E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha komentoi vendimin e Ministrit të Brendshëm Olldashi për të dhënë dorëheqjen nga detyra me qëllim kandidimin e tij për postin e Kryeta

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha komentoi vendimin e Ministrit të Brendshëm Olldashi për të dhënë dorëheqjen nga detyra me qëllim kandidimin e tij për postin e Kryetarit të Bashkisë për qytetin e Tiranës.

Duke vlerësuar kontributin e Zotit Olldashi në drejtimin e Ministrisë së Brendshme për rreth 1 vit e gjysëm, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Ministri i Brendshëm Sokol Olldashi njoftoi dje ekipin e Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrin se, për shkak të kandidimit të tij për kryetar bashkie i kryeqytetit, ka vendosur, jashtë detyrimit ligjor, të japë dorëheqjen nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, në mënyrë që tu përkushtohet tërësisht problemeve, si dhe zbërthimit të programit e tij para qytetarëve të Tiranës.

Në këto rrethana, Kushtetuta parashikon që Zoti Olldashi mbetet ministër deri në emërimin e pasardhësit të tij, por unë mendoj, në respekt të plotë të vendimit që Zoti Olldashi ka marrë, të pranoj dorëheqjen e tij dhe të përzgjedhim një nga zëvendësministrat për të përmbushur detyrën e Zotit Olldashi deri në momentin e afërt të zëvendësimit të tij.

Unë gjykoj se është në detyrimin tonë moral të pranojmë kërkesën e tij dhe të zbatohet plotësisht vendimi që ai mori. Me këtë rast unë dua të shpreh kënaqësinë time se një nga personalitetet më të suksesshme të këtij kabineti, njeriu i cili me përkushtim, kurajë, gjakftohtësi, me qëndrimin e tij ndaj ligjit, udhëhoqi Ministrinë e Brendshme me një zotësi dhe seriozitet të madh. Prej rreth një viti e gjysmë në drejtim të këtij institucioni të krijuar rishtas, por jashtëzakonisht të rëndësishëm, me vullnetin e tij të hekurt politik për të zbatuar platformën e qeverisë me tolerancë zero ndaj krimit, Zoti Olldashi fitoi besimin dhe respektin e liderit të të gjitha forcave të policisë, të qeverisjes vendore dhe përmbushi me sukses të madh detyrën e tij.

Në rast se ka patur arritje përcaktuese për Shqipërinë si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, mesazhi që u dërgua nga Samiti i Rigës, ku Shqipëria shpallet si një nga vendet e mundshme për të marrë ftesën, apo liberalizimi i vizave për shqiptarët, dua të theksoj se në krye qëndron Zoti Olldashi, në përmbushje të misionit të tij në Ministrinë e brendshme, në zbatimin me guxim dhe efiçence të madhe të tolerancës zero ndaj bandave, krimit, trafiqeve, duke e shndërruar Shqipërinë në një nga vendet më të sigurta, duke shënuar vitin që kaloi si vitin rekord për numrin më të ulët të krimeve të rënda, vit në të cilin janë hedhur bazat për një rend të konsoliduar dhe të sigurte në Shqipëri.

Zoti Olldashi do të kandidojë për bashkinë e Tiranës. Me pasion, dashuri dhe përkushtim të madh për qytetin dhe qytetarët, do të zëvendësojë moton "vjedhim dhe punojmë" me moton e duarve të pastra. Në mision e tij Zoti Olldashi do tu rikthejë qytetarëve, qytetin e munguar, të cilin ish kryetari e shndërroi në një lavatrice të klaneve të krimit me të cilin ishte i lidhur pazgjidhshmërisht, si klani gina dhe klane të tjera. Por fjalën tani e kanë qytetarët e Tiranës. Prandaj unë edhe njëherë dua ti uroj Zotit Olldashi suksese në detyrën e re dhe dua ti siguroj se qeveria do të mbështesë fuqishëm me përparësinë më madhore projektet e mëdha të Zotit Olldashi për qytetin e të gjithë shqiptarëve, për kryeqytetin e vendit.

Janë gati dhe ne do të bëjmë realitet të gjitha projektet për një arsim tjetër për Tiranën. Një klasë e ndërtuar nga ish kryetari kushton dy herë më shumë se apartamenti më luksoz në Tiranë. Duart e pastra do të mundësojnë që me të njëjtën sasi parash të ndërtohet dyfish. Gjithashtu sasia e investimit do të shtohet. Fëmijët e Tiranës do të shkollohen në shkolla moderne njësoj si moshatarët e tyre në metropolet evropiane.

Me përparësi absolute qeveria do të mbështesë planin e përgjithshëm rregullues që ish kryetari e mbajti peng për të ndërtuar piramidën e lejeve të ndërtimit. Tani lejet e ndërtimit do të shndërrohen në një të drejtë të pacenueshme për ndërtuesit të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, në përputhje me planin e përgjithshëm rregullues të qytetit.

Me projekte të tjera të mëdha, qytetarët e Tiranës do ti njohë Zoti Olldashi, por unë dua ti siguroj ata se qeveria do të mbështesë plotësisht shndërrimin e tyre në realitet."

* * *

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri veçoi gjithashtu si të një rëndësie të posaçme vendimin e qeverisë për hidrocentralet e vogla, me anë të të cilit mundësohet tenderimi transparent dhe nënshkrimi i kontratave me të gjithë investitorët dhe sipërmarrësit që duan të investojnë në këto hidrocentrale.

"Dua të veçoj vendimin e qeverisë për hidrocentralet e vogla. Janë me dhjetra, në mos qindra burimet në të cilat mund të ndërtohen hidrocentralet e vogla. Pasi kaloi ligji për koncesionet, me këtë vendim mundësojmë tenderimin transparent dhe nënshkrimin e kontratave me të gjithë investitorët dhe sipërmarrësit që duan të investojnë në hidrocentrale. Të voglat kanë këtë specifikë, të mëdhatë do të ndjekin ligjin e koncesioneve të partneritetit publik privat. Do të ketë disa thjeshtime në procedura në përputhje me ligjin në ato që janë ndër 10 mega vat."

Kryeministri theksoi se inkurajimi i ndërtimit të tyre është shumë i rëndësishëm, sikundër ai informoi qytetarët shqiptarë se çdo ditë qeveria po merret me projekte dhe oferta, të cilat do të bëjnë të mundur që kapaciteti i prodhimit termik të energjisë të katërfishohet ose më shumë në këto dy vite.

"Krahas projektit gjigant, i cili, natyrisht, kërkon dhe kohën e vet të një termocentrali prej 1200 megavat, janë në shqyrtim dhe në aprovim, përveç projektit të Vlorës, zbatimi i të cilit fillon gjatë muajve të parë të vitit, dhe disa projekte të tjera termocentralesh.

Kjo qeveri shpall sot, këtu, një objektiv, Shqipëria vend eksportues i energjisë elektrike. Ky do të jetë objektivi ynë absolut. Kjo është rruga e vetme për ti dhënën përgjigjen përfundimtare problemit të energjisë, për të shfrytëzuar potencialet e mëdha të prodhimit të saj në Shqipëri.

Ne nisim këtë strategji të bindur se do ta realizojmë shumë më shpejt nga çmund të parashikohet. Në këtë strategji ne parashikojmë shfrytëzimin e të gjitha burimeve të mundshme ujore, diversifikimin maksimal të prodhimit të energjisë. Pra shumë shpejt në një hark kohor prej dy, tre vitesh, Shqipëria do të prodhojë jo më pak se 400 mega vat energji elektrike nga termocentralet. Një seri kompanish kanë përzgjedhur vendet malore apo kodrinore jo të pakta në Shqipëri për energjinë e erës. Duhet të ecim me energjinë diellore, duhet të ecim me bioenergjinë. Shqipëria vend eksportues i energjisë duhet të jetë objektivi më kryesor i qeverisë shqiptare, sot dhe në vitet që do të vijnë."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›