E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padi penale, masazhatorit të Gramozit



Ministri i Sporteve, Ferdinand Xhaferri ka ngritur padi penale ndaj masazhatorit të Gramozit, Altin Hodo. Ky i fundit goditi me grusht gjyqtarin anësor të ndeshjes Gramozi-Vllaznia, Denis Agaraj. “Ky njeri ka goditur barbarisht një gjyqtar futbolli, duke kryer një akt të pa tolerueshëm”, ka pohuar ministri. Ai ka kërkuar gjithashtu nga FSHF që të dënojë ashpër edhe personat publikë që bëhen pjesë e këtij fenomeni të shëmtuar. “Kam pasur një takim me presidentin e FSHF-së, të cilit i kam kërkuar dhënien e një përgjigje të fortë për këto akte barbare. Përsa i përket ndeshjes Flamurtari-Kastrioti, dua të them se federata ka Komisionin e Disiplinës, i cili do të ketë mbështetjen tonë maksimale për të dënuar të gjithë fajtorët, duke nisur nga arbitrat”, shtoi Xhaferri. Një tjetër shqetësim dhe që çdo javë gjeneron dhunë në stadiumet shqiptare, është futja në fushë e njerëzve me imunitet dhe politikanëve. “Më është shprehur shqetësimi për këtë nga presidenti i federatës dhe unë i kam kërkuar këtij institucioni që nëpërmjet Komisionit të Disiplinës, të dënojë me masa tepër të forta, duke i përjashtuar deri në 3 vjet këta zyrtarë që fshihen pas petkut të imunitetit”, deklaroi i revoltuar ministri Xhaferri. Ndërkohë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka deklaruar se institucioni që ai drejton do të përgatisë një draft–ligj për të forcuar dënimet ndaj akteve dhe aktorëve të dhunës në sport. “Ne po bëjmë një propozim me një draft-ligj për të eliminuar aktet e dhunës nga njerëz që tentojnë të hyjnë në fushat e futbollit. Rasti konkret do ketë një dënim maksimal nga organet e FSHF-së”, theksoi Duka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›