E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në qytetin e Shkodrës, gjatë së cilës përuroi disa objekte të rëndësishme infrastrukturore. • Fillimisht Kryeministri përuroi nisjen e

Sot, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në qytetin e Shkodrës, gjatë së cilës përuroi disa objekte të rëndësishme infrastrukturore.

• Fillimisht Kryeministri përuroi nisjen e punimeve për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës hyrëse të qytetit, investim i qeverisë me vlerë 128 milion lekë.

Duke folur për projektet dhe investimet e ardhshme për Shkodrën, Kryeministri theksoi se "me zbatimin e këtij projekti, që do të modernizojë hyrjen në këtë qytet mijëravjeçar, nisin një seri e gjerë investimesh gjatë vitit 2007-2008 në qytetin e Shkodrës dhe konkretisht ura e Bunës, e cila fillon nga gjysma e dytë e vitit, në mënyrë që të mundësojë kalimin e anijeve, pasi të zbatohet projekti i kthimit të Bunës në një lum të lundrueshëm. Një tjetër projekt i madh për qytetin është autostradën Shkodër-Hani i Hotit, që është në projektim e sipër dhe zbatimi i projektit fillon nga mesi i këtij viti. Po ashtu projekti për kanalizimet dhe përpunimin e ujërave të zeza, të cilat synojnë si trajtimin e një problemi thelbësor për çdo qytet ashtu edhe mbrojtjen e liqenit të Shkodrës si një monument natyror e mbrojtur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara."

Kryeministri veçoi gjithashtu projektet në fushën e arsimit, si një përparësi e qeverisë. "Shkolla dhe arsimi janë një përparësi tjetër në investimet tona. Do të ketë një zgjerim të madh të Universitetit dhe për këtë do të bëhen investimet e nevojshme, pasi Universiteti i Shkodrës është realisht një universitet rajonal, i cili përballon nevojat e disa qarqeve të vendit dhe të shqiptarëve nga Mali i Zi, nga Kosova e zona të tjera."

Kryeministri siguroi se ky vit shënon vitin e investimeve serioze e të mëdha në punët publike në vend. "E hapëm siparin me hyrjen e Shkodrës, për të vazhduar me një seri të madhe investimesh. Dje, isha në Korçë, ku edhe atje e nisëm me unazën. Edhe në Shkodër unaza është inauguruar dhe do të përfundojë, pasi ajo do të financohet plotësisht. Në çdo qytet e skaj të vendit ky vit dhe vitet që vijnë janë vite investimesh serioze," u shpreh Kryeministri.

• Më pas, Kryeministri përuroi përfundimin e shkollës fillore në lagjen "Iliria", një zonë e banuar kryesisht nga komuniteti rom.

Duke u përshëndetur me banorët e zonës, Kryeministri siguroi për vëmendjen dhe mbështetjen e plotë të qeverisë për zhvillimin dhe integrimin e tyre të plotë në shoqëri.

"Përurimi i kësaj shkolle, në një zonë të dominuar nga romët, - vlerësoi Kryeministri, -është zbatim i një programi të gjërë që qeveria shqiptare do të ndërmarrë dhe do të vendosë një kuadër diskriminimi pozitiv për të nxjerrë romët e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë nga barra e rëndë e të shkuarës së tyre diskriminuese. Ne do të konsiderojmë së shpejti ushqimin në këto shkolla e më pas do ta shtrijmë edhe në shkolla të tjera. Shkollat me ushqim, veçanërisht të këtyre zonave, janë një objektiv madhor, janë rrugë e sigurt për t'i nxjerrë këto komunitete nga gjendja në të cilën ndodhen dhe për të realizuar integrimin e tyre të plotë në shoqëri."

• Kryeministri përuroi edhe përfundimin e segmentit rrugor që lidh qytetin e Shkodrës me zonën industriale.

Duke e konsideruar rrugën një investimin të rëndësishëm për Shkodrën, Kryeministri theksoi se "rruga të çon në zonën industriale, e cila së shpejti do të jetë dhe parku industrial i qytetit. Në Shkodër është projektuar e do të ngrihet një park i fuqishëm industrial për qytetin, që do të jetë gjenerator i madh punësimi i qytetarëve të Shkodrës. Ne jemi të vendosur që krahas korridoreve të mëdha rrugore, autostradave, porteve dhe aeroporteve moderne të angazhohemi në projektin asfaltim, gjelbërim për të gjitha qytetet tona, një nismë që do të përfshihet në kuadrin e 6 mijë kilometrave rrugë rurale për fshatrat e dytësore për qytetet."

Në këtë vizitë Kryeministri shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha, Ministria e Integrimit Arenca Trashani, deputetë të Shkodrës dhe autoritete të pushtetit vendor.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›