Rama: Berisha dhe Meta, përpjekje për të budallepsur popullin
Një provokim për të madh e të vogël dhe një përpjekje për të budallallepsur një popull të tërë, i quajti Edi Rama qëndrimet e fundit të kryeministrit Sali Berisha dhe zëvendëskryeministrit Ilir Meta, ndaj përmbajtjes së videos së publikuar disa ditë më parë, ku flitej për afera korruptive me pasuritë publike. Në një dalje të dytë radhazi, shefi i selisë rozë, duke iu referuar pikërisht përmbajtjes së videos dhe reagimit të përfaqësuesve të mazhorancës, ka theksuar se qeveria nuk e meriton më bashkëpunimin me opozitën. “Berisha dhe Meta duhet të largohen, pasi me qeveri të inkriminuar dhe që mohon sy më sy një shfaqje tronditëse, të sulmojë opozitën si të lidhur me krimin, nuk ka bashkëpunim”, - u shpreh Rama. Rama mohoi që video të jetë prodhim i opozitës, duke theksuar në të njëjtën kohë se me këto akuza, qeveria nuk bën gjë tjetër veçse hedh baltë mbi median e lirë. “Çifti i llumit, Saliu dhe Meta, jo thjesht e mohuan njëzëri videon, por sot të shfaqur mes llumit me zë e fytyrë, duke u përpjekur me broçkulla e shëmtime që, sipas tyre, i ka bërë opozita, por që në fakt i ka bërë një emision investigativ, që kanë marrë dhenë nëpër televizione e media të botës”, - tha Rama. Më tej, ai akuzoi dy drejtuesit e kabinetit qeveritar, si persona të rrezikshëm për popullin shqiptar dhe që duhen larguar. “Sot doli shumë qartë se çfarë respekti kanë për popullin këta kusarë e matrapazë, që duan jo vetëm të plaçkitin gjithçka, siç ndodhi me votat, por të tallen me popullin e tyre, për ta zhytur në llumin e pushtetit të votave të vjedhura dhe të dy bashkë kanë marrë përsipër të vjedhin këtë popull sy më sy”, - u shpreh Rama, ndërsa bëri apel për largimin sa më parë të kësaj qeverie.