E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri britanik, Lidington: “Ngërçi politik dëmton imazhin e Shqipërisë dhe bllokon reformat”



Ministri i Britanisë së Madhe për çështjet europiane, Dejvid Lidington në një intervistë dhenë BBC-së është shprehur se ngërçi politik dëmton imazhin e Shqipërisë dhe bllokon reformat integruese të vendit. I pyetur për proceset integruese të vendeve të Ballkanit, Lidington është shprehur se çdo vend do të shpërblehet në bazë të meritave të tij dhe se nuk do të ketë integrime në grup. “Ne jemi shumë të shqetësuar nga vazhdimi i ngërçit politik mes qeverisë shqiptare dhe opozitës. Kjo situatë po dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe ajo që është më e rëndësishme, po bllokon disa reforma jetike që janë në interes të popullit shqiptar. Britania vazhdon të mbështesë fuqimisht perspektivën evropiane të Shqipërisë, por që kjo përspektivë të përbushet, duhet vullnet politik si dhe shumë energji për të plotësuar kushtet e nevojshme në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ne shpresojme që forcat politike në Shqipëri të gjejnë një rrugëdalje nga ky ngërç. Është shumë e rëndësishme që dy apo tre forcat politike të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje që duhet mbështetur në parimin e transparencës dhe kushtetutshmërisë”, - është shprehur Lidington, i cili më pas ka folur për proceset integruese të vendeve të Ballkanit. “Mendoj se do të ketë një seri programesh individuale, vend pas vendi, sepse paketa e reformave që kërkohet, ka veçoritë e veta në secilin vend. Mund të ndodhë që disa vende të anëtarësohen në Bashkimin Evropian njëkohësisht. Por, unë sigurisht nuk mund të them se çdo vend duhet të presë derisa të bëhen gati gjithë të tjerët. Gjithësesi, Britania dëshiron që të gjitha vendet e rajonit të hedhin hapa për një anëtarësim sa më të shpejtë”, - është shprehur ministri britanik Lidington.

30 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›