Vritet me thikë kreu i shoqatës Çamëria në Lushnjë
Krimi në mes të qytetit, pas mosmarrëveshjeve për pronësinë e një librarie mes viktimës dhe vrasësit
Vrasja e 49-vjeçarit Artan Murati ka qenë paralajmëruar. Një konflikt prone, e bërë prezente dhe në bashki, i ka marrë jetën dje pasdite Muratit librashitës dhe njëkohësisht kreu i shoqatës “çamëria” të Lushnjës. Autori i vrasjes është Mustafa Lame (Hoxhaj), banor i Lushnjës, tregtar ambulant në këtë qytet, i cili është arrestuar pak minuta pas ngjarjes. Ka qenë ora 16:10 e së martës, kur në lagjen “Skënder Libohova”, Artan Murati është grindur me Mustafa Lamen. Sherri mes tyre ka nisur në mjediset e ish-tregut, për të vijuar më pas shumë pranë bulevardit ku ndodhet filiali i një banke. Po në këtë zonë ndodhet edhe libraria për të cilën Murati dhe Lame kishin kohë që konfliktoheshin. Burimet zyrtare të policisë lokale shprehen se të dyja palët në konflikt pretendonin pronësi, ndërkohë që dyqanin librari e administronte Artan Murati. Shumë pranë dyqanit të Muratit tregtonte në kushte ambulante Mustafa Lame. Pasditen e së martës, 59-vjeçari Mustafa Lame i ka shkuar pranë dyqanit Artan Muratit, i cili shiste libra dhe mallra kancelarie. Pasi kanë folur, Lame është larguar për disa minuta dhe është kthyer duke rinisur sherrin. Në sherr e sipër ai ka qëlluar tre herë me thikë 49-vjeçarin, një herë në bark dhe dy herë të tjera në shpatull. Pas ngjarjes autori është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Muratin e kanë transportuar drejt spitalit civil të qytetit. Por çdo përpjekje ka qenë e kotë, pasi ai ka vdekur sapo ka mbërritur në spital. Ndërkohë burimet nga Policia e Lushnjës pohojnë se edhe herë të tjera mes Muratit dhe Lames janë shënuar debate. Madje, në shumë prej tyre, është dashur edhe ndërhyrja e policisë. Gjithashtu mësohet se çështja e pronësisë ka qenë prezente edhe në Bashkinë e qytetit të Lushnjës, nga ku mendohet se është zanafilla e kësaj ngjarjeje të rëndë. Burimet nga Lushnja dhe ato të grupit të hetimit pohojnë se libraria që administronte viktima, dikur ka qenë një kioskë me leje provizore, e cila është transformuar në një dyqan me mur betoni. Ngjitur me aktivitetin e viktimës ka tregtuar në mënyrë ambulante prej shumë vitesh Mustafa Lame.
#