E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pranga dy falsifikatorë diplomash e dëftesash

Autori i Lajmit: red.
Dy falsifikatorë dëftesash dhe diplomash kanë rënë dje në prangat e policisë. Në cilësinë e provës materiale i janë sekuestruar jo vetëm dokumentet e falsifikuara prej tyre, por dhe disa vula të institucioneve shqiptare. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur se gjithçka është realizuar në kuadër të operacionit të koduar “Diploma”. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në pranga kanë përfunduar Roland Papaproko, vjeç 56, dhe Franc (Kujtim) Borova, vjeç 57, i dënuar më parë për vepra penale të falsifikimeve. Prokuroria e Tiranës kishte nisur procedimin penal, sepse dyshoheshin për konsumim të veprave penale të “falsifikimit të dokumenteve”, “falsifikim i dokumenteve shkollore” dhe “falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”. Informacionet e para në lidhje me dokumentet e sekuestruara, policia i ka administruar në rrugë operative. Më pas ka qenë një hetim disamujor i Prokurorisë së Tiranës ai që ka zbardhur skemën e falsifikimit. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar vula të Ministrisë së Mbrojtjes, Dega e Mobilizimit dhe një Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme të përgjithshme “Partizani”, një vulë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, një vulë e Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës dhe dy vula të institucioneve joqeveritare.

Dokumentet e falsifikuara
Një diplomë e UT, Fakulteti Ekonomik së bashku me listën e notave.
Tri leje drejtimi të vulosura të paplotësuara që dyshohen të falsifikuara.
Një sasi materiali fletë gome dhe vegla të ndryshme që përdoren për prodhimin e vulave.

Ky lajm është publikuar: 09/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›