E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në prill regjistrohet popullsia, serbët kundër

Prishtinë - Dy javët e para të muajit prill të këtij viti do të jenë periudha e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, për herë të parë pas 30 vjetësh. Kosova do të bëjë regjistrimin me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Kryetari i komisionit shtetëror për këtë regjistrim, Rifat Blaku, tha sot se kjo paraqet ngjarjen kryesore të vitit 2011.“Republika e Kosovës shënon edhe një progres, sepse po hyn në kuadër të shteteve të cilat prodhojnë statistika të besueshme, të qëndrueshme, të matshme, të krahasueshme dhe është një nga shtyllat tepër të rëndësishme për funksionimin e shtetit”, tha Blaku. Por, ende është e paqartë se si do të zhvillohet ky proces në zonat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës, ku nuk njihen dhe pranohen institucionet e Prishtinës. Përfaqësues të komunitetit serb në atë pjesë thanë se nuk ka kushte për regjistrim të popullsisë, ndërsa akuzuan Prishtinën se po synon përfitime politike, një qëndrim ky edhe i Beogradit zyrtar, i cili e ka shtyrë procesin e regjistrimit deri në vjeshtën e këtij viti. Blaku thotë se procesi nuk duhet të ketë ngjyrime politike dhe se i tëri do të jetë i njëjtë për tërë Kosovën. “Edhe njëherë po e nënvizoj, që projekti nuk është politik dhe nuk duhet të politizohet. Ne nuk jemi ata të cilët konstatojmë se kush dhe si do të pozicionohet, aq më pak për serbët ose qëndrimet e një shteti tjetër”, tha Blaku. Procesi i regjistrimit pritet të krijojë një pasqyrë më të qartë demografike, që Kosova nuk e kishte për një kohë të gjatë dhe deri tash të gjitha statistikat janë bërë në bazë të vlerësimeve të përafërta demografike. Sipas Blakut, vlerësimet e tilla janë të përafërta me atë që pritet të dëshmojë regjistrimi i muajit prill. “Përafërsisht duhet të jetë diku rreth 1 milion e 900 mijë apo 2 milionë rezidentë brenda vendit, si dhe mbi 500 mijë në forma të ndryshme të emigracionit, qoftë si emigrantë ekonomik, azil kërkues, refugjat apo si gjenerata e dytë dhe e tretë”, tha Blaku. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë ka ndodhur në vitin 1981. Dhjetë vjet më vonë, shqiptarët bojkotuan regjistrimin që po bëhej nga Beogradi. Regjistrimi i atij viti fliste për rreth 200 mijë banorë serb në Kosovë. Autoritetet në Prishtinë hedhin poshtë pretendimet e Beogradit se numri i të shpërngulurve serbë nga Kosova është rreth 250 mijë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›