Ferati beson në titull

Kanë mbetur edhe dy xhiro pa përfunduar kampionati zviceran, por Baseli duket se do ta mbrojë titullin e kampionit. Kjo falë humbjes së kryesuesit të deritashëm, Zurich fundjavën që shkoi nga Grasshopper.
Mbrojtësi Beg Ferati beson se Basel mund t’i gëzohet në fund titullit, e më pas të largohet nga ky klub me kokën lart. “Ne jemi mentalisht më të fortë se Zurich. Edhe njëherë e vërtetuam se mund të fitojmë kampionatin kur ka presion të madh”, tha mbrojtësi kosovar për uebfaqen 20min.ch.
24 vjeçari e festoi titullin e kampionit të Zvicrës me Baselin në vitin 2008 e 2010. Ai tash e synon edhe të tretin, para se t’i bashkohet klubit gjerman Freiburg gjatë verës, me të cilin kishte arritur marrëveshje trevjeçare në janar.
“Edhe pse kemi skuadër të re, kemi mjaft lojtarë që posedojnë eksperiencë. Unë dëshiroj të përshëndetem me titull. Pastaj mund të largohem me kokën lart”, vazhdoi ai.
Ferati nuk ka luajtur gjatë tërë kohës këtë sezon. Ai luajti të dielën në fitoren 5:1 ndaj Thunit, në vend të të diskualifikuarit David Abraham. “E kam demonstruar shumë herë se nuk kam nevojë për stërvitje, por për lojë. E shoh veten mirë në mbrojtje përkrah Aleksandar Dragovic. Jemi skuadër e fortë”, përfundoi Ferati.
Baseli ka grumbulluar 69 pikë, tri më shumë se Zurich (66). Edhe nëse humb në njërën nga dy ndeshjet e fundit, ekipi kuq e kaltër, ku luajnë edhe futbollistët tjerë shqiptarë Xherdan Shaqiri e vëllezërit Granit e Taulant Xhaka, shpallet kampion i Zvicrës.