E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie në humnerë makina, vdes në vend 34-vjeçari

Një aksident i rëndë me pasojë një të vdekur dhe një të plagosur është shkaktuar si pasojë e ngricave në rrugë, në aksin Shkodër -Pukë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur dje në orët e para të mëngjesit në një zonë mes Pukës dhe Shkodrës, në vendin e quajtur Qafë-Qelë. Sipas policisë, automjeti tip "Fuoristradë" me targa të huaja ka dalë jashtë kontrollit dhe ka rënë në një greminë rreth 300 m të thellë. Në automjetin në fjalë gjendeshin dy vëllezër nga Mirdita. Sipas të njëjtave burime, Zef Nikolli, 34 vjeç, i cili gjendej në sediljen e pasagjerit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda. Ndërsa Ndue Nikolli, 27 vjeç, drejtuesi i mjetit, ndodhet i shtruar në spitalin rajonal të Shkodrës, në gjendje kritike për jetën. Sipas policisë, i plagosuri, edhe pse në gjendje shumë të rëndë shëndetësore ka mundur të dalë nga gremina dhe është munduar të kërkojë ndihmë. Ekspertët e policisë rrugore që shkuan në vendngjarje thanë se nga hetimet e para rezulton se shkak i aksidentit kanë qenë ngricat në rrugë dhe se shpejtësia e lëvizjes ka provokuar daljen nga rruga dhe rënien në greminë të mjetit. Aksi rrugor Shkodër - Pukë është një ndër akset më të rrezikshme të Qarkut të Shkodrës, jo aq shumë për sa i përket amortizimit të rrugës sesa faktit se e gjithë rruga shoqërohet nga gremina tepër të thella dhe nuk ka asnjë bordurë për të parandaluar rënien në greminë.

Ngricat në rrugë kanë shkaktuar një numër aksidentesh edhe në Qarkun e Kukësit, por fatmirësisht këtu nuk ka pasur viktima apo të lënduar rëndë. Korrespondenti ynë në këtë qark njofton se

temperaturat e ulëta të dy-tri ditëve të fundit kanë krijuar vështirësi të mëdha për lëvizjen e automjeteve. Burime të policisë tregojnë se në Qarkun e Kukësit, në mëngjesin e së enjtes ka pasur të paktën katër aksidente të lehta pa pasoja në jetën e personave, por që kanë shkaktuar dëmtime të automjeteve. Tre nga aksidentet kanë ndodhur në rrugën Kukës-Tiranë, në afërsi të Shëmrisë dhe Qafë-Shllakut dhe një në rrugën Kukës-Shishtavec. Temperaturat e natës së të mërkurës kanë shënuar vlera mjaft të ulëta deri në minus 10 gradë Celsius. Akulli dhe ngricat kanë krijuar probleme edhe në rrugët rurale ku një numër komunash vazhdojnë të mbeten të izoluara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›