Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u morën në shqyrtim dhe u miratuan disa projektligje dhe vendime: V E N D I M PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u morën në shqyrtim dhe u miratuan disa projektligje dhe vendime:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8116, DATË 29.3.1996, "KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË", TË NDRYSHUAR"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8116, datë 29.3.1996, "Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 8116, DATË 29.3.1996, "KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË", TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja "d", dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Në ligjin nr.8116, datë 29.3.1996, "Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime e shtesa:
Neni 1
Neni 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Neni 14
Gjykata ka për detyrë të krijojë kushtet për zhvillimin e një procesi, të rregullt e të gjithanshëm, hetimi gjyqësor, në përputhje me ligjin.".
Neni 2
Në shkronjat "a" e "b", të nenit 35, fjalët "...10 milionë lekë..." zëvendësohen me "...20 milionë lekë...".
Neni 3
Në fjalinë e dytë, të nenit 73, pas fjalës "...gjykatë..." shtohen "... me anë të shortit...".
Neni 4
Neni 133 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Neni 133
Kur marrësit nuk i dihet vendbanimi ose vendqëndrimi në Republikën e Shiqpërisë, ose nuk ka zgjedhur një banesë apo nuk ka caktuar një përfaqësues të tij, sipas nenit 131, të këtij Kodi, njoftimi i aktit bëhet nëpërmjet afishimit të kopjes në gjykatën e vendit, ku do të gjykohet mosmarrëveshja, si dhe në vendin e afishimit, ku ka pasur vendbanimin.".
Neni 5
Pas nenit 141 shtohet neni 141/a, me këtë përmbajtje:
"Neni 141/a
Rregullat e njoftimit për personin fizik, të parashikuara në nenin 133, zbatohen edhe për njoftimet për personat juridikë.".
Neni 6
Pas nenit 144 shtohet neni 144/a, me këtë përmbajtje:
"Neni 144/a
Rregullat e parashikuara në këtë kre për njoftimet zbatohen edhe nga Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor, nëpërmjet nëpunësve të zyrës së përmbarimit.".
Neni 7
Në fund të paragrafit të parë, të nenit 152, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje: "Gjatë shqyrtimit të kërkesës thirret edhe pala tjetër.".
Neni 8
Në nenin 158/a bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Paragrafi i parë riformulohet, si më poshtë vijon:
"Gjyqtari cakton, për çdo çështje, seancën përgatitore, ku thirren palët ose personi i tretë, për të përcaktuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kërkon prej tyre shpjegimet e nevojshme, si dhe përcaktimin e provave për vërtetimin e pretendimeve e të prapësimeve të tyre. Gjyqtari, me vendim, kryen këto veprime:".
2. Paragrafi i katërt shfuqizohet.
Neni 9
Pas shkronjës "b", të nenit 161, shtohet shkronja "c", me këtë përmbajtje:
"c) Në rast se gjykimi ka filluar dhe paditësi vëren se kërkimi i tij shtrihet edhe ndaj një personi tjetër, atëherë mund ta shtrijë kërkimin edhe ndaj këtij të fundit, duke e thirrur si të paditur.".
Neni 10
Në nenin 232 fjalët "... edhe sikur shuma ose vlefta e paguar të jetë më e vogël se 50 000 lekë..." shfuqizohen.
Neni 11
Pas nenit 485 shtohet neni 485/a, me këtë përmbajtje:
"Neni 485/a
Pasojat kur prishet vendimi i padrejtë, i cili është ekzekutuar tërësisht ose pjesërisht
Kur vendimi i ri, që jepet pas prishjes, është i ndryshëm nga vendimi i parë, i cili është ekzekutuar, tërësisht ose pjesërisht, personi, që ka përfituar, detyrohet t'i kthejë të gjitha përfitimet e marra nga ekzekutimi i vendimit.".
Neni 12
Pas shkronjës "e", të nenit 494, shtohet shkronja "ë", me këtë përmbajtje:
"ë) kur Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut gjen shkelje të konventës europiane "Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore" dhe të protokolleve të saj, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë;".
Neni 13
Në nenin 495 fjalët "... nenin 96..." zëvendësohen me "... nenin 290...".
Neni 14
Në nenin 511 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Fjalia e dytë, e paragrafit të parë, ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Për këtë qëllim lëshohet urdhri i ekzekutimit, brenda 5 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës së kreditorit, i cili jepet:".
2. Paragrafi i fundit ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Nuk lëshohet urdhri i ekzekutimit për vendimin e sigurimit të padisë dhe për gjobat e dhëna nga gjykata, të cilat ekzekutohen, drejpërdrejt, nga zyra e përmbarimit, pas njoftimit të vendimit.".
Neni 15
Neni 515 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Neni 515
Vënia në ekzekutim
Për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, kreditori duhet të paraqesë, pranë zyrës së përmbarimit:
a) kërkesën për ekzekutim;
b) titullin ekzekutiv (origjinal ose i noterizuar);
c) urdhrin e ekzekutimit (origjinal);
ç) pagesën e taksës së vënies në ekzekutim;
d) sipas rastit, prokurën e personit, që përfaqëson palën kreditore.
Kur nuk plotësohen në rregull dokumentet e mësipërme për vënien në ekzekutim të titullit ekzekutiv, përmbaruesi i lë kërkuesit një afat 5-ditor për plotësimin e të metave. Kur kërkuesi nuk plotëson të metat brenda afatit të caktuar, dokumentacioni i kthehet kërkuesit. Kur të metat janë plotësuar në afatin e caktuar, kërkesa për vënien në ekzekutim quhet e regjistruar nga dita që është paraqitur në zyrën e përmbarimit.
Vënia në ekzekutim e urdhrit të ekzekutimit bëhet brenda 15 ditëve nga dita e dorëzimit të kërkesës së kreditorit.
Vendimi i gjykatës për masën e sigurimit të padisë dhe gjobat e gjykatës vihen në ekzekutim, brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes.
Taksa e vënies në ekzekutim nuk parapaguhet në raste të parashikuara me ligj.".
Neni 16
Në paragrafin e dytë, të nenit 517, të bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:
1. Pas fjalëve "...rrethanave të tjera të çëshjes,..." shtohen "...pasi dëgjon edhe kreditorin,...".
2. Fjalia e fundit ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Kundër vendimit mund të bëhet ankim i veçantë.".
Neni 17
Në nenin 522 pas fjalëve "...për këtë rrethanë..." shtohen "... brenda 20 ditësh...".
Neni 18
Në nenin 529 shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:
"8. Sendet e nevojshme të punës për sigurimin e jetesës.".
Neni 19
1. Titulli i nenit 532 zëvendësohet me "Llogaria në bankë e Zyrës së Përmbarimit"
2. Në nenet 532 dhe 595, fjalët "...llogaria e përmbaruesit gjyqësor..." zëvendësohen me "...llogaria e Zyrës së Përmbarimit...".
Neni 20
Neni 533 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Neni 533
Sekuestroja e pagës së debitorit
Pasi zbritet kontributi për sigurimet shoqërore dhe taksat mbi të ardhurat, përmbaruesi gjyqësor sekuestron jo më shumë se gjysmën e pagës së debitorit, por pa rënë nën nivelin e pagës minimale.".
Neni 21
Në nenin 540 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
"Përmbaruesi bën sekuestrimin e pasurive të luajtshme, duke vënë një etiketë të shërbimit të përmbarimit.".
Neni 22
Neni 551 shfuqizohet.
Neni 23
Në nenin 553 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Titulli ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Shitja në dyqanet me shitje të lirë".
2. Paragrafet e dytë dhe të tretë shfuqizohen.
3. Paragrafi i katërt ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Në qoftë se brenda 2 muajve sendi nuk shitet, përmbaruesi gjyqësor i propozon kreditorit ta marrë sendin kundrejt kredisë. Kur kreditori nuk pranon të marrë sendin, përmbaruesi vijon me procedurën e ankandit.".
Neni 24
Neni 554 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Neni 554
Përmbaruesi gjyqësor organizon shitjen në ankand të sendit kur, për shkak të natyrës ose gjendjes së tij, nuk pranohet ose shitet nga dyqanet e shitjes së lirë apo refuzohet të merret nga kreditori kundrejt kredisë së tij.".
Neni 25
Në fillim të nenit 555 shtohet një fjali, me këtë përmbajtje:
"Çmimi fillestar i ankandit të parë është 80 për qind e çmimit të caktuar sipas nenit 552, të Kodit.".
Neni 26
Neni 557 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Neni 557
Ankandi i dytë
Në rast se në ankandin e parë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor përcakton çmimin, i cili është 30 për qind më pak se çmimi në ankandin e parë dhe cakton një ankand të dytë për shitjen e sendit.
Në rast se në ankandin e dytë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë përmbaruesi i propozon në fillim kreditorit, që, kundrejt kredisë, të marrë sendin me çmimin e ankandit të dytë. Në rast se kreditori nuk pranon ta marrë sendin, përmbaruesi heq sekuestron mbi këtë send, duke ia kthyer atë debitorit, dhe vijon procedurat përmbarimore mbi pasuri të tjera të tij.".
Neni 27
Në paragrafin e dytë, të nenit 560, shtohet një fjali, me këtë përmbajtje:
"Akti i përmbaruesit gjyqësor regjistrohet nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme brenda 10 ditësh nga data e paraqitjes së tij.".
Neni 28
Neni 564 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Neni 564
Nëse kreditori dhe debitori nuk arrijnë një marrëveshje për vlerën e sendit, mbi të cilin është vendosur sekuestroja, përmbaruesi përcakton, me vendim, vlerën e tij, bazuar në aktin e ekspertimit, të paraqitur nga një ekspert i fushës përkatëse, mbështetur në vlerën reale të pasurisë në treg, në çastin e vënies së sekuestros mbi të.
Përmbaruesi njofton kreditorin dhe debitorin për çmimin e caktuar. Kundër vendimit të përmbaruesit palët mund të bëjnë ankim të veçantë.".
Neni 29
Në nenin 568 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në paragrafin e parë, pas fjalëve "...sendi i paluajtshëm..." shtohen "...gjykatë, komunë, bashki, njësitë bashkiake dhe në një vend apo vende të tjera publike, që ai i çmon të përshtatshme...".
2. Pas paragrafit të dytë shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
"Çmimi fillestar në ankand është 80 për qind i çmimit të përcaktuar sipas nenit 564, të këtij Kodi.".
Neni 30
Në nenin 569 pas fjalëve "...në zyrën e përmbarimit..." shtohen "...ose në një vend tjetër publik, nëse është i përshtatshëm për zhvillimin e ankandit...".
Neni 31
Paragrafi i fundit, i nenit 573, ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Rregullat e hollësishme për zhvillimin e ankandit përcaktohen me udhezim të Këshillit të Ministrave.".
Neni 32
Në paragrafin e parë, të nenit 574, fjalët "...5 ditë..." bëhen "...10 ditë...".
Neni 33
Në fjalinë e parë, të nenit 575, pas fjalëve "... përmbaruesi gjyqësor..." shtohen "...brenda 10 ditëve...".
Neni 34
Paragrafi i parë, i nenit 577, ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Në rast se në ankandin e parë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor përcakton çmimin e ri të sendit, i cili është 20 për qind më pak se çmimi i ankandit të parë. Ankandi i dytë për shitjen e sendit zhvillohet jo më vonë se 15 ditë nga dita e caktimit të çmimit të ri.
Në rast se në ankandin e dytë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë përmbaruesi i propozon në fillim kreditorit, që, kundrejt kredisë, të marrë sendin me çmimin e ankandit të dytë. Në rast se kreditori nuk pranon ta marrë sendin, përmbaruesi gjyqësor heq sekuestron mbi sendin e sekuestraur dhe vijon procedurat përmbarimore mbi pasuri të tjera të debitorit.".
Neni 35
Paragrafi i fundit, i nenit 589, ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Këshilli i Ministrave nxjerr udhëzim për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të institucioneve buxhetore, në llogari të thesarit.".
Neni 36
Në nenin 593 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Paragrafi i parë shfuqizohet.
2. Në paragrafin e dytë hiqen fjalët "...Kur ky nuk gjendet ose kur banka nuk ka gjendje për debitorin.".
Neni 37
Neni 596 shfuqizohet.
Neni 38
Pas nenit 601 shtohet neni 601/a, me këtë përmbajtje:
"Neni 601/a
Sendet e luajtshme, që ndodhen brenda sendit të paluajtshëm, të vënë në posedim, sipas nenit 602, duhet të zhvendosen në përgjegjësinë e përmbaruesit dhe t'i dorëzohen debitorit ose familjarëve të tij menjëherë. Në rast se debitori ose familjarët e tij nuk janë të pranishëm gjatë lirimit, përmbaruesi mund të magazinojë pasuritë e luajtshme në:
a) mjedisin e liruar, në marrëveshje me kreditorin, për një periudhë kohe prej 2 muajsh;
b) në mjediset, që disponon shërbimi përmbarimor, për ruajtjen e sendeve, për një periudhe kohe prej 2 muajsh;
c) në një vend neutral, ku sendet e luajtshme mund të ruhen në mënyrë të sigurtë, për një periudhe kohe prej 2 muajsh;
ç) në rezervat e shtetit, sipas rregullave në fuqi për ruajtjen e sendeve.
Për magazinimin e sendeve, sipas shkronjave "b" dhe "c", shpenzimet paguhen nga debitori në çastin e marrjes në dorëzim të sendeve.
Nëse brenda 2 muajve nga lirimi, debitori nuk i kërkon sendet e tij të luajtshme, sipas shkronjave të mësipërme apo nuk paguan të gjitha shpenzimet e lirimit dhe të magazinimit, sipas shkronjave "b" dhe "c", sendet e luajtshme, të sekuestrueshme, do të shiten nga përmbaruesi gjyqësor sipas dispozitave të pjesës IV, të kreut II, të këtij kodi. Përmbaruesi, pasi zbret nga shuma e përfituar nga shitja me ankand të gjitha shpenzimet për lirimin dhe magazinimin e sendeve të debitorit, derdh pjesën, që mbetet në një llogari bankare, në emër të debitorit. Sendet e pasekuestrueshme i kthehen debitorit, pavarësisht vendit se ku ruhen, pa i kërkuar atij, që të paguajë shpenzimet.
Sendet e luajtshme, të ndodhura brenda sendit të paluajtshëm, që nuk mund të shiten dhe nuk kërkohen nga debitori, asgjësohen a i kalojnë institucioneve shtetërore ose enteve publike shtetërore, kalim kapital.".
Neni 39
Paragrafi i fundit, i nenit 609, ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Në këto raste, gjykata shqyrton çështjen brenda 5 ditësh dhe mund të vendosë pezullimin e vendimit me ose pa garanci. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë.".
Neni 40
Në paragrafin e dytë, të nenit 610, pas fjalës "... shqyrtohet..." shtohen "...brenda 20 ditësh...".
Neni 41
Në nenin 615 bëhen këto shtesa:
1. Pas shkronjës "ç", shtohen shkronjat "d" dhe "dh", me këtë përmbajtje:
"d) kur përmbaruesi gjyqësor, vetë ose me kujdesin e kreditorit, nuk gjen pasuri të debitorit, brenda 6 muajve nga fillimi i ekzekutimit.
dh) kur kreditori, nuk paraqitet, pa shkaqe të arsyeshme, brenda 3 muajve nga njoftimi i dytë shkresor, bërë nga përmbaruesi gjyqësor.".
2. Pas paragrafit të parë shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
"Pas rënies së masës së pezullimit, ekzekutimi vazhdon nga veprimi procedural i mbetur, në çastin e pezullimit".
Neni 42
Shkronja "d", e nenit 616, shfuqizohet.
Neni 43
Në paragrafin e tretë, të nenit 617, hiqen fjalët "... shkronja "b" dhe...".
Neni 44
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
KRYETARI
Jozefina TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8003, DATË 28.9.1995, "KODI PENAL USHTARAK I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË", TË NDRYSHUAR"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për disa ndryshime në ligjin nr.8003, datë 28.9.1995, "Kodi Penal Ushtarak i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8003, DATË 28.9.1995, "KODI PENAL USHTARAK I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË", TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pikat 1 e 2, shkronja "d", dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Në ligjin nr.8003, datë 28.9.1995, "Kodi Penal Ushtarak i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Në pikën 1, të nenit 7, dhe në paragrafin e fundit, të nenit 28, fjalët "... a vdekje..." shfuqizohen.
Neni 2
Në nenin 8/a bëhen këto ndryshime:
1. Në titull dhe në paragrafin e tretë fjalët "...ose me vdekje..." shfuqizohen.
2. Paragrafi i dytë shfuqizohet.
Neni 3
Në paragrafin e fundit, të nenit 25, fjalët "... me burgim të përjetshëm ose me vdekje..." zëvendësohen me "... ose me burgim të përjetshëm...".
Neni 4
Në paragrafin e fundit të nenit 26, dhe në paragrafin e fundit, të nenit 77, fjalët "...ose me vdekje..." shfuqizohen.
Neni 5
Në paragrafin e fundit, të neneve 34, 47 dhe 50, fjalët "... me burgim të përjetshëm ose me vdekje..." zëvendësohen me "... ose me burgim të përjetshëm...".
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES KUADËR TË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE, DHE BANKËS SË KËSHILLIT TË EUROPËS PËR ZHVILLIM"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Bankës së Këshillit të Europës për Zhvillim ", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES KUADËR TË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE, DHE BANKËS SË KËSHILLIT TË EUROPËS PËR ZHVILLIM
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Bankës së Këshillit të Europës për Zhvillim, për financimin e projektit "Cilësi dhe barazi në arsim", nëpërmjet kredisë prej 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) euro.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT TË PËRGJITHSHËM ANALITIK TË PROJEKTAKTEVE, QË DO TË PARAQITEN PËR SHQYRTIM NË KËSHILLIN E MINISTRAVE, GJATË VITIT 2007
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave", me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve, që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave, gjatë vitit 2007, sipas tabelave, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
CILËSINË E LËNDËVE DJEGËSE, BENZINË DHE DIEZEL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 10, të ligjit nr.8897, datë 16.5.2002, "Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja", me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohet vetëm tregtimi i benzinës pa plumb, që, në nomenklaturën e mallrave, përshkruhet në kodet CN 27101141, 27101145, 27101149, 27101151 dhe 27101159 dhe që plotëson kërkesat e përcaktuara në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke filluar nga data 1 janar 2009, do të lejohet, për përdorim në automjetet rrugore dhe gjeneratorët, vetëm tregtimi i lëndës djegëse diezel, që, në nomenklaturën e mallrave, përshkruhet në kodin 27101941, që plotëson kërkesat e standardit shqiptar S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të, me përjashtim të kushtit për përmbajtjen e squfurit, siç parashikohet në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Nga data 1 janar 2009, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët diezel, nuk lejohet të kalojë 350 mg/kg.
4. Nga data 1 janar 2011, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët diezel, nuk lejohet të kalojë 10 mg/kg.
5. Duke filluar nga 1 janar 2009, të gjitha pikat e shitjes duhet të reklamojnë, qartë dhe dukshëm, për blerësit:
a) përputhjen e parametrave mjedisore të benzinës me standardin shqiptar S SH EN 228, në fuqi, ose me standardet e tjera, të barazvlefshme me të.
b) përmbajtjen maksimale, të lejueshme të squfurit, si dhe përputhjen e parametrave mjedisore të diezelit me standardin shqiptar S SH EN 590 ose standardet e tjera, të barazvlefshme me të.
6. Testimi i çdo parametri të bëhet sipas metodave të testimit , si më poshtë vijon:
a) Për benzinën - sipas standardit shqiptar S SH EN 228 ose standardeve të tjera, të barazvlefshme me të.
b) Për diezelin - sipas standardit shqiptar S SH EN 590 ose standardeve të tjera, të barazvlefshme me të.
7. Ngarkohen ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të miratojnë udhëzimin e përbashkët për mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave, për cilësinë e benzinës dhe të diezelit.
8. Nëse pas datës 1 janar 2009 evidentohen subjekte, që tregtojnë lëndë djegëse, me cilësi, që nuk respekton kërkesat e këtij vendimi, lënda djegëse sekuestrohet. Inspektorati Qendror Teknik përcakton destinacionin e lëndës djegëse të sekuestruar.
9. Ngarkohet Inspektorati Qendror Teknik për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi dhe të udhëzimit të përcaktuar në pikën 7.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.515, DATË 19.7.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, "PËR RISTRUKTURIMIN E INSTITUTEVE KËRKIMORE - SHKENCORE, NË VARËSI TË MINISTRISË SË BUJQËSISË, USHQIMIT DHE MBROJTJES SË KONSUMATORIT"
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 12, 13 e 14, të ligjit nr.7893, datë 22.12.1994, "Për shkencën dhe zhvillimin teknologjik", të ndryshuar, dhe të neneve 21, 27 e 29, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë", me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Në vendimin nr.515, datë 19.7.2006, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto shtesa:
1. Pas pikës 13/1 shtohen pikat 13/2 e 13/3, me këtë përmbajtje:
"13/2. Për arsye të karakterit sezonal të krijimit të të ardhurave në QTTB-të dhe në Stacionin e Duhanit, Cërrik, pagat e punonjësve me kontratë dhe shpenzimet operative, të domosdoshme për krijimin e të ardhurave të planifikuara, në gjashtëmujorin e parë të vitit, të përballohen nga buxheti i shtetit. Shuma e përdorur për këtë qëllim të rikthehet në buxhetin e shtetit, pas krijimit të të ardhurave, brenda vitit buxhetor.
13/3. Përjashtimisht për vitin 2007, gjendja e llogarive likuiduese të ish-instituteve kërkimore-shkencore të trajtohet si e ardhur jashtë limitit dhe të përdoret për shpenzime operative. Kjo shumë të rikthehet në buxhetin e shtetit pas krijimit të të ardhurave, brenda vitit buxhetor.".
2. Pas pikës 14 shtohet pika 14/1, me këtë përmbajtje:
"14/1. Të ardhurat e krijuara nga ish - Instituti i Kërkimeve Veterinare, Tiranë, (IKV) për periudhën 1995-2006, në shumën 96 000 000 (nëntëdhjetë e gjashtë milionë) lekë dhe të ngrira në llogari bankare, të investohen për përmirësimin e infrastrukturës laboratorike dhe për transferimin e Institutit të Kërkimeve të Ushqimit, Tiranë, (IKU) në mjediset e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Tiranë (ISUV).
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA