E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në merkato "fitojnë" Besa e Dinamo

TIRANE-Të dielën në orën 24 është mbyllur merkato e janarit në Shqipëri dhe çuditërisht, dy skuadrat që kryesojnë tabelën e renditjes në Superligë janë ato që kanë fituar edhe këtë "garë". Dinamo e Besa janë dy ekipet që kanë bërë goditjet më të bujshme në këtë periudhë transferimesh, megjithëse ishin ekipet e tjerë ata që ndoshta do ta kishin më të nevojshme të përforcoheshin. Blutë morën nga Argjentina ish-sulmuesin e Velezit Maksimiliano Timpanaro si edhe Emiljano Vilën, futbollisti më i mirë i Superligës sezonin e shkuar. Përforcime tepër të rëndësishme për një skuadër që në fazën e parë ka superdominuar kampionatin shqiptar, duke arritur 13 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje. Largimi i vetëm nga blutë ishte ai i Sebino Plakut, që iu bashkua Tiranës, por që në këtë rast mund të quhet si një lëvizje e menduar mirë pasi ai merrte një rrogë afro 5 mijë euro në muaj dhe qëndronte në stol. Megjithatë, një blerje shumë e madhe e klubit dinamovit është mbajtja në ekip i Elis Bakajt, i kërkuar nga disa klube, kryesisht të Lindjes. Sa i përket Besës, marrja e Vioresin Sinanit dhe Bledi Shkëmbit ishin dy lëvizje tepër të goditura. Sinani është një bomber i padiskutueshëm i kampionatit dhe duke parë problemet e kavajasve përpara portës, vlera e tij bëhet dyfish më e madhe. Nga Besa është larguar vetëm Leci drejt Vllaznisë, por Shpëtim Duro e ka shumë të sigurt mbrojtjen edhe pa të. Vllaznia Klubi tjetër pretendent, Vllaznia, ka qenë ndër më aktivët në merkaton e dimrit, por kjo si në blerje, ashtu edhe në largime futbollistësh. Shkodranët kanë marrë nga Apolonia Sead Haxhibuliç, një prej sulmuesve më të mirë të huaj që kanë ardhur vitet e fundit në Shqipëri, por njëkohësisht kanë larguar idhullin e tifozerisë, Vioresin Sinanin. Një tjetër përforcim është marrja e Liridon Lecit nga Besa, e Amarildo Belishës nga Flamurtari, Xhimi Feniks nga Anglia apo edhe rikthimi i Elvis Krajës. Ndërkohë, nga shkodranët janë larguar Elvin Beqiri, Ardit Beqiri, Sinani, Hallaci, Rizvanolli apo Leandro. Apolonia Skuadra fierake ishte çudia e fazës së parë, duke pretenduar seriozisht për Kupat e Evropës. Por, në merkaton e janarit largimet kanë qenë vërtetë të tepruara dhe dy humbje në dy ndeshje e vërtetojnë më së miri këtë. Apolonia humbi kapitenin Sead Haxhibuliç që shkoi te Vllaznia, por edhe Semir Haxhibuliç e Edin Feruzoviç. Lajmi i mirë për tifozët e Apolonisë ishte qëndrimi i Mlladen Bërkiç, një prej sulmuesve më të mirë të kampionatit. Të ardhurit ndërkohë janë jo shumë të njohur, tre serbo-kroatët Milos Jedjeviç, Goran Miroviç, Andres Mudrea. Të tjerat Në klubet e tjera, ajo që bie në sy është përforcimi i Kastriotit me Iljon Likën në portë, megjithatë nga kjo skuadër u larguan 9 futbollistë të fazës së parë, mes të cilëve edhe emra si Klevis Roshi apo Arjon Mustafa. Ndërsa Gramozi i Ersekës mori Semir Haxhibuliç e Erjon Hotin nga Apolonia, përveç sulmuesit Marius Ngjela. Sa i përket Flamurtarit, të huajt e kësaj skuadre janë larguar të gjithë, ndërsa është afruar Migen Memelli e Elton Grami, përveç dy kroatëve Juri Kapuljiz e Mario Bilen, si edhe shqiptaro-maqedonasi Njazi Lena. Ndërkohë Shkumbini mundi të marrë në huazim nga Dinamo talentin Asion Daja, si edhe t'i shkëpusë Apolonisë Edin Feruzoviç. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›