E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne mbremje finalja e Liges se Europes. Perballja Porto-Braga

 Dublini është sot kryeqyteti i futbollit evropian, pasi Porto dhe Braga do diskutojnë mes tyre finalen e Ligës së Evropës. Të gjithë prozhektorët janë drejtuar në përballjen mes dy skuadrave portugeze, që kërkojnë trofeun e dytë për nga rëndësia në futbollin e kontinentin e vjetër. 
Pas titullit kampion në Portugali, Porto ka si objektiv finalzimin e sezonit me një trofe ndërkombëtar. Skuadra e drejtuar nga Andres Villas Boas është favorite pas një dominimi total në kampionatin vendas të cilin e mbylli përpara kohe. 

“Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Statistikat në këtë rast nuk kanë asnjën rëndësi, pasi të dyja skuadrat kanë arritur në një pikë që kërkojnë të fitojnë trofeun. Gjithsesi ne jemi optimistë dhe shpresojmë të përsërisim atë që kemi bërë deri tani”, ka thënë Villas Boas. 

Trajneri portugez shihet si pasardhësi i Jose Mourinhos ndërsa që tani kërkohet nga disa skuadra të mëdha përfshirë dhe Juventus. 

Porto është skuadra e fundit portugeze që ka fituar një trofe europian pas triumfit në Ligën e Kampioneve në vitin 2004, ndërkohë që Braga kërkon triumfin e parë ndërkombëtar. Skuadra e drejtuar nga Domingos Pacienza e mbylli kampionatin në vendin e tretë, por finalja e Dublinit shihet si një revansh ndaj dominimit të Portos. 

"Askush nuk e priste suksesin tonë, porn e arritëm në finale dhe do të shfrytëzojmë të gjitha shanset tona për tëfituar trofeun”, ka përfunduar Pazienza, i cili me arritjen e finales në Ligën e Evropës ka regjistruar një sukses historic për skuadrën e Bragas. 
Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›