Qëllon me gurë gruan, merr arratinë
Ka rrahur gruan për shkaqe xhelozie dhe tani ka marrë arratinë, për t‘u shpëtuar prangave. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në lagjen "Emin Matraxhiu" të qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve policore, 44-vjeçarja M.Shabani, e cila është paraqitur në spitalin e qytetit me shenja dhune, ka deklaruar se bashkëshorti e kishte rrahur dhe goditur me gurë në fytyrë. Policia është gjendur shpejt në vendngjarje dhe ka vënë re se afër banesës së gruas, ka pasur njolla të shumta gjaku. I njëjti burim saktëson se bashkëshorti i 44-vjeçares, Ferit Shabani, 48 vjeç, është autori i krimit, por ai është larguar në drejtim të paditur për t‘iu fshehur drejtësisë. Ferit Shabani është shpallur në kërkim nga policia dhe po punohet për gjetjen e vendndodhjes së tij, ndërkohë prokuroria ka nisur ndaj tij çështjen penale me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.