E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Raporti “Marty” nuk ka prova e fakte

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, theksoi dje se raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty, ka keqpërdorur besimin e KE, pasi nuk ka fakte dhe prova. “Ne duam që në lidhje me këtë raport, EULEX të bëjë hetimet e nevojshme”, u shpreh Jozefina, pas takimit me Presidentin në detyrë të Kosovës, Jakup Krasniqi. Në mënyrë të veçantë, znj Jozefina Topalli theksoi se çështja e statusit të Kosovës është një çështje tërësisht e mbyllur. Gjatë takimit, Topalli dhe Krasniqi konstatuan marrëdhëniet e ngushta, të shkëlqyera midis dy vendeve, në të gjitha fushat, ndërsa shprehën angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. Në mënyrë të veçantë, kryeparlamentarja vlerësoi shkëmbimet e shumta të eksperiencave dhe bashkëpunimin midis Parlamenteve dhe komisioneve parlamentare, të të dyja vendeve. “Kam kënaqësinë, që gjatë vitit të kaluar kemi pasur shumë shkëmbime eksperiencash dhe bashkëpunimi përmes komisioneve parlamentare. Shpreh kënaqësinë të konstatoj edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ne jemi të bindur dhe të vendosur se do t’i çojmë edhe më tej në të gjitha drejtimet”, theksoi Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›