E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të urës së Kamzës, një vepër e rëndësishme infrastrukturore që lehtëson dhe përmirëson qarkullimin e mjeteve në

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të urës së Kamzës, një vepër e rëndësishme infrastrukturore që lehtëson dhe përmirëson qarkullimin e mjeteve në hyrje të Tiranës nga pjesa veriore e vendit. Vepra është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 2.4 milion dollarë.

Duke përgëzuar ndërtuesit, projektuesit dhe punëtorët e kësaj vepre, Kryeministri theksoi rëndësinë e saj, e cila i jep zgjidhjen më të mirë një prej bllokimeve më të vështira të transportit në vend. "Përgëzoj përzemërsisht ndërtuesit, të cilët e ndërtuan këtë vepër në një kohë rekord për t'iu përgjigjur nevojave të vendit, duke konstatuar se bllokimi ishte shumë i madh dhe krahu tjetër ishte krejtësisht i pakalueshëm."

Kryeministri bëri të ditur se ky investim do të shoqërohet edhe me investime të tjera, si mbikalimi tek kthesa e Kamzës, për të cilin janë siguruar fondet dhe së shpejti hapet tenderi prej 9 milion, si dhe investime të tjera deri tek kthesa e Zall Herrit e më tej. "Këto investime do të bëjnë që hyrja nga veriu, dublimi i autostradës të marrë përmasat e një transporti modern. Me këto ndërtime. Tirana bëhet një qytet lehtësisht i arritshëm nga të gjitha anët e vendit. Sikundër Zogu i Zi, i cili u shndërrua nga bunkerizimi në sheshin Rilindja, ka dhënë lirshmëri të madhe," theksoi Kryeministri.

Duke theksuar vendosmërinë e qeverisë për të investuar në infrastrukturë, Kryeministri vlerësoi se viti i sapombyllur përbën një arritje porsa i përket investimeve publike, të cilat kanë njohur realizimin më të lartë. "Viti që u mbyll, - u shpreh Kryeministri, - është viti në të cilin investimet publike të vendit kanë realizimin më të lartë në tërë historinë, është viti i parë ku nuk digjet asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, gjithashtu, është viti i parë që financimet e brendshme i kalojnë mbi 90 për qind realizimet. Kjo përbën një arritje shumë të madhe për vendin, pasi paratë e përcaktuara shkuan në destinacionin e tyre."

Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm edhe Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha, Prefekti i Qarkut të Tiranës, drejtues të njësisë së qeverisjes vendore etj..

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›