E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet “Pavijoni i Gjenocidit” në Muzeun Kombëtar



alma mile

Përpara sezonit turistik, duhet të jetë gati. Pavijoni i munguar i Gjenocidit, rikthehet në Muzeun Historik Kombëtar. Të joshur nga ky vend postkomunist, ku diktatura ra e fundit ndër të gjitha vendet e Evropës Lindore, turistët drejtoheshin drejt godinës hijerëndë me mozaik në ballë, në qendër të kryeqytetit. Pak rëndësi kishin për ta pavijonet e arkeologjisë, epokat e gurit e të hekurit. I binin kryq e tërthor godinës për të gjetur pavijonin e diktaturës, por më kot. Veç strukturës së godinës, por edhe mënyrës së vjetruar të konceptimit të pavijoneve, asnjë gjurmë nga ajo periudhë e gjatë, që la një gjurmë të thellë në jetën e çdo shqiptari. Siç ndodh rëndom nëpër institucionet shqiptare, çdo drejtor sjell me vete ide të reja, ani pse në shumicën e herëve ato nuk realizohen kurrë. Mjaft të kujtojmë idenë e ish-drejtorit Beqir Meta për të hequr mozaikun, apo për të ribërë nga e para gjithë muzeun, apo për pavijonin e etnografisë... Ndërsa ideja e drejtorit paraardhës, Kasëm Biçoku, ishte heqja e pavijonit të Gjenocidit, apo diktaturës dhe ndërtimi i një muzeu të posaçëm mbi këtë temë, në një nga burgjet famëkeqe të Spaçit, apo Burrelit. Jo vetëm që këto ide nuk u vunë në jetë, por edhe ato pak dëshmi që ndodheshin në muze, nuk ofroheshin më. Por mësojmë se ky pavijon do të ngrihet sërish në Muzeun Historik Kombëtar. Hapja e këtij pavijoni ishte jo vetëm në projektet e drejtorit të ri, Luan Malltezi, i cili thotë se gjatë periudhës 100-ditore që ai ka në këtë pozicion, është marrë shumë me këtë projekt, por edhe caktimi i datës 20 shkurt, si dita kushtuar viktimave të diktaturës, e bën më të domosdoshëm praninë e këtij pavijoni. Ai e konsideron të mbyllur këtë projekt, mbetet vetëm aprovimi i një fondi për ngritjen e tij. Projekti është gati, madje është ngritur edhe grupi i punës, i përbërë nga specialistë të Muzeut Historik Kombëtar dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Madje, për të ofruar një panoramë sa më të përgjithshme të kësaj periudhe, specialistët e MHK-së janë këshilluar edhe me përfaqësues të Shoqatës së të përndjekurve politikë. Pavijoni, i cili mësohet se do të shtrihet në një hapësirë prej 500 metrash katrorë, është menduar të pasqyrojë disa nga ngjarjet më kulmore gjatë periudhës së diktaturës. Sipas Malltezit, bëhet fjalë për ngjarje të tilla si gjyqi i famshëm i deputetëve, përndjekja dhe gjyqi ndaj klerikëve, eliminimi i kundërshtarëve politikë, nga ana e komunistëve, qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore, si në rastin e Ballit Kombëtar, apo Legalitetit, apo edhe fenomeni i luftës së klasave në përgjithësi. Këto ngjarje do të ofrohen përmes një materiali të pasur dokumentar dhe fotografik, i cili ofrohet nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Arkivi Qendror i Shtetit, apo Arkivi Shtetëror i Filmit. Viktima të diktaturës pas bankave të të akuzuarve, të pushkatuar në varre masive, por edhe pamje ngjethëse të burgjeve komuniste, si ai i Spaçit e Burrelit, rrethuar me tela me gjemba e roje që i vigjilonin. Por përveç stendave fotografike, pavijoni nuk do të mund të kuptohej edhe pa objektet e kohës. Janë më së shumti objekte të përdorura nga të burgosur, që nga mjetet e torturës, tek sendet vetjake. Nuk do të mungojnë edhe video-projektorët, përmes të cilëve do të shfaqen materiale dokumentare, ku tregohet pikërisht për këto ngjarje të mëdha të kohës. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet elementeve të ndriçimit dhe të fonisë, që do t’i përshtaten atmosferës që ofrojnë materialet e muzeut. E ndërsa gjithçka është gati në letër, madje edhe materialet që do të vendosen aty, pritet miratimi i fondit. Mendohet që shuma që nevojitet për ngritjen e këtij pavijoni të mos e kalojë shumën e 4 milionë lekëve të reja. Një shumë kjo, jo aq e madhe, për të mbajtur “peng” një pavijon kaq të rëndësishëm si ai gjenocidit. Drejtori i MHK-së, Malltezi, thotë se me t’u hapur ky fond, i cili mund të kërkohet përmes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ose me një vendim ët këshillit të Ministrave, fillon menjëherë ngritja e pavijonit. Punimet mendohen të përfundojnë brenda një periudhe shumë të shkurtër, për të paraprirë sezonin turistik, kur edhe numri i vizitorëve në muze është më i madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›