Nëpunësit, vjet 6.5 milionë lekë dëme
GJIROKASTER - Administrata publike në Qarkun e Gjirokastrës ka kryer një sërë shkeljesh gjatë vitit të shkuar. Janë gjithsej rreth 39 raste shkeljesh financiare të evidentuara nga kontrolli i Prefekturës. Burime zyrtare nga ky institucion bënë të ditur se shkeljet janë hasur në disa bashki dhe komuna, të konstatuara nga grupi i auditit. Sipas burimeve, nga shkeljet e vërejtura, shtatë persona janë gjetur përgjegjës të drejtpërdrejtë në abuzimet financiare të kryera në periudhën 12 mujore të vitit të kaluar. Për të gjithë këta persona, auditi i brendshëm i ka penalizuar me vendosje gjobash, shifra të cilat nuk janë bërë publike për gazetën. Sipas raportit, shkeljet konsistojnë në fushën e pagave dhe shpërblimeve, në evazionin fiskal, dieta e udhëtime, shpenzime operative, etj. Sipas prefektes së Qarkut të Gjirokastrës, Mimoza çomo, vitin e kaluar janë kryer 16 auditime të plota, prej të cilave 2 të realizuara në bashkëpunim me Drejtorinë e Auditimit në Ministrinë e Brendshme, ku në 39 rastet e shpërmendura, dëmi financiar kalonte shifrën e 6.5 milionë lekëve. Në bazë të përllogaritjeve të kryera, rezulton se shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik janë 30 raste me vlerë 2.252.199 lekë, ndërsa pjesa tjetër u takon atyre pa dëm ekonomik, gjithsej 9 raste. "Për shkeljet e konstatuara nga ana e Sektorit të Auditimit të Brendshëm është kërkuar masa administrative për 130 persona, ndërsa për 9 punonjës të administratës së njësive vendore është kërkuar masa administrative", është shprehur prefektja. Informacionet e mëtejshme bëjnë të ditur se të 16 komunat dhe bashkitë në Qarkun e Gjirokastrës të audituara gjatë vitit të kaluar, paraqesin pothuajse të njëjtin nivel të shkeljeve financiare, me apo pa dëm ekonomik. Ky fakt sipas audituesve lidhet me nivelin joprofesional të punonjësve të administratës së komunave dhe kjo gjë është më e theksuar në komunat malore. p.n