Largimi i Withers, ambasada e SHBA-ve shet makinat dhe ndërron mobiliet
Eljona Ballhysa
Me largimin e ambasadorit John Withers dhe me ardhjen e ambasadorit të ri, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka vendosur të ndërrojë mobiliet dhe të krijojë një ambient të ri për përfaqësuesin e ri të SHBA-ve. Së fundi ambasada ka nxjerrë në shitje paisje të ndryshme për shtëpitë, gjeneratorë, mobilje si dhe automjete. Të gjitha këto do të shiten nëpërmjet një ankandi ku mund të marrin pjesë të gjithë të interesuarit. Ndryshimi i mobilieve të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë ndodh në përfundim të misionit diplomatik të ambasadorit John Withers, i cili pritet të largohet nga Shqipëria në ditët e para të muajit gusht. Ndërkaq pritet miratimi nga senati amerikan i propozimit të presidentit Barak Obama, për emrin e Aleksandër Arzivu si ambasador i SHBA-ve në Tiranë. Për pritjen e ambsadorit të ri dhe për të krijuar një ambient të ri për përfaqësuesin diplomatik të qeverisë amerikane, personeli i ambasadës ka vendosur të bëjë ndryshime në rezidencën e SHBA-ve, në Tiranë.
Objektet në shitje
“Ambasada Amerikane ofron për shitje pajisje për shtëpitë tuaja: mobilje dhe pajisje, të konsiderueshme në cilësi dhe sasi. Gjithashtu edhe një gjenerator “Bruno”, kapacitet 30 K˔, shkruhet në njoftimin për shtyp. Ndërkaq ekspozimi i artikujve është bërë gjatë ditës së djeshme në një nga rezidencat e Ambasadës në Sauk, pranë fshatit të fëmijëve SOS. Pjesëmarrësit në ankand mund të tërheqin garancitë pasi të paraqesin faturën që iu është dhënë në momentin e pagesës së kaparit. Pagesa dhe largimi i artikujve bëhet gjatë ditës së sotme. “Pjesëmarrësit fitues do të paguajnë shumën e parave të ofruar prej tyre dhe do të tërheqin artikujt e blerë. Shuma e depozituar prej 4,000 lekësh do t’i zbritet nga shuma e parave të ofruar prej tyre. Nëse një fitues vendos të mos paguajë shumën e parave dhe vendos të mos marrë artikujt e fituar prej tij/saj, kjo depozitë nuk do t’i jepet mbrapsht”, shkruhet në njoftimin për shtyp. Po kështu ambasada ka sqaruar dhe mënyrën se si do të procedohet shitja nëpërmjet ankandit.
“Pjesëmarrësit në ankand duhet të depozitojnë një tarifë fikse prej 4,000 lekësh. Pasi të bëjnë këtë pagesë ata do të pajisen me një faturë. Pjesëmarrësit mund të bëjnë kërkesë blerjeje për çdo pajisje apo automjet. Atyre do t’u jepet një formular i cili do të plotësohet prej tyre dhe një zarf ku duhet të paraqesin ofertat e tyre. Të gjitha pajisjet dhe gjeneratorët janë të numëruar. Artikujt do të shiten vetëm me pjesë për gjeneratorët.
Gjeneratorët do të shiten si artikuj individualë. Blerësi është përgjegjës për çdo tarifë doganore dhe detyrime ndaj qeverisë shqiptare”, - shkruhet në njoftimin për shtyp të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Meta takon Gruevskin: “Komisione të përbashkëta për zgjidhjen e incidenteve kufitare”
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, zëvendëskryeministri Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Nikola Gruevski. Gjatë takimit, Meta dhe Gruevski midis të tjerave ranë dakord që të ngrenë komisione të përbashkëta për zgjidhjen e incidenteve kufitare. Gjatë bisedës Meta shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të zhvilluar me Maqedoninë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim të gjithanshëm, si dhe theksoi nevojën e ruajtjes dhe forcimit të dialogut politik ndërmjet dy vendeve nëpërmjet realizimit të vizitave e takimeve zyrtare periodike në nivelet më të larta. Edhe këtë vizitë, Meta e cilësoi si shprehje të angazhimit e vullnetit të Shqipërisë për të realizuar një bashkëpunim politik pozitiv që do të shërbejë si nxitje edhe për një bashkëpunim më të suksesshëm në fusha konkrete. Në këtë kuadër, Meta dhe Gruevski, ranë dakord për shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe angazhimin në projekte të përbashkëta, veçanërisht në infrastrukturë, për rritjen e shkëmbimeve tregtare, zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e turizmit, arsimit, kulturës dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë, si dhe për hapjen e pikave të përbashkëta kufitare e doganore. Të dy bashkëbiseduesit theksuan gatishmërinë për mbajtjen sa më shpejt të komisioneve të përbashkëta ekonomiko-tregtare, për zgjidhjen e incidenteve kufitare, mirëmbajtjen e shenjave kufitare, menaxhimin dhe shfrytëzimin e ujerave, përfshirë këtu edhe Liqenin e Ohrit. Më tej, Meta përshëndeti progresin e Maqedonisë në drejtim të integrimit evropian, liberalizimin e vizave me BE-në, si dhe rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Meta theksoi gjithashtu se Shqipëria mbështet fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si garanci për sigurimin e stabilitetit, mirëkuptimit dhe mirëbesimit të brendshëm, si dhe mbështet gjithashtu integritetin territorial dhe sovranitetin e Maqedonisë. Duke çmuar bashkëpunimin e suksesshëm rajonal, Meta bëri një vlerësim të veçantë për hapin e guximshëm që Maqedonia bëri duke njohur shtetin e ri të Kosovës dhe duke zgjidhur çështjen e kufirit me të, një hap jo i lehtë në atë kohë, por që sot, pas opinionit të GJND-së, duket qartë se ka qenë veprimi i duhur politik i cili ka krijuar një bazë solide legjitimiteti. Në përfundim, Meta ripërsëriti bindjen se opinioni i GJND-së ndihmon forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke ritheksuar se në mënyrë të veçantë do të ndihmojë edhe Serbinë për të parë drejt së ardhmes dhe për të punuar drejt kësaj të ardhmeje evropiane.
Ish-të përndjekurit: Të ngrihet memoriali për viktimat e komunizmit
Të përndjekurit politikë kanë protestuar sërish në sheshin ku dikur ngrihej shtatorja e diktatorit Enver Hoxha. Ata i kanë kërkuar Edi Ramës të pezullojë projektin që ka për këtë shesh dhe kryeministrit Berisha të japë fondet për të ndërtuar aty një memorial për viktimat e komunizmit. “Edi Rama të tërheqë menjëherë këto makineri dhe të lëvrojë fondin për ndërtimin e memorialit. I kërkojmë kryeministrit, Sali Berisha që të lëvrojë fondin për ndërtimin e këtij memoriali dhe të deklarohet publikisht se memorizimi i krimit komunist duhet të jetë prioritet i kësaj qeverie, që ka ardhur në pushtet me votat e kësaj shtrese të shoqërisë. Për memorialin do të jemi këtu dhe pa kaluar mbi trupat tanë ju politikanë nuk mund të prisni memorialin e krimit komunist”, - tha Besim Ndregjoni, ish- i përndjekur politik. Edhe më parë ish- të përndjekurit politikë kanë kërkuar ngritjen e një obelisku në memorie të viktimave të komunizmit, kërkesë e cila deri tani nuk është realizuar.
30 Korrik 2010