Pukë, zbresin nga mali katër të bllokuarit
Katër personat të cilët mbetën të izoluar në mes të dëborës të mërkurën arritën të dilnin nga Kulla e Midës ku u strehuan, vetëm në orën 05:00 të mëngjesit të djeshëm. Burime nga policia e Shkodrës thanë se janë dashur dy makina borëpastruese të shoqëruara nga forcat e policisë së Komisariatit të Pukës për të hapur rrugën nga Kulla e Midës dhe dërgimin e tyre në spital. Policia tha se gjendja shëndetësore e Nazmi Hilës dhe Arben Ndocit është shumë më e mirë krahasuar me atë të Pjerin Vocit e Angjelin Gerës, të cilët u dërguan dje paradite në spitalin e Pukës. Mjekët morën në trajtim dy personat të cilët dolën rreth mesditës nga ambientet spitalore në gjendje më të mirë shëndetësore. Nazmi Hila, Pjerin Voci, Angjelin Gera dhe Arben Ndoci u nisën pasditen e së mërkurës në drejtim të vendit të tyre të punës, në kullat e transmetimit të radiove të Ministrisë së Mbrojtjes, por për shkak të motit të keq mbetën në mes të dëborës për më shumë se 24 orë.