Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha uroi një fillim të mbarë të legjislaturës së re parlamentare, si dhe e konsideroi këtë vit, si vit t
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha uroi një fillim të mbarë të legjislaturës së re parlamentare, si dhe e konsideroi këtë vit, si vit të realizimit të reformave të thella në çdo fushë, si dhe e projekteve të mëdha në infrastrukturë dhe energjitikë.
Kryeministri bëri të ditur disa nga fushat prioritare, ku do të fokusohen reformat si: vazhdimi me tolerancë zero i luftës kundër korrupsionit, rritja dhe forcimi i transparencës në prokurimet publike, privatizimi dhe lehtësimi i procedurave të shërbimit, lufta kundër krimit të organizuar, reforma e thellë në sistemin e drejtësisë, realizimi i reformës së pronësisë, lufta kundër informalitetit në ekonomi, përfundimi i «skemës së kafshatës», realizimi i projektit « Shqipëria në moshën e internetit », reforma për rregjistrimin e qytetarëve dhe pajisja e tyre me kartë identiteti, realizimi i projekteve të mëdha në infrastrukturën rrugore, në fushën energjitike, ku përparësi do të kenë investimet në termocentrale për rritjen e prodhimit të energjisë në vend, etj..
Gjithashtu, në këtë mbledhje, Kryeministri shprehu qëllimin absolut dhe vullnetin e plotë të qeverisë dhe koalicionit të mazhorancës për realizimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Në fjalën e tij, Kryeministri bëri këto komente:
«Duke përshëndetur përzemërsisht, dëshiroj t'ju uroj nga zemra fillimin e mbarë të kësaj legjislature dhe të këtij viti dhe t'ju informoj se qeveria, bashkë me ju, do ta shndërrojë këtë vit në vitin e mbarësisë së madhe për të gjithë shqiptarët. Këtë, natyrisht qeveria do ta realizojë nëpërmjet reformave të mëdha dhe të thella, reforma të cilat në çdo hap, në çdo përpjekje, kanë në epiqendër qytetarin shqiptar, hallet dhe problemet e tij.
Reformat në luftën kundër korrupsionit do të vazhdojnë me vendosmërinë më të madhe. Dua të deklaroj këtu se, në axhendën time, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, pika e parë është antikorrupsioni. Janë përgatitur dhe do të ndërmerren hapa jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Në fushën e prokurimeve publike, do të kalohet në prokurimin elektronik. Shumë shpejt, Agjencia e Prokurimeve do të vendosë në faqen e internetit të gjitha dokumentat e të gjitha prokurimeve publike që bëhen në vend. Me ndihmën e USAID-it dhe në projekt me të, do të fillojë, së shpejti, në disa ministri, projekti pilot për prokurim të plotë elektronik, çka do të thotë se, jo vetëm Agjencia do të publikojë në internet të gjithë dokumentacionin, por edhe kërkuesit, edhe biznesmenët, do të jenë të detyruar që të paraqesin elektronikisht të gjithë dokumentacionin e tyre pranë Enteve të prokurimit. Kjo procedurë ka sjellë reduktim të madh të korrupsionit në tenderat ku është aplikuar. Por nuk është vetëm kjo. Lufta kundër këtij kanceri do të vazhdojë me të gjitha mjetet me efiçencë.
Privatizimi i shërbimeve është një nga pikat më efiçente të luftës kundër korrupsionit. Ministritë e shërbimeve janë këtu për të përmbushur, brenda një kohe të shkurtër, privatizimin e procedurave të shërbimeve, në mënyrë që ato t'u ofrohen qytetarëve me cilësinë më të lartë dhe jashtë çdo mundësie për korrupsion. Zhvlerësimi i tyre është gjithashtu një rrugë e luftës kundër korrupsionit. Pra, ne shpallim antikorrupsionin si përparësinë tonë absolute, pavarësisht nga ndikimi që ai mund të ketë.
Do të vazhdojë lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, të cilën organet e Ministrisë së Brendshme dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit po e zhvillojnë me vendosmëri, por jo pa pengesa. Protektori kryesor i krimit në Shqipëri mbetet Prokurori i Përgjithshëm, i cili do t'i nënshtrohet hetimit që meriton, për të gjitha bllokimet e dosjeve që bën, makinacionet që bën për të mbrojtur anëtarët e organizatave kriminale. Askush dhe asgjë nuk mund të stepë vullnetin dhe vendosmërinë tonë për ta çuar luftën kundër krimit të organizuar në zero tolerancë. Ndaj, do vazhdojë reforma e thellë e prokurorisë, hetimi i prokurorit të përgjithshëm në mënyrë të pavarur, rivendosja e barazisë para ligjit të të gjithë qytetarëve, sepse i vetmi njeri që del mbi ligjet është prokurori i përgjithshëm, është ai që nuk do që të hetohet. Por do ta hetojnë prokurorë të pavarur. Kështu që, edhe ai do të jetë pjesë e reformës.
Reforma e pronësisë është reformë themelore e rendit demokratik. Ministria e Drejtësisë, ministri, zv/kryeministri, kryeministri, do të marrin të gjitha masat që, bashkë me Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, kjo reformë të ecë me ritme më të shpejta. Qytetarët shqiptarë iu përgjigjën me entuziazëm të madh reformës për legalizime. Në 8 muaj janë mbi 400 mijë familje shqiptare që kanë dorëzuar dokumentacionin për legalizim. Janë mbi 270 mijë dosjet, nga këto rreth 12 mijë janë pallate dhe shtesa pallatesh, të cilat vetëm deri tani, llogariten në mbi 6 milionë metër katror sipërfaqe banimi. Dhe akoma nuk kanë përfunduar përllogaritjet. Pra, kjo shtyllë po ecën. Qeveria është e vendosur që, sikundër qytetarët iu përgjigjën me entuziazëm dhe përgjegjësi të lartë këtij procesi, t'i përgjigjet po me këtë shkallë përgjegjësie dhe shpejtësie të gjitha etapave, në mënyrë që qytetarët, këto familje, të marrin sa më shpejtë tapitë e tyre që meritojnë.
Reforma e pronësisë ka një shtyllë tjetër, pa të cilën nuk mund të qëndrojë; kthimi dhe kompensimi i plotë i pronarëve për pronat e tyre. Janë ndërmarrë një seri aktesh, strukturimesh, veprimesh. Ministria e Drejtësisë do të bëjë çdo përpjekje për të përshpejtuar dhe për të rritur transparencën në këtë proces. Qeveria do të angazhojë të gjitha fondet e nevojshme, në mënyrë që ky proces të ecë me shpejtësinë e duhur, në mënyrë që këta qytetarë shqiptarë, të privuar nga e drejta e tyre në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, ta gëzojnë atë sa më shpejt.
Reformat do të shtrihen në të gjitha fushat. Por një drejtim themelor është lufta kundër informalitetit në ekonomi, këtij kanceri të lirisë së tregut, i cili godet me pafytyrësi konkurencën e ndershme dhe të lirë. Ne ngritëm Task-Force-n antikorrupsion, e cila do të ketë tematikë qendrore luftën kundër informalitetit. Informaliteti është forma më e përhapur e korrupsionit, ndaj edhe ne do të qëndrojmë në këtë linjë në mënyrën më vendimtare.
"Skema e kafshatës" ka bërë hapa të rëndësishëm, por nuk ka përfunduar. Ne krijuam një lehtësi për rreth 400 mijë pensionistë, ku në qytet pensionistët nuk marrin nën 100 mijë lekë dhe në fshat nuk marrin nën 50 mijë lekë. Por, sërish janë edhe një kontigjent tjetër i qytetarëve shqiptarë në nevojë. Skema e kafshatës kërkon të shqyrtohen të gjitha ligjet dhe vendimet, të cilat janë votuar në këto parlamente në kohën e trazirave të mëdha, në kohën e mjerimit. Shqipëria nuk mund të jetë kaq e padrejtë ndaj kësaj shtrese. Do të bëhet shpërndarje e barabartë. Kështu, është bërë një punë e madhe me Bankën Botërore dhe një nga objektivat kryesorë më të afërt me këtë institucion është pikërisht reforma e ndihmës ekonomike dhe skema e kafshatës.
Reforma do të përfshijë të gjithë sistemin e rregjistrimit të qytetarëve, si regjistrimin e popullatës, ashtu edhe pajisjen e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti të standardeve më të larta. Ky është një detyrim dhe një projekt prioritar për qeverinë, e cila do ta përmbushë atë.
"Shqipëria në moshën e internetit" është reforma tjetër e madhe, cila po ecën. Tenderi është shpallur, nga muaji shkurt shpallet dhe fituesi.Çdo abonent i Telekomit shqiptar do të ketë mundësinë për të marrë internet me bandë të gjerë. Ky është hapi i parë i madh. Hapi i dytë i madh është të mund t'u sigurojmë qytetarëve shqiptarë lehtësi për kompjutera. Ushqimi për trurin është jetik për zhvillimin e shoqërisë.
Por, a do të jetë ky vetëm vit reformash? Jo! Do të jetë edhe vit i punëve të mëdha. Projektet në infrastrukturën rrugore që do nisin zbatimin e tyre, janë më të mëdha se në 500 vite të marra së bashku. Fillon tuneli, ndër më të gjatët në Ballkan. Rruga Durrës- Morinë është e kontratuar në të gjithë segmetët e saj. Së shpejti do të inagurohet segmenti Milot – Rrëshen, e kështu me radhë. Një tjetër projekt i madh është rruga Fier-Vlorë, me 4 korsi, autostradë, që fillon së shpejti. Tjetër projekt i madh është rruga Korçë- Qafë Plloç, që ne inaguruam fillimin dhe tani do të financohet në të gjitha segmentet e tjera. Rruga Korçë-Qafë Thanë i largohet bregut të liqenit, rruga ekzistuese do të mbetet rrugë turistike,jo më për të dëmtuar liqenit. Projekti tjetër i madh do të jetë rruga Shkodër-Hani i Hotit, e cila nis këtë vit. Përfundon gjithashtu fizibiliteti i boshtit qendror të jugut, përfundon së shpejti projekti i rrugës Kardhiq-Delvinë. Pra Shqipëria, e tëra, do të jetë në ndërtim.
Këtë vit, po kaq të mëdha do të jenë investimet në energjitikë. Termocentrali i Vlorës do të fillojë. Brenda muajit janar, Banka Botërore do të japë mendimin përfundimtar dhe projekti do të fillojë në 2 muajt që pasojnë. Ky termocentral ka një kapacitet prej 90-100 megavat. Punë intensive është bërë dhe po bëhet që të nisin punimet, jo vetëm për këtë termocentral, por të paktën edhe për 3 të tillë. Unë e kuptoj që, kur kam deklaruar se Shqipëria do të jetë vendi eksportues i energjisë, mund të ketë pasur edhe njerëz që janë irrituar, për shkak të mungesës dhe problemeve aktuale të energjisë. Unë kërkoj mirëkuptimin e tyre. Ata që e dinë se Shqipëria është tërësisht e varur nga uji, e kanë të qartë se ky vend duhet të bëjë investime të mëdha në termo-prodhim, të cilat, po për shkak të ujit, shumë shpejt mund të mbeten teprica dhe mund të kenë vlerë vetëm për eksport. Por, Shqipëria nuk mund të rrijë, në mënyrë kategorike, në varësi të thatësirës.
Thatësira e këtij viti është një mësim i madh jo vetëm vendin tonë, por edhe për rajonin. Ndaj edhe ne do të mobilizojmë të gjithë potencialin tonë për të rritur me shpejtësi prodhimin e energjisë nga nafta, prodhimin e energjisë nga gazi, nga qymyri, nga ujërat. Pra, ne duhet ta shpallim këtë çështje përparësi absolute. Në rast se ne duam që qytetarët shqiptarë dhe Shqipëria të mos pësojë krizë energjitike, ka vetëm një rrugë; të parashikojmë eksport energjie. Kam kënaqësi t'ju informoj se do të nisin këtë vit projekte, të cilat do të kenë kapacitete prodhimi, të marra së bashku, 3 apo 4 herë më shumë se termocentrali i Vlorës. Do të jenë në Fier, në Porto Romano, do të jetë në qytete të tjera. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që çdo qytet të ketë prodhimin e tij termik të energjisë.
Ne e shembëm konceptin e botës së vjetër për energjinë. Vajatorët e errësirës e përdorën ujin e digave të liqeneve tona, dhuratën e Zotit, për të ndëshkuar qytetarët shqiptarë. Kjo merr fund. Qeveria angazhohet dhe do të realizojë një strategji të re, një politikë të re, e cila vë në epiqendër qytetarin dhe furnizimin e tij 24 orë me energji elektrike.
Investime të mëdha do të bëhen në portet e vendit, në ujësjellësa, kanalizime, në turizëm dhe të gjitha fushat e tjera. Qeveria dhe të gjithë së bashku, do të bëjmë çdo përpjekje që ky vit të jetë vit i mbarësisë së merituar për qytetarët shqiptarë.
Jemi në fushatë elektorale, kemi një qëllim absolut, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Koalicioni ynë është koalicioni i fitores. E pamë që kundërshtari politik, gjysmën e kohës së tij ia kushtoi koalicionit kaps, me të pavarur, dhe gjysmën e kohës tjetër kryetarit "de facto" të PS-së. Por, ky koalicion, lufta brenda llojit, siç e citoi vet kryetari "de juro" i PS-së janë çështje të tyre të brendshme. Ajo për të cilën ne zotohemi, është një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm. Këtu, ju ftoj ju, ta përcillni këtë si vullnetin më të hekurt tuajin, timin, të të gjithë koalicionit më të gjerë që ka njohur vendi"