Pas takimit me qytetarë të Korçë, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp për median. Kryeministri: Dua sërish të përshëndes shumë përzemërsisht të gjithë qytetarÃ
Pas takimit me qytetarë të Korçë, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp për median.
Kryeministri: Dua sërish të përshëndes shumë përzemërsisht të gjithë qytetarët e Korçës, të gjithë banorët e këtij rrethi, i cili ka qenë e mbetet për vlerat që mbart, për moralin e tij burim i pashtershëm për mua dhe çdo shqiptar. Sot erdha për të paraqitur para qytetarët të Korçës zotin Gjergj Papa, një nga intelektualët më të mirë të këtij qyteti. Erdha gjithashtu për të ftuar korçarët për të vazhduar të gjithë së bashku rrugën që zgjodhëm në 3 korrik, realizimin e plotë të kontratës që firmosëm më 3 korrik. Në 3 korrik qytetarëve të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë ju kemi premtuar luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.
Kam kënaqësinë të informoj qytetarët e Korçës se vetëm 4 ditë më parë tempulli i demokracisë evropiane me rezolutën që miratoi për Shqipërinë deklaroi se Asambleja Parlamentare e Këshilli të Evropës, që grupon përfaqësitë parlamentare të 42 vendeve, përshëndet luftën me tolerancë zero që qeveria shqiptare ka ndërmarrë ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve. Kjo luftë është luftë për të ardhmen tonë.
Gjatë vitit 2006, shqiptarët, por dhe mbarë bota pa organizatat kriminale të vendit, klanet dhe grupet e krimit të organizuar dhe qindra anëtarët të tyre të vendosën para ligjit. Por sërish kjo duhet të jetë një betejë e pandërprerë. Jakë kollarisurit kanë mbetur ende, si relikte e një sistemi nga i cili u ndamë më 3 korrik, në KLD, në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndaj edhe ne duhet të vazhdojmë së bashku për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të çliruar plotësisht nga krimi i organizuar.
Edhe para 3 korrikut kam mbajtur një premtim solemn, para qytetarëve të Korçës e të mbarë Shqipërisë, të mbledh paratë e tyre, se çdo qytetar ka dy buxhete, një të familjes së tij dhe, pas tij, buxheti i dytë më i rëndësishëm është ai që ndodhet në arkën e shtetit. Sot, erdha këtu për t'i njoftuar qytetarët e Korçës që gjatë një viti me luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit ne ia dolëm të shpëtojmë nga abuzimi i zyrtarëve, kontrabanda, evazioni fiskal dhe zarfet për drejtorët dhe ministrat në prokurimet publike, jo një e dy, por 600 milion euro. Dua t'ju kujtoj se vetëm shkurtimi i shpenzimeve 40 për qind në administratën qendrore dhe i administratës më periferike prej 20 për qind ka sjellë rreth 100 milion euro kursime. Dua t'i kujtoj qytetarëve shqiptare se investimet publike kanë këtë vit realizmin më të lartë në tërë historinë e vendit prej 94 për qind. Por që të gjitha janë realizuar me një kosto mesatare 25 për qind më të ulët sesa një vit më parë, duke kursyer kështu një shumë të madhe, e theksoj arritëm të shpëtojmë rreth 600 milion euro.
Të gjitha këto krijuan një hapësirë të madhe për qeverinë për të rritur rrogat, rritja më e madhe në 15 vitet e fundit me 20 për qind. Ne një rritje të tillë kishim premtuar për arsimtarët, por kaq është mesatarja e rritjes për mbarë zyrtarët dhe nëpunësit. Ne vendosëm pensionin minimal 100 mijë lekë në qytet dhe 50 mijë lekë në fshat, duke shënuar rritjen më të madhe të pensioneve në 15 vitet e fundit. Ne rritëm investimet për shkollat dhe spitalet. Nga 2.1 për qind të prodhimit të brendshëm që ishte për arsimin, këtë vit shkon në 3.6 për qind.
Ne ulëm 30 përqind sigurimet shoqërore, ulëm 30-45 çmimin e energjisë, si dhe taksa të tjera. Ne lehtësuam barrën fiskale.
Me këto para ne kemi prokuruar dhe jemi në prokurim të veprave të mëdha publike në sistemin rrugor, ndër më të mëdhatë në 50 vitet e fundit, autostrada Durrës-Morinë, Korçë-Qafë Thanë, autostrada Fier-Vlorë, ndërkohë nga mesi i viti fillon projekti për 6 mijë kilometra rrugë rurale.
Unë jam i vetëdijshëm se problemet që keni pasur me energjinë elektrike realisht kanë qenë e mbeten shqetësuese. Unë ju garantoj se qeveria po bën çdo përpjekje dhe mbetet totalisht e angazhuar për t'i dhënë fund një herë e mirë krizës së dritave brenda vitit 2007. Mungesa e dritave në mënyrë konstante ka shoqëruar Shqipërinë dhe shqiptarët që nga vitet 80 e deri më sot, por kriza e këtij viti ka pasur një shkak më madhor se çdo vit tjetër, thatësirën më të paparë dhe dy kontrata të pazbatuara nga firmat, për të cilat ne kishim paguar paratë. Megjithatë kriza e këtij viti është një leksion i madh për qeverinë, e cila, pavarësisht, kostove duhet të përgatisë strategjinë antithatësirë. Dhe strategjia antithatësirë është Shqipëria eksportuese e energjisë, duke u bazuar në prodhimin e saj termik dhe forma të tjera prodhimi. Sigurisht ne nuk heqim dorë nga hidrocentralet, por nuk do ta bazojmë plotësimin e nevojave të vendit vetëm në ujërat, sepse thatësira mund t'i përpjesëtojë ato ndonjëherë dhe në 20 herë, ose dhe më shumë.
Ne jemi të vendosur të procedojmë me reforma të thella në sistemin e arsimit. Shkollimi i fëmijëve të Korçës dhe i gjithë Shqipërisë është përparësi absolute e jona. Ne hapëm dyert e universiteteve, po rritet numri i nxënësve që ndjekin shkollat e mesme, nga 37 për qind që ka qenë dy-3 vitet e para, numri i tyre këtë vit ka arritur 60 për qind. Megjithatë jemi të pakënaqur, duhet të arrijmë në 90 për qind dhe të arrijmë standardin më të lartë. Ne do të investojmë gjithashtu në një sistem konviktesh në mbarë vendin, në mënyrë që të përmbushim objektivin tonë.
Këtu në Korçë, jemi në vendin e punës. Këtu janë njerëzit më punëtorë, ndoshta se kudo tjetër në Evropë dhe kur them këtë nuk e ekzagjeroj. Po të shohim fushat dhe kopshtet e tyre, ato nuk dallojnë nga ato të partnerëve të tyre evropianë. Dallimi është se këto fusha kanë shumë më tepër mund dhe djersë, sesa të të tjerëve që i punojnë me një shkallë të lartë mekanizimi, mbështetje financiare më të madhe dhe një shkallë të fuqishme subvencioni. Ne jemi të zotuar që prodhimet shqiptare, të cilat janë bio, të mos mbeten pa shitur. Këtë vit kemi bërë përpjekjen e parë të suksesshme, vitin e dytë do të bëjmë përpjekjen e dytë akoma më të suksesshme. Krahas kushteve të tregut, ne do të asfaltojmë dhe urbanizojmë me shpejtësi këtë zonë, e cila e meriton tërësisht këtë investim.
Korça ka një seri investimesh në kanalizime dhe në rrugët e brendshme. Ne, sot, përuruam unazën dhe do ta përfundojmë atë në një kohë sa më të shkurtër. Janë rreth 200 milion euro investime të projektuara për këtë qytet. Ne do të punojmë për parkun industrial, projekte të tjera të shkëlqyera janë për zonat e saj turistike, për Dardhën, Voskopojën, Liqenasin dhe Prespën.
Edhe një herë, e përfundoj me thirrjen time të punojmë së bashku për shndërrimin në realitet të projekteve tona. Ftoj të gjithë qytetarët e Korçës të votojnë Gjergji Papën dhe i garantoj ata qe do ta mbështes atë në çdo projekt të tijin, për të ndryshuar Korçën dhe jetën e qytetarëve të saj.
Pyetje: Zoti Berisha, a mendoni se hyni me një pikë minus në këtë fushatë, për shkak të mosfunksionimit të punës të kryetarit aktual të bashkisë?
Kryeministri: Ju vini nga një takim me qytetarët. Nëse i rikthehemi për një moment takimit, aty ju, më shumë se çdo gjë tjetër, patë fytyrën e fitores, dëgjuat zërin e fitores, përjetuat entuziazmin e fitores.
Pyetje: Cilat janë pikat tuaja më të forta në Korçë?
Kryeministri: Nuk mund të bëj krahasim. Unë mendoj se kandidati tjetër sjell humbjen. Atë e kanë nxjerrë për humbjen, sepse të përfaqësosh ‘mister krizën' apo ‘mister certifikatën' vetëm ky dallim është i mjaftueshëm. Krahas kësaj është edhe performanca deh formimi shkencor, dashuria për qytetin, si dhe mbështetja e plotë dhe totale që do t'i japë qeveria. Kjo nuk do të thotë që ne bëjmë diskriminim, por ne nuk mund të pranojmë prokurime 50 për qind më të kushtueshme.
Pyetje: A do të konkretizohen këto premtime edhe në rast se nuk fiton kandidati juaj?
Kryeministri: Ju po thoni nëse ndodh që dita të bëhet natë. Por kjo nuk mund të ndodhë. Korça e ka marrë vendimin e saj, sikundër ne jemi totalisht kundër çdo lloj diskriminimi.