E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha, duke iu përgjigjur interesimit të medias, bëri komentet e mëposhtme: Pyetje: Zoti Berisha, Shqipëria ka marrë një kritikë shumë të fortë nga Zoti

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha, duke iu përgjigjur interesimit të medias, bëri komentet e mëposhtme:

Pyetje: Zoti Berisha, Shqipëria ka marrë një kritikë shumë të fortë nga Zoti Solana. A ndiheni ju përgjegjës për këtë?

Kryeministri: Deklarata e Zotit Solana ishte një deklaratë shumë e ndershme dhe e sinqertë. Në një intervistë të dy ditëve më parë theksova se kurrë ndonjëherë nuk jam ndjerë më i turpëruar nga zhvillimet në Shqipëri, kur një eksponent, ndër më kryesorët e politikës shqiptare, mbajti peng për 40 ditë procesin zgjedhor vetëm e vetëm se ishte i tmerruar nga frika, nga obsesioni për disfatën e tij personale. Kjo krizë, që u zhvillua në dritën e diellit para qytetarëve shqiptarë dhe komuniteti ndërkombëtar, kishte si shkak përpjekjet me çdo kusht të rrënimit të procesit zgjedhor të shqiptarëve dhe ndarjen e pushtetit me tavolinë, forma më e papranueshme. Ajo që ndodhi ishte e turpshme, e papërgjegjshme dhe e pakonceptueshme për të gjithë ata që besojnë tek vota e lirë, si mekanizmi themelor i lirisë së një shoqërie. Ndaj dhe unë mendoj se Zoti Solana në deklaratën e tij është shumë i sinqertë, i ndershëm, duke shprehur atë që do të shprehte çdo qytetar normal shqiptar.

Pyetje: A mund të rikuperojë?

Kryeministri: Pa diskutim, vendi mund dhe do të rikuperojë. Demokracia shqiptare nuk është një demokraci që mund të mbahet peng. Demokracia shqiptare dhe Shqipëria nuk mund të merren peng. Atyre, që menduan se mund ti merrnin peng nëpërmjet certifikatave, të cilat i shpallën si mina, nuk u mbeti gjë tjetër veçse të thonin se votat janë plumba. Megjithatë na mbeti një gjë shumë e shëmtuar për të cilën ne do të punojmë me përkushtim për ta përmirësuar.

Pyetje: Zoti Berisha, përsa i përket ndarjes së pushtetit edhe brenda mazhorancës duket se ka pakënaqësi. Zoti Ndoka ka paralajmëruar, për shkak të pakënaqësive të ndarjes të zonave, një dalje i vetëm në zgjedhje.

Kryeministri: Partia Demokratike ka bërë dhe po bën përpjekjet më serioze për tu paraqitur në këto zgjedhje me koalicionin më të gjerë në historinë e Shqipërisë. Një kolaicion prej 10 partish, i cili nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Natyrisht ndërtimi i një koalicioni me 10 parti nuk mund të zhvillohet me "deus ex machina", por ai kërkon negociata dhe vullnet për negociata dhe të gjitha këto ekzistojnë. Unë personalisht jam optimist në finalizimin e koalicionit më të gjerë që vendi ka njohur në tërë ekzistencën e pluralizmit në Shqipëri.

Pyetje: Pra, ju jeni gati të lëshoni në këtë pikë?

Kryeministri: Dialogu dhe negociatat po vazhdojnë. Unë besoj se në të gjitha palët ekziston vullneti për zgjidhjen më të mirë të mundshme, sepse më e mira është eterike. E mira e mundshme është ajo që duhet të kërkojmë.

Pyetje: A do të ketë marrëveshje me PBDNJ-në?

Kryeministri: Partia Demokratike do të ketë bashkëpunim dhe marrëveshje me PBDNJ-në, por kjo parti për shkak të projektimit të saj qendror, se të drejtat e njeriut janë qendrore gjithmonë, në zona të caktuara e ka dhe mirëkuptimin tonë që të zgjedhë aleanca që i sigurojnë fitoren. Ne jemi të hapur, gjithashtu, në raste të caktuara dhe në zona të caktuara ti japim mbështetjen fitores së PBDNJ, sikundër kjo parti është shprehur e gatshme ta bëjë këtë për PD dhe koalicionin.

Pyetje: Zoti Berisha, kur do të përfshiheni në fushatën e kandidatit Olldashi drejtëpërsëdrejti?

Kryeministri: Do të përfshihem sapo fushata të nisë zyrtarisht, por ajo çka mund të them është se kam ndjekur me admirim të madh fushatën e Zotit Olldashi, një fushatë, e cila jo vetëm ka bërë Shën Thomain duke vënë dorën në plagë, por ka paraqitur para qytetarëve edhe zgjidhjet. Kështu që gjithnjë e më shumë po krijohet përshtypja se ish kryetari i bashkisë mund të zgjedhë Pezën për profesion të lirë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›