Shqiptarët, në festë për pavarësinë e Kosovës
Aktivitetet
Në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë do të mbahet një koncert me këngë dhe valle popullore me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pasditen e 17 shkurtit, një repertor i zgjedhur, me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat shqiptare, do të interpretohet nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve Popullore të Shqipërisë dhe nga artistët e ansamblit “Shota” të Prishtinës. Në këtë koncert, ku do të mbizotërojë tradita kombëtare folklorike, do të ngjiten në skenë emrat më të njohur të folklorit shqiptar. “Vallja për Adem Jasharin”, “Vallja e shqipeve”, “Vallja e Bajram Currit”, kënga “Nanë u nisa për në çetë” janë disa nga pjesët e programit të koncertit. Ndërsa në Kosovë, për herë të parë në Suharekë, Saranda Elashani, regjisore e re e Kosovës, organizon një festival mbarëshqiptar, duke shënuar javën kulturore në pritje të pavarësisë së Kosovës, "Kosovafest, 17 shkurt", festival që do të kurorëzohet ditën e pavarësisë me çmimin e madh. Në edicionin e parë të tij, nga 11 deri në 17 shkurt, do të paraqiten dhe vlerësohen shfaqjet e zgjedhura nga gjithë hapësira etnografike shqiptare. Ky festival ka karakter garues, prandaj në përmbyllje do të ndahen çmime të vlerësuara nga juria profesionale vendore dhe ndërkombëtare.
#