Pasditen e sotme, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Dhomës greko-shqiptare të Tregtisë dhe Industrisë, organizuar në Hotel Sheraton. Dhoma greko-shqiptare e Tr
Pasditen e sotme, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Dhomës greko-shqiptare të Tregtisë dhe Industrisë, organizuar në Hotel Sheraton.
Dhoma greko-shqiptare e Tregtisë dhe Industrisë ngrihet në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo strukturë synon përmirësimin e kushteve të veprimtarisë së biznesit dhe të bashkëpunimit mes sipërmarrësve shqiptarë dhe atyre grekë, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike reciproke të të dy shteteve, por edhe me vendet e tjera të Evropës, promovimin e zhvillimit ekonomik kombëtar edhe në rajonin e Ballkanit e më gjerë. Dhoma greko-shqiptare do të ndjekë dhe monitorojë legjislacionin shqiptar dhe atë grek dhe politikat e komunitetit evropian, për të ndikuar dhe lehtësuar edhe më tej konkurrencën e biznesmenëve grekë dhe atyre shqiptar.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Ministri i Zhvillimit të Greqisë, zoti Dhimitrios Sioufsa, Ambasadori i Greqisë në Shqipëri, zoti Konstantinos Kokosis, Presidenti i Dhomës greko-shqiptare, zoti Nickolas Karas, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, etj.
Kryeministri e vlerësoi krijimin e kësaj strukture si një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe kombeve tona. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha theksoi:
"Është privilegj i veçantë dhe kënaqësi e madhe për mua t'ju përshëndes ju, zoti Ministër i Zhvillimit, të përshëndes ju, të nderuar afaristë, anëtarë të kësaj Dhome, ambasadorë të vërtetë të ekonomisë së tregut, të marrëdhënieve më të rëndësishme, më njerëzore, të marrëdhënieve të cilat më shumë se gjithçka tjetër, formësojnë të ardhmen e shkëlqyer të dy kombeve tona.
Themelimi i këtij institucioni të rëndësishëm vjen si rezultat i një përpjekje të suksesshme shumëvjeçare të biznesit grek, të mbështetjes së madhe të qeverisë greke për të investuar në Shqipëri, përpjekje kjo që kurorëzohet me vendin e parë të investimeve të huaja greke në vendin tonë, në një total prej rreth 450 milionë euro, si dhe me vendin e dytë në shkëmbime tregtare midis dy vendeve. Por më pozitive, më impresionuese, është fakti se në dy vitet që vijnë parashikohet që biznesi grek të investojë në Shqipëri më shumë se 50 vitet e shkuara të marra së bashku. Kjo përbën realisht një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe kombeve tona.
Shqiptarët dhe grekët janë ortakë që mirëkuptojnë shumë shpejt njëri-tjetrin, janë ortakë të cilët bashkëpunojnë shumë mirë njëri me tjetrin. Fakti që biznesi grek, gjatë këtyre viteve, ka arritur suksese në të gjitha fushat, - ai shtrihet nga bankat, kompanitë e sigurimit, tek minierat, turizmi, bujqësia, transporti, telekomunikacioni, - bazuar tërësisht në një bashkëpunim të ngushtë besimi, pune, me punëtorët, specialistët, ekspertët shqiptare, është dëshmi e kësaj afrie që ekziston në ortakëri midis qytetarëve të të dy vendeve tona.
Dua t'ju garantoj se Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje për të krijuar klimën më miqësore ndaj investimeve tuaja, mjedisin më të favorshëm për projektet tuaja. Në një hark të shkurtër kohor, vendi ka bërë një revolucion të vërtetë fiskal. Vitin e kaluar Shqipëria u rendit në vendin e parë për uljen e taksave si përqindje. Por këtë vit, Shqipëria, deri në 1 janar të vitit 2008 do të instalojë taksën e sheshtë në një prej niveleve më të ulëta në Evropë, 10 përqind, duke dalë kështu në krye të të gjitha vendeve për barrën fiskale më të ulët ndaj biznesit.
Qeveria po bën përpjekje të mëdha për të thjeshtuar të gjithë procedurën burokratike, të mundimshme për çdo qytetar, por veçanërisht për biznesmenin, për të cilin koha është vlera më e çmuar. Ne po përpiqemi të thjeshtojmë të gjitha procedurat, do të instalojmë së shpejti "One Stop Shop", po thjeshtohen me shpejtësi procedurat për liçensat, për lejet. Partneriteti publik privat, ku ne sot inauguruam veprën e tij të parë të mrekullueshme, terminalin e aeroportit "Nënë Tereza", do të fuqizohet me shpejtësi në muajt dhe vitet që vijnë.
Ndaj dhe unë, ju ftoj, të nderuar biznesmenë, të zgjeroni projektet tuaja, ftoj kolegët tuaj, të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Pothuajse çdo ditë unë pres në takime biznesmenë grekë dhe biznesmenë të huaj. Unë ju siguroj se do të bëjmë çdo përpjekje, së bashku me agjencitë e qeverisë, t'ju mbështesim ju në realizimin e projekteve, sa më shpejtë dhe sa më mirë.
Edhe një herë, ju uroj suksese, ju falënderoj me mirënjohje për investimet e deritanishme dhe shpreh bindjen se, - duke përsëritur veten në atë çka deklarova në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Athinë – nga 400 milionë euro që janë tani, do të jetë jo e largët dita kur investimet greke në Shqipëri do të bëhen 4 miliardë. Faleminderit"