Arrestohet plaku i dënuar për vepra të turpshme me të mitura
Një i moshuar, i cili ishte dënuar me kusht për ngacmimin seksual të një të miture, është arrestuar dje nga policia e Fierit, pasi ishte larguar nga fshati i tij. Thoma Marini, 79 vjeç, nga Libofsha e Fierit është kthyer në qeli, pasi kishte dalë nga shtëpia, edhe pse ishte i detyruar të qëndronte brenda. Marini u arrestua një vit më parë me akuzën për kryerje të veprave të turpshme me të mitura, parashikuar nga neni 108 i Kodit Penal. Më 4 dhe 5 janar të vitit 2008 ai ka kryer veprime të turpshme ndaj shtetases A.F. në atë kohë 12 vjeçe. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e ka dënuar 79-vjeçarin Thoma Marini me 1 vit burg, por për shkak të moshës dënimi me burg u konvertua në dënim me kusht dhe 79-vjeçarit iu bë e qartë se duhet të qëndronte në shtëpi deri në përfundim të afatit të dënimit. Por plaku nuk dëgjoi dhe nisi të dilte nga shtëpia e të frekuentonte disa lokale të Fierit, ku sipas policisë dyshohet se janë punësuar prostituta. Pasi është vënë re kjo lëvizje, Prokuroria e Fierit ka lëshuar një urdhër për policinë, e cila e ka arrestuar plakun, i cili do të detyrohet të kalojë në qeli dy muajt e mbetur të dënimit.