Tropojë, var veten në litar gjimnazistja
Vetëvrasja
Trupi pa jetë u gjet nga motra e vogël e 17-vjeçares. Nuk dihen motivet
Vret veten gjimnazistja e vitit të tretë, mister shkaqet që kanë çuar adoleshenten në vetëflijim. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së martës në fshatin Buçaj të Komunës Tropojë e Vjetër. 17-vjeçarja E.Haxhi, gjimnaziste e vitit të tretë, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në litar. Ka qenë ora 13:00, kur vajza është gjetur e varur në katin e tretë të shtëpisë në dhomën e saj të fjetjes ngjitur me krevatin. E para që ka parë trupin e pajetë të vajzës që lëkundej në ajër ka qenë motra e vogël e viktimës, e cila e tmerruar ka alarmuar shtëpinë dhe më pas është njoftuar komisariati i rrethit. Mësohet se 17-vjeçarja vijonte gjimnazin në Tropojën e Vjetër dhe nuk vuante nga ndonjë sëmundje depresive. Ende nuk dihen motivet që e kanë shtyrë vajzën t’i japë fund jetës. Familja Haxhi është e njohur si familje e rregullt dhe nuk ka pasur probleme ekonomike. Prokurori i rrethit i kontaktuar me telefon nga “Shqip” shprehet se po bëhen hetime për dy apo tre pista dhe për momentin asgjë e saktë nuk mund të thuhet. Kreu i organit të akuzës së Tropojës ka shtuar se vajzës do t’i bëhet autopsia, si dhe do të hetohet për të zbardhur motivet që e çuan në vetëflijim.
#