E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i krimeve: Atentati lidhet me detyrën

Ndryshe nga eprorët e tij, oficeri i plagosur thotë se nuk bëhet fjalë për arsye personale
“Nuk jam plagosur për çështje personale, por për shkak të detyrës që më është ngarkuar së fundmi, ose postin që kam pasur më parë”. Kështu ka deklaruar Altin Hadëri, shef i krimeve në komisariatin e Lushnjës, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin e Fierit. Në një prononcim për “Shqip”, Altin Hadëri nuk ka ngurruar të tregojë pasazhe nga ngjarja që i ndodhi mëngjesin e së hënës.
Dëshmia
Ai është shprehur për “Shqip” se ka mbetur i shokuar pas veprimit që ndërmori Robert Genica mbi të. “E hedh poshtë deklarimin e policisë se bëhet fjalë për çështje private. Ka shumë mundësi që unë të jem plagosur për shkak të detyrës që më është caktuar së fundmi, apo asaj që kam bërë më parë. Nuk kam asnjë konflikt personal që të mund të regjistrohej një ngjarje kaq e rëndë”, tha Altin Hadëri për “Shqip”, ndërsa ndihmohej në frymëmarrje nga një tub oksigjeni.
Lidhur me debatin e ndodhur në një pikë lotarish sportive, Hadëri tha se “salla e lotarisë sportive për të cilën bëhet fjalë administrohet nga kunati im. Ndoshta Genica ka pasur ndonjë sherr me të, që më pas e ka transmetuar te mua. Janë autoritetet policore ato që duhet të zbardhin këtë ngjarje, aq më tepër që unë jam një oficer në detyrë”.
Gjithashtu shefi i krimeve tha se Robert Genicën nuk e njihte më parë dhe se fytyrën e tij e ka identifikuar nga fotografia e servirur prej policisë. “Duke qenë punonjës policie prej shumë vitesh këtu në Fier njoh ‘CV’-të e kosovarëve të Dërmënasit dhe konkretisht të Genicëve”, tha shefi i plagosur. Ai ka thënë se personalisht nuk ndihej i rrezikuar, por ka bërë apel që kërkon një mbrojtje të familjes.
Hetimet
Zyrtarisht, Policia e Fierit ende nuk ka dalë në një komunikatë të detajuar për ngjarjen. Zëdhënësja e policisë, Valbona Meço, pohoi dje se vazhdon aksioni për gjetjen e autorit. Policia ka shtuar postblloqet pranë fshatit ku banon 32-vjeçari Robert Genica. Ndërkohë që burimet e sigurta të gazetës thonë se Hadëri mbrëmjen e së dielës, deri në orët e para të mëngjesit të së hënës kur dhe është plagosur, ka qenë në lokalin e lojërave të fatit. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, mësohet se ai është përfshirë edhe vetë në lojëra bixhozi. Këtu ka ndodhur edhe sherri për shkak të lojërave të fatit me dy-tre të rinj. Ata janë zënë me njëri-tjetrin dhe situata është agravuar në orët e para të mëngjesit, në moment kur dhe ai është plagosur nga Robert Genica, si i dyshuari kryesor prej policisë. Për shkak të kësaj piste hetimi ku dhe është përqendruar grupi hetimor, policia është mjaftuar me komunikatën “e thatë” të dhënë një ditë më parë ku është shprehur se ngjarja ka ndodhur për motive banale.
Mjekët
Ndërkaq mësohet se gjendja shëndetësore e shefit të krimeve në Komisariatin e Lushnjës vazhdon të jetë kritike. Mjekët e repartit të reanimacionit në spitalin rajonal të Fierit e kanë mbajtur në survejim të plotë atë gjatë gjithë natës së kaluar dhe ditës së martë. Mjekët thonë se Hadëri ka pasur komplikacione gjatë natës. Ai ka shfaqur temperaturë të lartë dhe plaga ka qenë e kontraktuar. Ndërkohë mësohet se plumbi i ka prekur edhe shtyllën kurrizore, gjë që mund t’i shkaktojë probleme serioze në të ardhmen.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›