E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në një "Ripërtëritje" të vërtetë rinore

12/03/2005  TKOB

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është përpjekur vazhdimisht të krijojë hapësira të reja për talentet e reja, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër i kemi ndeshur në aktivitete të ndryshme në skenën e këtij institucioni. "Duke marrë shkas nga fakti se festimi i 'Ditës së Verës' është kthyer në një festë kombëtare, por edhe duke u nisur nga fakti se stina e pranverës ka një simbolikë tjetër, atë të ripërtëritjes, daljes nga vështirësitë, si një alternativë drejt të mirës, që pa dyshim do të vijë, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka vendosur të sjellë sa më shumë hapësira për artistët e rinj, të organizojë një gala rinore, që ne e kemi titulluar 'Ripërtëritja', e cila do të shpalosë këtë tematikë, jo vetëm te pjesëmarrja e të rinjve, por edhe me repertorin e koncertit", tha për "Metropol" drejtori i institucionit, Zhani Ciko. Koncerti, i cili do të shfaqet ditën e hënë, në datën 14 Mars, nuk do të ketë parametrat e një aktiviteti të bujshëm, por do të fillojë me brezin e artistëve të vegjël në fushën e koreografisë. "Eshtë menduar që ky brez të vijë para publikut me tingujt e 'Pranverës' së Vivaldit, që në hapjen e këtij koncerti, për të na sjellë një atmosferë të vërtetë rilindjeje dhe jo me hapje të fuqishme", tha Ciko, duke shtuar se edhe nga një opera epike sikundër "Skënderbeu", është përzgjedhur një korale vajzash, "për të ruajtur karakterin rinor të shfaqjes". Që një spektakël i tillë të ruaj në tërësinë e vet karakterin rinor, nga drejtuesit e institucionit është menduar që, edhe repertori të jetë i natyrës së gëzueshme për t'i korresponduar si duhet jo vetëm me stinën, por edhe me moshën e artistëve pjesëmarrës. "Pranvera" e Vivaldit do të vijë në balet nga balerinët e vegjël. "Cosi fan' tutte" e Moxartit, është një tjetër pjesë, që mendohet t'i bashkangjitet repertorit të shfaqjes si dhe pjesë operistike të tjera klasike. "Madje, mendojmë të sjellim edhe pjesë nga repertori kontemporan, më rinor, sikundër pjesa 'Dashuria', një poemth i vërtetë, i shkëputur nga filmi 'Moulin Rouge'", ka nënvizuar Ciko. E.Golemi, G.Hushi, E.Blloshmi, A.Kllogjri, etj., janë disa nga artistët që do të marrin pjesë në këtë spektakël rinor. "Ripërtëritja" do të prezantohet edhe në dekor, kostumografi. Zhani Ciko shpreh bindjen se jo vetëm ky koncert, por edhe aktivitete të tjera të organizuara me konceptin e krijimit të kushteve për të thithur sa më shumë talente të reja, është një tregues se institucionet kulturore e kanë kapërcyer fazën e dekadencës dhe kanë krijuar një situatë stabël, që, pavarësisht se ende modeste, është premtuese. Madje, ai është i mendimit se edhe artistët që janë këtu, në rast se do të kenë mundësinë të operojnë në skenat e huaja me kontrata të rregullta, krijojnë një avantazh dhe eksperiencë të madhe për karrierën e tyre, pasi ky është një fenomen që ndodh rëndom në Evropë. "Edhe ky fakt bën pjesë në ripërtëritjen e artit dhe të vetë artistëve", ka theksuar Ciko.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›