E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare, gjykatës: Nuk paraqitem në gjyq

Kreu i bandës së Lushnjës refuzon drejtësinë shqiptare. Nuk merr pjesë në procesin gjyqësor

Kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare, ka refuzuar Gjykatën e Krimeve të Rënda për pjesëmarrje në procesin gjyqësor, ku akuzohet për krijim të organizatës kriminale dhe vrasje. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, trupi gjykues, i kryesuar nga Fatmira Hajdari, ka lexuar një letër të Bares, i cili e vinte në dijeni gjykatën se nuk dëshironte të paraqitej. “Nuk mund të paraqitem në gjyq. Dua të përfaqësohem nga avokati Vladimir Meçi”, shkruante Bare. Ndërkohë, trupi gjykues ka verifikuar letrën, dhe pasi e gjeti konform rregullave, saktësoi se edhe avokati kishte paraqitur një raport gjyqësor. Sipas gjykatës, Meçi vinte në dijeni Gjykatën e Krimeve të Rënda se nuk mund të paraqitej në proces, pasi ishte sëmurë. Të ndodhur në këto kushte dhe duke marrë edhe opinionin e prokurorit, trupi gjykues e shtyu seancën për në datën 27 janar. Bare është paraqitur vetëm njëherë në gjykatë, pas ekstradimit nga Turqia. Në atë rast, vetë i pandehuri Bare, përveç dhënies së gjeneraliteteve të tij personale, nuk pranoi të flasë për akuzat, duke theksuar se një gjë të tillë do ta bënte në procesin e hapur gjyqësor ndaj tij. Ai tha se është vënë në dijeni që ndaj tij ka një proces gjyqësor, ku ka kërkuar që mos të zhvillohet proces pa praninë e tij. Në atë seancë ai sqaroi edhe ndërrimin e emrit të tij, nga Alfred Shkurti në Aldo Bare. Ai tha se në bazë të të gjitha procedurave ligjore, ka ndërruar emrin dhe mbiemrin me vendim të Këshillit Bashkiak të Lushnjës dhe sipas procedurave që i kërkon Zyra e Gjendjes Civile, nga Alfred Shkurti në Aldo Bare. Këtë ndryshim e kam bërë me vetëdije dhe të bazuar në legjislacionin vendas.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›