E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ndihmë të Sali Berishës... Nga Mero Baze, "Faktori Plus"Beteja e Sali Berishës për të përçarë faktorin ndërkombëtar rreth cilësisë së zgjedhjeve në Shqipëri, në të vërtetë filloi para zgjedhjeve. Me një histori të keqe të marrëdhënieve të tij me O

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Në ndihmë të Sali Berishës... Nga Mero Baze, "Faktori Plus"

Beteja e Sali Berishës për të përçarë faktorin ndërkombëtar rreth cilësisë së zgjedhjeve në Shqipëri, në të vërtetë filloi para zgjedhjeve. Me një histori të keqe të marrëdhënieve të tij me ODIHR, Berisha bllokoi përkohësisht akreditimin e Misionit të Ambasadores Glover në Tiranë, në shenjë mospajtimi me emërimin e saj në krye të Misionit. Problemi u bë ndërkombëtar dhe Berishës iu desh të negocionte me forcë me diplomatët amerikanë dhe ata të BE, që të pranonte me kusht, misionin e zonjës Glover. Dhe kushti ishte fitorja reale e Berishës. Berisha i kërkoi Asamblesë së Përgjithshme të OSBE të caktonte një të dërguar të saj në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet paralelisht me zonjën Glover, ndërkohë që lobistët e tij kishin përgatitur emërimin në krye të këtij misioni politik, austriakun Grossruk, një deputet i dorës së dytë në politikën austriake, por një mik i hershëm personal i zotit Berisha dhe mbështetëis i tij i vetëm për zgjedhjet e 26 majit 1996 dhe qëndrimin e tij gjatë trazirave të vitit 1997. Emërimi i Grossruk në krye të këtij misioni politik, ishte fitorja më serioze e Berishës në betejën e tij me Perëndimin lidhur me vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo fitore do të vlente shumë pas 28 qershorit, kur kritikave ndërkombëtare për keqnumërim të votave dhe keqmenaxhim të procesit, do t’u kundërvihej opozicioni tërësisht pozitiv i zotit Grossruk.

Dje Berisha kishte rastin të përdorte për herë të dytë Grossruk. Asambleja e OSBE e mbledhur në Vjenë thirri të dy palët nga Tirana për t’u bërë thirrje për një hetim të shpejtë dhe të hollësishëm të zgjedhjeve dhe kthim të opozitës në Kuvend. Qëndrimi ishte i favorshëm për të dy palët. Edhe pse linja zyrtare e Asamblesë së OSBE ishte para zgjedhjeve tërësisht në favor të Berishës, pa asnjë kusht, duket qartë se gjashtë muaj më vonë, ajo po korrigjohet në funksion të qëndrimit ndërkombëtar dhe rezolutës së Këshillit të Evropës për zgjidhjen e krizës. Qëndrimi thuajse neutral dhe i baraspeshuar i Asamblesë së OSBE, tregon qartë se Berishën tashmë nuk e ndihmon dot as investimi i tij më i madh dhe më i guximshëm që bëri kundër qëndrimeve të Perëndimit para zgjedhjeve. Nuk ka rëndësi nëse në këtë operacion Berisha ka harxhuar para apo miqësi të tij. E rëndësishme është se tashmë i gjithë ky investim nuk vlen më. Edhe aleati i tij më i palëkundur në vlerësimin e zgjedhjeve, deputeti Grossruk, nuk mund ta ndihmojë dot atë tani plotësisht.

Qëndrimi neutral ndaj krizës i Asamblesë dhe sidomos deklaratat e lëshuara nga kreu i saj tregojnë qartë se Berishën tanimë nuk e ndihmon dot as misioni i zotit Grossruk, për të cilin bëri betejë me perëndimin para zgjedhjeve. Berisha ka pasur shpresë se do të përdorë si kartë presioni qëndrimet e rekomanduara prej tij, por siç shihet ato janë shumë larg pritshmërisë dhe nevojës që ka Berisha në këto moment, për të mbrojtur kutitë nga hetimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›