E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në parlament: LSI e Oketa votojnë kundër Qeverisë

Gazmend Oketa

Ligji për invalidët dhe të verbërit, abstenon ministri Naço dhe dy deputetët Tavo e Koka. Oketa: Pse votova kundër.

Ministri Naço dhe dy deputetët e LSI abstenojnë ndryshimet në ligjin e invalidëve.

Ish-deputeti i PD: Pa vend tu hiqet statusi të verbërve.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gaz-mend Oketa dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë votuar dje kundër maxhorancës, duke ulur deri në 66 numrin e votave në Parlament. Projektligjet për statusin e të verbrit, ai për paraplegjikët dhe tetraplegjikët kanë ndarë deputetët e PD-së me ata të LSI-së, të cilët në grup kanë abstenuar, duke bërë që kjo nismë të miratohet me një shumicë të thjeshtë votash. Për herë të parë ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, nuk ka votuar një nismë të qeverisë dhe qëndrimit të tij iu bashkuan edhe kryetari i Grupit të LSI-së, Lefter Koka dhe nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo. Dy projektligjet që kufizojnë statusin e të verbrit, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve janë miratuar me një total prej 66 votash pro, 62 kundër dhe 3 vota abstenim të Grupit të LSI-së. Votës kundër të deputetit të pavarur Gazmend Oketa i është bashkangjitur dhe ajo e deputetit Kastriot Islami, i cili u çregjistrua pak kohë më parë nga Grupi i PS-së. Tkurrja e numrave të maxhorancës erdhi dhe për shkak të mungesave nga radhët e saj. Në Parlament munguan dje 5 deputetë të shumicës, përkatësisht ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, që ishte i pranishëm gjatë debatit në Kuvend, por u largua në momentin e votimit. Në sy ra dhe mungesa e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, deputetit Kosta Barka, kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe deputetit të PD-së Viktor Gumi. Maxhoranca arriti të kalojë me 70 vota pro dhe 60 kundër projektligjin Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij. Po me 70 vota pro, maxhoranca miratoi edhe ligjin e shumëdebatuar Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror që tashmë do të jetë në varësi të Kryeministrit.
Qëndrimi i Oketës

Seanca e djeshme në Parlament

Deputeti i larguar nga Grupi i PD-së, Gazmend Oketa, i pyetur nga Panorama për qëndrimin kundër maxhorancës, theksoi se vota ishte një qëndrim individual dhe në interes të qytetarëve. Edhe pse kishte deklaruar që do të votonte pro PD-së paçka largimit nga Grupi, Oketa theksoi se në asnjë rast nuk do të bashkojë votat me opozitën për të rrëzuar qeverinë. Por, vota të tjera kundër do të jenë në rast se cenohen interesat e qytetarëve, siç ishte ligji i statusit të të verbrit apo para dhe tetraplegjikëve. Unë e kam deklaruar që vota ime nuk do të bashkohet asnjëherë me opozitën për të rrëzuar qeverinë. Ndërsa për ligje të caktuara dhe për çështje të caktuara unë do të mbaj qëndrim individual. Unë kam deklaruar se do të votoj në interes të qytetarëve dhe personalisht e gjej të pavend që të hiqet një status, të cilin qytetarët, të verbrit dhe paraplegjikët e gëzojnë prej vitesh. Vota ime nuk është një akt me karakter të theksuar politik. Sa herë ta gjykoj që është një çështje që cenon interesat e qytetarëve ose që unë e mendoj ndryshe, do të shprehem me votë kundër maxhorancës, deklaroi deputeti Oketa.

Akuzat
Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë replikave në Kuvend me deputetët e opozitës deklaroi dje se të majtët po manipulojnë personat me aftësi të kufizuara për qëllime elektorale. Sipas Bodes, qeveria do tu japë këtyre shtresave 25 milionë dollarë në vit dhe kjo do të shpërndahet me skemën e re, duke shmangur abuzimet. Ju e keni hallin te votat. U jeni kthyer viktimave të punës, për ti manipuluar dhe për ti kthyer kundër qeverisë. Ajo që ju po bëni është një farsë, sepse nuk ju digjet barku as për të verbrit, as për ish-të përndjekurit, deklaroi Bode.

Apel Topit
Deputetja e PS, Valentina Leskaj, kërkoi dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të kthejë mbrapsht dy nismat e miratuara nga maxhoranca për statusin e të verbrit dhe para e tetraplegjikëve. Leskaj i quajti ligjet e qeverisë si antikushtetuese. Në se nuk e bëni, vota ime është kundër e ndërkohë i bëj thirrje Presidentit të mos e dekretojë një ligj antikushtetues, theksoi Leskaj.

Protesta
Ndërkohë rreth 200 invalidë të verbër, tetraplegjikë dhe persona që nuk dëgjojnë e nuk flasin të qytetit të Shkodrës janë penguar të udhëtojnë drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën para Parlamentit. Policia ka bllokuar dokumentacionin e autobusëve që ishin kontraktuar për të transportuar invalidët. Incidenti ndodhi në mëngjes, kur autobusët ishin mbushur me protestues invalidë. Ata janë shprehur të revoltuar për këtë veprim të policisë. Protesta organizohet në mbështetje të kërkesave që kjo kategori ka paraqitur vazhdimisht dhe që nuk janë plotësuar.

Kerkesat
Kishin:

Transport falas në nivel urban

Transport në nivelin interurban, gjysmëfalas

Energjia elektrike paguhej në masën 20%

Telefonia falas deri në 2 mijë impulse

Ligji i ri

Parashikon vendosjen e një kuote fikse

Me anë të kësaj kuote që përcaktohet me VKM do të mbulohen shpenzimet

Kërkesat:

Të ulen në bisedime me qeverinë

Të mos u cenohen të drejtat

Kanë kërkuar mosmiratimin e ligjit

Të identifikohet numri real i invalidëve

Protesta: Ligji na cenon të drejtat

Protesta e djeshme

Ndërkohë që brenda në Parlament nuk kish nisur ende të votohej ligji, të verbrit dhe invalidët protestonin jashtë godinës. Të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit, ata u kërkuan deputetëve të mos votonin ndryshimet që i janë bërë ligjit për statusin e personave me aftësi të kufizuara. Ata kërkuan që të bëhen pjesë e bisedimeve dhe të arrijnë një kompromis përpara se ata të votojnë heqjen e kuotës për energjinë elektrike, transportin dhe telefonin. Është një veprim i pandershëm, i cenueshëm, që duhet denoncuar dhe duhet hedhur poshtë me neveri nga të gjithë shqiptarët me idealet demokratike, u shpreh Sinan Tafaj, kryetar i Shoqatës së të Verbërve. Ai shtoi se protestat do të vazhdojnë, madje nuk përjashtohet as greva e urisë. Nuk po kërkojmë luks, sepse luksi është shumë larg nga ne. Ne kërkojmë të mbrojmë të drejtat tona, të integrohemi, të jemi njerëz të barabartë mes të barabartëve, të jetojmë në vendin tonë si gjithë personat e tjerë, tha Mybere Prizreni, kryetare e Shoqatës së Personave Paraplegjikë e Tetraplegjikë.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›