E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, miratohet buxheti i 2010-ës



ELBASAN - Hera e tretë rezulton sukses për Këshillin Bashkiak të Elbasanit, për të miratuar buxhetin e kësaj bashkie për vitin 2010. Pas dy dështimesh erdhi miratimi me shumicë votash, kjo falë negociatave të shumta të kryera gjatë dy javëve mes palësh. Sipas kryetarit të Këshillit Bashkiak, Eugen Isai, hartuesit e projektbuxhetit kanë ulur shifrat fiktive që e bënin atë të papërballueshëm dhe jo real. Nga ana e tij, kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, u shpreh se në buxhet janë hequr disa zëra për shkak të konsensusit për arritjen e miratimit të buxhetit. Sipas tij, fëmijët e kopshteve nuk mund të rrinë më pa ngrohje, të vobektit pa përkrahje sociale, punonjësit pa rroga e shumë fusha të tjera të bllokuara për shkak të përplasjeve në Këshillin Bashkiak. Me konsensus të plotë propozimi për miratimin e buxhetit u miratua me shumicë votash, duke shtuar dhe 6 milionë lekë për ndërtimin e dy monumenteve, kushtuar shoqatës së të përndjekurve politikë dhe asaj të 14 dhjetorit. Buxheti i miratuar nga Këshilli Bashkiak ka vlerën 986 milionë lekë, nga 1.3 miliard që ishte projektbuxheti i hedhur poshtë. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›