktues kryesor i fituesve në një pjesë të madhe të rasteve ishte zarfi.

Një përpjekje shumë të madhe kemi bërë gjatë këtij viti, në mënyrë që praktika më e rëndësishme e përdorimit të parave të taksapaguesve shqiptar të vendosej në një bazë të re ligjore.

Me amendimet e pjesshme dhe përpjekjet që bëmë, në mënyrë të padiskutueshme, u arrit të zgjerohej gara. Kam kënaqësi t'ju informoj se sot pjesëmarrja në garën e prokurimit është 2 deri në 4 herë më e madhe se sa një vit më parë, duke arritur deri në 56 kompani në tendera të caktuar. U ul në mënyrë të ndjeshme kostoja e prokurimeve publike. Në tërësi kostoja e përgjithshme e prokurimeve publike është sot 25 përqind më e ulët se një vit më parë. Pra, ra "zarfi", por në mënyrë absolute nuk u zhduk. Duhet të jemi të vetëdijshëm se këto janë vetëm rezultatet e para të rëndësishme inkurajuese në përpjekjet e transparencës së plotë të këtij procesi. Ky është një faktor vendimtar në rrugën tonë për integrimin në Bashkimin Europian, për zhvillimin e vendit.

Ka një impakt të jashtëzakonshëm në respektimin e rregullave të tregut, lirisë së tij, garës së lirë. Ligji që kanë hartuar dhe që është dorëzuar për votim, përbën një ligj të standardeve më të reja, përbën një ligj të standardeve të Bashkimit Europian. Ky ligj mori jo vetëm ekspertizën më të mirë, por edhe oponencat më të mira të institucioneve ndërkombëtare dhe institucioneve shqiptare, oponenca të cilat u pasqyruan dhe po pasqyrohen plotësisht.

Ligji shënon hapa të mëdha në drejtim të transparencës së plotë të këtij procesi, në drejtim të parandalimit të prokurimit të drejtëpërdrejtë, në drejtim të parandalimit të shtesave, të listave pafund të prokurimeve, të cilat ishin shndërruar nga përjashtim në rregull.

Ligji ka një risi të madhe, krijon edhe një mbikqyrës për prokurimet, që nuk ka ekzistuar deri më sot, nga shoqëria civile, apo i quajtur ndryshe ombudsman-in e e prokurimeve publike, i cili do të jetë edhe ky një autoritet që do të shqyrtojë të gjithë procedurën. Është mjaft i ngjashëm me Avokatin e Popullit. Kjo është shumë e rëndësishme. Ky ombudsman-do të mbikqyr respektimin e të gjitha rregullave e ligjeve në procesin e prokurimit publik. Ai do të jetë i pavarur, kjo është e sanksionuar në ligj. Me ndihmën e USAID-it, ka nisur puna për ngritjen e këtij institucioni.

Ligji i ri i prokurimeve publike zgjidh të gjitha problemet ekzistuese, kontraktorët dhe i vë ato në baza të trasparencës së plotë.

Ligji ka të gjithë hapësirën për prokurimin elektronik. Edhe ky është një kusht i domosdoshëm për transparencën e prokurimeve publike në çdo vend të botës, por veçanërisht në Shqipëri, e cila përballet më probleme serioze në procesin e prokurimit dhe në përpjekjet e kësaj administrate për të luftuar korrupsionin, për të luftuar abuzimin me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Ligji i ri i prokurimeve publike do të shkojë në parlament sëbashku me ligjin e ri të konçensioneve dhe të partneritetit publik privat. Edhe ky është një ligj që trajton një proces të ngjashëm dhe që e vendos edhe këtë proces në një bazë të re ligjore.

Po punohet edhe për ligjin e ankandeve, sepse të gjitha ankandet deri sot janë bërë me akte nënligjore të ndryshuara sa herë kanë dashur. Edhe ato do të bëhen me një ligj të veçantë të standardeve të Bashkimit Europian.

Edhe një herë, dua ta mbyll fjalën time duke shprehur mirënjohjen më të thellë për këtë kontribut shumë të çmuar që ju keni dhënë me punën tuaj, me ekspertët shqiptarë, me institucionet shqiptare, të cilat e kanë shqyrtuar me seriozitet, Bankën Botërore dhe të gjithë ata që u angazhuan që Shqipëria të ketë një ligj modern, një ligj që garanton transparencën e procesit të prokurimit publik në vend. Faleminderit".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›