Inter-Çelsi, dy sulmuesit ndezin sfidën e Championsit
Leonard Karaj
Samuel Eto beson në kualifikim ashtu sikundër edhe Didier Drogba. Dy sulmuesit do të jenë sot në pikat kyçe ku do të mbështeten skuadrat e tyre në supersfidën Inter-çelsi.Pavarësisht situatës shumë të tensionuar për shkak të mungesave dhe të sanksioneve të shumta, Samuel Eto ka rrëfyer dëshirën e tij për të zbritur në fushë dhe për të mundur blutë e Londrës. Sulmuesi kamerunas ka kujtuar me kënaqësi përballjen e fundit me çelsin vitin e kaluar, ka qenë protagonist në eliminimin e skuadrës angleze në gjysmëfinale, kur vishte ende fanellën e Barcelonës. “Kurrikulumi im kundër skuadrave angleze është shumë i mirë, mjafton të kujtojmë atë që ndodhi sezonin e kaluar kur eliminova çelsin në gjysmëfinale dhe Mançester Junajtid në finale. Tani dua të bëj ‘bis’ edhe kundër Ançelotit”, ka theksuar sulmuesi kamerunas. Sipas Etosë, pavarësisht ndëshkimit që ka marrë, trajneri portugez nuk është aspak i shqetësuar. “Ai e ka stërvitur çelsin në të kaluarën dhe na ka rrëfyer disa sekrete për të vënë në vështirësi repartin e tyre mbrojtës. Zhoze është shumë i qetë, edhe pse është më se normale dhe e kuptueshme dëshira e tij për t’u treguar si më i zoti dhe më i miri”, ka thënë Eto. Ndërsa për sulmuesin e çelsit, Didier Drogba kjo sfidë ka shumë të përbashkëta por e rëndësishme sipas tij është fakti se në fund do të jenë londinezët ata që do të gëzojnë. “Interi është një nga skuadrat më të forta në Evropë dhe me një trajner si Zhoze, ata janë bërë akoma më të fortë. Jam i bindur që do jenë të mirë-organizuar në fushë dhe për ne nuk do jetë e lehtë. Gjithsesi, sivjet synojmë të fitojmë patjetër Ligën e Kampioneve. Jemi shumë të uritur për këtë trofe, duke ditur edhe ato që kanë ndodhur në dy vitet e fundit”, tha sulmuesi nga Bregu i Fildishtë.