E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hakmarrja për Drejtësi”, 367 vite burg për 10 të akuzuar

Autori i Lajmit: red.
Vendimi në Apel

Plot 367 vite burg ka lënë në fuqi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda për 10 të dyshuarit si anëtarë të organizatës “Hakmarrje për Drejtësi”. Dy prej të pandehurve, mbi të cilët rëndojnë rreth 20 akuza nga ajo e akteve terroriste deri në vrasje e grabitje, kanë fituar azil politik ne Belgjikë e Zvicër. Ndërkohë që asnjë prej të dënuarve nuk ndodhet pas hekurave, Orik Shyti dhe Altin Arapi janë cilësuar si drejtues të organizatës kriminale të njohur me emrin “Hakmarrja për Drejtësi”. Në vendimin e djeshëm, gjykata uli dënimin për 2 të pandehur dhe la në fuqi dy burgime përjetë.
Vendimi
Ngelet në fuqi vendimi me burg për jetë për Orik Shytin dhe Altin Arapin, të cilën janë cilësuar si drejtues të organizatës kriminale të njohur me emrin “Hakmarrja për Drejtësi” gjatë periudhës 1992-1996. Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda la në fuqi vendimin “burg për jetë në mungesë” dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për Orik Shytin dhe Altin Arapin. Mbi dy të pandehurit rëndojnë rreth 20 akuza nga ajo e akteve terroriste deri në vrasje e grabitje. Burime nga gjykata bënë të ditur se Orik Shyti jeton në Zvicër ku ka fituar azil politik, ndërsa Altin Arapi ka fituar azil politik në Belgjikë. Trupi gjykues i Apelit të Krimeve të Rënda la në fuqi vendimin me 25 vjet burg për Gentian Cakën dhe Roland Shytin. Leart Shyti, Nikolin Novruzaj dhe Kreshnik Spahiu janë të dënuar me 24 vjet burg, Dritan Hate i dënuar me 23 vjet burg. Për Pasho Norvuzaj dhe Gëzim Gjonin, Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda ndryshoi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Konkretisht, për Pasho Novruzaj, Gjykata e Apelit dha dënimin me 17 vjet burg, nga 22 vjet që kishte dënuar gjykata e një shkalle më poshtë, ndërsa për Gëzim Gjonin dha 5 vjet nga 10 vjet që kishte dhënë Gjykata e Krimeve të Rënda.
Akuzat
Sipas prokurorisë, 10 të pandehurit gjatë periudhës 1992–1996 kanë kryer 8 vrasje, 17 plagosje dhe 13 vjedhje. Sipas akuzës, 10 të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në kuadër të organizatës kriminale të quajtur “Hakmarrja për Drejtësi”, kanë kryer krime që nga vrasja, rrëmbimi, vjedhja, plagosja dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare.

Vendimet në Apel
1. Altin Arapi burg përjetë
2. Orik Shyti burg përjetë
3. Kreshnik Spahiu 24 vjet burg
4. Nikolin Novruzaj 24 vjet burg
5. Leart Shyti 24 vjet burg.
6. Gëzim Gjoni 5 vjet burg
7. Pasho Novruzaj 17 vjet burg
8. Dritan Hate 23 vjet burg
9. Gentian Caka 25 vjet burg
10. Roland Shyti 25 vjet burg

8
është numri i vrasjeve, për të cilat Gjykata e Krimeve të Rënda ka gjetur fajtor anëtarët e organizatës “Hakmarrje për Drejtësi”

17
është numri i të plagosjeve, të regjistruara nga viti 1992-1996, që mbajnë firmën e organizatës

10
të pandehurit dosjes nuk kanë pranuar asnjëherë asnjërën prej akuzave dhe asnjë prej tyre nuk ndodhet në qeli

3
prej të dyshuarve si organizatorë të vrasjeve e vjedhjeve kanë fituar azil politik në Suedi

Orik e Laert Shyti: Akuzat politike
Dy të prej të dënuarve si anëtarë të organizatës “Hakmarrje për Drejtësi”, Orik dhe Leart Shyti, të cilët kurrë nuk i kanë pranuar akuzat duke theksuar se janë të sajuara dhe kanë motivim të pastër politik, kanë reaguar dje duke kritikuar fillimisht mënyrën e marrjes së vendimit. Vëllezërit Shyti janë evidentuar prej vitesh në Shqipëri si anëtarë të organizatës “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”. “Në orën 14.00 të datën 7 korrik 2009, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda kishte njoftuar avokatët se do të jepte vendimin për “Hakmarrjen”. Por trupi gjykues nuk u paraqit në sallën e gjyqit as në orën 15.00 dhe askush nuk dinte të jepte arsyen. Në datën 8 korrik marrim vesh se gjykata e ka dhënë vendimin në orën 17.00”, - evidentojnë vëllezërit Shyti.
“Nuk e njohim përmbajtjen e vendimit, por thuhet se Gjykata është shprehur se ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallë së Parë”, - vijojnë dy vëllezërit. Në këtë pikë, ata theksojnë se “kuptohet se çfarë përmbajtjeje ka një vendim që nuk lexohet as në praninë e rojës së gjykatës, por njohja e tij është e nevojshme për të bërë ankesën në Gjykatën e Lartë”. Ndërsa druajnë se do të ndiqet ajo taktikë që ndoqi Gjykata e Shkallës së Parë, pra do të duhet të kalojë shumë kohë për t u njohur me përmbajtjen e vendimit. Leart dhe Orik Shyti vlerësojnë këtu se “vendimi, jo vetëm për ne, por edhe për shumëkënd që e di se pushteti personal i Sali Berishës është i pakufishëm, nuk ishte i papritur”. Dy vëllezërit pohojnë se prej kohësh “e kemi bërë të njohur bindjen tonë se vendimi do jepej kur të donte ai”, duke iu referuar Berishës. Lojën e nisur me vonesat për të penguar apelimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, - vijojnë vëllezërit Shyti, e vijoi me militantin që “i ra shorti” për të kryesuar gjykimin e “Hakmarrjes”. “Menjëherë u gjet preteksti për ta shtyrë gjykimin. Iu kërkua Këshillit të Lartë të Drejtësisë të caktonte gjyqtarin e pestë. Alibia: gjyqtarët e Gjykatës së Apelit kanë kryer veprime, domethënë janë të papërshtatshëm “për shkak të pjesëmarrjes në procedim”, siç thuhet në ligj. Kjo ishte gënjeshtër, sepse, sipas avokatit, shumica e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda nuk kanë marrë pjesë në procedim. Kështu kaluan disa muaj. Gjyqtari i pestë u caktua në fillim të vitit 2009”, - vazhdon reagimi i Shytit. Në datën 23.06.2009, ndërsa avokatët prisnin që gjykata të jepte vendim për kërkesat e mbrojtjes për marrjen e disa provave për të cilat nuk ishte shprehur më parë, ajo e quajti të përfunduar shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për të dhënë vendimin përfundimtar. Pas një kohe, trupi gjykues u kthye në sallë dhe kryesuesi tha se volumi i madh i dosjes donte më shumë kohë. “Dhurata nuk iu bë në ditën që Berisha e kishte porositur, thjesht sepse kryesuesi nuk e siguroi dot shumicën”, - theksojnë vëllezërit Shyti. Ata evidentojnë edhe se gjykata nuk pranoi të merrte asnjë nga provat e kërkuara nga mbrojtja me arsyetimin: “janë të panevojshme”. Por argumentin më mbresëlënës, - theksojnë dy vëllezërit, - për të rrëzuar një grup kërkesash të mbrojtjes, juristët e gjejnë në faqen 223-225 të procesverbalit të seancës së datës 14.04. 09: Kërkesat e “sipërcituara i referohen qëllimit të manipulimit të këtij procedimi që do të thotë sipas mbrojtjes marrjen e këtyre provave për të provuar faktin e falsifikimit... fakti i falsifikimit të procedimit nuk është objekt... i këtij procesi penal. Përndryshe për aktet apo dokumente të përcaktuara, falsifikimi i tyre përbën objekt të një procedimi të veçantë sipas parashikimit të nenit 186 të K.Penal i veçuar nga ky proces”. Vëllezërit Orik dhe Leart Shyti komentojnë se “mbrojtësit e zotit të “Hakmarrjes” dhe të Shqipërisë, duke e ditur se vepra penale e falsifikimit është amnistuar në prill 1997, na rekomandojnë të vërtetojmë falsifikimet në një gjykatë tjetër. Faktet nuk vlejnë. Rrofshin shpifjet!”. Kurse vlerësojnë se ditët, nga data 23 qershor deri në 7 korrik, nuk duheshin për të studiuar dokumentet që ka paraqitur mbrojtja, por për të ushtruar trysni mbi gjyqtarët e pabindur. Në përfundim, Leart dhe Orik Shyti, konsiderojnë se “fjalët janë harxhuar dhe nuk kanë më kuptim”. Sipas tyre, është krejt e kotë t i kujtosh popullit se Sali Berisha nuk pyet për ligjet, për Kushtetutën, për institucionet e pavarura, për standardet etj., si këto.
Kurse përmbyllin reagimin për vendimin e djeshëm të Apelit për Krimet e Rënda: “Po deklarojmë edhe një herë se Sali Berisha nuk e ka të vështirë të na dënojë, vështirë e ka të na pengojë të ankohemi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Prandaj përpiqet të na vonojë”.
Marrë nga NOA
Ky lajm është publikuar: 09/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›