Projektligji, kush rreh gruan nuk përfiton falje
Të gjithë ata persona që gjenden të dënuar, apo që do të dënohen për rrahje apo dhunë ndaj grave të tyre, nuk do kenë më të drejtë të pretendojnë, apo kërkojnë të përfitojnë nga falja që bënë kreu i shtetit. Mazhoranca e djathtë, në kuadër të angazhimit të saj për të luftuar me çdo mjet dhunën në familje, dhe sidomos atë ndaj grave, ka vendosur që të sanksionojë në ligj se të gjithë ata që e kryejnë këtë vepër penale, nuk do mund të falen më nga Presidenti i Republikës.
Projektligji
Ka qenë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ajo që në të drejtën që i jep ligji, ka ndërmarrë nismën legjislative për të forcuar masat penalizuese ndaj të gjithë atyre individëve që shkaktojnë apo ushtrojnë dhunë ndaj familjarëve të tyre dhe kryesisht grave. Topalli ka hartuar për këtë qëllim një amendament konkret, për të ndryshuar ligjin “Për faljen”, në pikën ku dhe listohen veprat penale, të cilave u ndalohet e drejta për të përfituar nga institucioni i faljes. Kështu, me anë të këtij amendamenti, kërkohet që në nenin 6, pika e ligjit “Për faljen”, të shtohet një gërmë e veçantë me këtë përmbajtje: personi i dënuar ka kryer veprën penale me egërsi dhe mizori apo kundër fëmijëve, grave a personave, që për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen ose kundër personave të cilët kanë marrëdhënie familjare. Pra bëhet fjalë për të shtuar në listën e veprave që nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga falja e presidentit edhe atë të dhunës ndaj grave. Gjithashtu me anë të këtij ndryshimi bëhet e mundur që të ndalohet falja edhe për atë kategori njerëzish që ushtrojnë dhunë në familje apo ndaj atyre personave që kanë lidhje familjare.
Relacioni
Një hap në drejtim e duhur konsiderohet ky projektligj nga propozuesja, Jozefina Topalli, në relacionin që e shoqëron këtë nismë. Sipas saj, lufta kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, ka qenë dhe mbetet një prioritet absolute për vendin tonë. Ndaj miratimi i një legjislacioni efikas në këtë fushë është një ndër hapat më përcaktues, i cili mundëson ndërhyrjen efektive të institucioneve shtetërore dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Ky ndryshim synon të ndikojë si një masë e drejtpërdrejtë, për të luftuar dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, në përgjigje të këtyre fenomeneve negative për shoqërinë shqiptare. “Në përmbajtjen e tij, projektligji shton kriteret ndaluese për faljen e dënimit, për personat që kryejnë vepra penale ndaj grave dhe pjesëtarëve të familjes së tyre”, - shprehet Topalli, në relacionin e vet. Ky nuk është i vetmi angazhim i kryeparlamentares në këtë drejtim, pasi vetëm dy ditë më parë, ajo organizoi në ambientet e kryesisë, një konferencë dy ditore për masat që duhen marrë, për të luftuar këto fenomene negative.