E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paqe këtë herë?

Dështimi për të arritur një marrëveshje nën kushtet kaq të mira për kohën dhe rrethanat nuk sinjalizon ditë të mira për bisedimet e ardhshme. Por Netanyahu ka thënë se atëherë kur do të fillojnë bisedimet, “do t’i befasojmë të gjithë”, dhe palestinezët kanë përparuar më shumë se kurrë në krijimin e kapaciteteve për ndërtimin e institucioneve të nevojshme për pavarësi kombëtare

Vendimi për rifillimin e bisedimeve direkte ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve në Washington ishte një lajm i mirë. Porse a do të çojnë këto bisedime në një marrëveshje paqësore, kur kanë kaluar më shumë se një vit prej marrjes së presidencës nga Barack Obama, është një tjetër çështje.
Kur Obama, dy ditë pas inaugurimit president, emëroi ish-senatorin George Mitchell të dërguar të veçantë për Lindje të Mesme, shumëkush shpresoi se brenda dy vjetësh ai do të ndërmjetësonte një marrëveshje ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve – dhe pajtim ndërmjet Izraelit dhe të gjithë fqinjëve të tij arabë.
Se a do të kemi një marrëveshje të njëmendët paqësore pas tetëmbëdhjetë muajsh të presidencës së Obamas, apo do të jetë kjo thjesht një përpjekje e radhës e administratës së papërvojë të Obamas pas shumë vizitash në rajon të Mitchell, ai arriti vetëm të marrë pajtimin e të dyja palëve për rikthim në tavolinën e bisedimeve direkte.
Problemi më i madh është se palët ka më shumë se 17 vjet që bisedojnë ndërmjet vete, nën liderë të ndryshëm palestinezë dhe izraelitë, dhe nën dy presidentë amerikanë. Por nuk ka arritje të madhe kthimi në procesin e bisedimeve, kjo është më shumë një përpjekje për dëmtim të kontrollit. Dhe Mitchell, i cili kishte marrë lëvdata për ndërmjetësimin e suksesshëm të marrëveshjes paqësore në Irlandën Veriore – që kishte sjellë shpresat për paqe edhe në këtë proces – detyra e tij e fundit mund t’ia dëmtojë imazhin e një ndërmjetësi të suksesshëm.
Konflikti në Irlandën Veriore gjithnjë ka qenë territorial: madje as edhe një herë të vetme edhe grupi më radikal republikan irlandez nuk ka mohuar legjitimitetin e Britanisë së Madhe – por vetëm sundimin britanik në gjashtë provincat, të cilat ata i konsideronin Irlandë e Bashkuar. Por qorrsokaku palestinezo-izraelit vetëm pjesërisht është kontest territorial. Kontesti nuk i takon madje as kohës së pas pushtimit izraelit të vitit 1967 të Bregut Perëndimor; që nga koha e planit të ndarjes të Kombeve të Bashkuara të vitit 1947 – që bënte thirrje për krijimin e dy shteteve të reja, një hebraik dhe një arab – palestinezët kanë refuzuar të njohin ekzistencën e shtetit izraelit, dhe shumica e izraelitëve nuk mendojnë se pala kundërshtare ka ndryshuar mendje nga qëndrimi i moçëm.
Duke qenë veshshurdhër karshi këtyre çështjeve themelore, Mitchell mori në thua që me fillim, edhe me inkurajimin e Obamas, duke mos marrë parasysh kërkesën fillestare për ngrirjen e procesit të kolonizimit izraelit në Bregun Perëndimor. Këmbëngulja palestineze ishte një kërkesë e arsyeshme dhe pastaj do të mund të fillohej me bisedime. Por të bëhej ngrirja e procesit kolonizues ishte një parakusht i papranueshëm për Qeverinë izraelite, e cila nuk pranonte të futej me këto kushte në bisedime.
Më shumë se një vit ka marrë kohë kjo mesele, duke shkaktuar në mesin e gjërave tjera, edhe tensione ndërmjet kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe administratës së Obamas. Në fund mezi u mor pajtimi i Netanyahut për rikthim në bisedime – i cili lëshoi pe meqë edhe ashtu është planifikuar që ato të mbarojnë në muajin shtator – dhe mbase nën presionin amerikan, palestinezët u kthyen në tryezë, megjithëse nuk kanë marrë garancitë se mund të rifillojë procesi i kolonizimit.
Jo vetëm se ishte humbur një kohë e çmuar, por ishte shkaktuar dëm më i madh. Madje edhe izraelitët të cilët nuk mbështesin qëndrimet e ashpra të Benjamin Netanyahut, nuk u pëlqeu kur panë kryeministrin e tyre duke u trajtuar nga SHBA-ja sikur ai të ishte lider i Voltës së Epërme. Në fund të fundit ai u pajtua, në kundërshtim të madh me qëndrimin e partisë së mëhershme pushtetare Likud, vitin e kaluar tha se do të mbështeste zgjidhjen me dy shtete, një zgjidhje që ende konsiderohet një anatemë për shumë anëtarë të Likudit, sikur edhe për së paku tri partitë më të vogla të koalicionit të tij qeveritar.
Tani që bisedimet do të fillojnë, a do të arrijnë diçka themelore, apo ndoshta samiti i Washingtonit do të jetë edhe një mundësi tjetër fotografimi, siç u bë me samitin e Annapolisit të ish-presidentit Bush më 2007? Madje edhe optimisti më i madh nuk do të garantonte më shumë se pesëdhjetë për qind sukses pas këtyre bisedimeve.
Arsyet kësaj radhe janë më të ndryshme sesa që zakonisht e kanë karakterizuar paqebërjen në Lindje të Mesme. Madje edhe në rast se Netanyahu do të ndiqte një rrugë realizmi, disa partnerë të tij qeveritarë do ta braktisnin koalicionin.
Nga pala palestineze, Autoriteti Palestinez i Mahmoud Abbasit ka humbur kontrollin më 2006 të Rripit të Gazës – tani të sunduar nga qeveria joligjore e “Hamasit” – dhe prandaj ai nuk përfaqëson zërin unik palestinez. Dhe tani që më shumë se 600 palestinezë të vrarë gjatë betejave të “Hamasit”, pakkush beson se do të ketë një ujdi ndërpalestinezësh për arritje të marrëveshjes paqësore të këtyre të fundit me Izraelin.
Me fjalë tjera, para se bisedimet paqësore ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve të dështonin para dy vjetësh, Qeveria e mëhershme e kryeministrit Ehud Olmert dhe ministres së Punëve të Jashtme, Tzipi Livni, bisedoi për më shumë se dy vjet me Autoritetin Palestinez. Kjo ishte Qeveria më e moderuar e mundshme, dhe e njëjta mund të thuhej për “Fatahun” që kontrollonte Qeverinë e Autoritetit Palestinez. Por me gjithë ato bisedime e takime private dhe publike, të dyja palët nuk u përafruan.
Madje edhe liderët më të moderuar të të dyja palëve nuk mundën të arrinin pajtim në çështjet kryesore të konfliktit: kufijtë, kolonitë, Jerusalemin dhe për fatin e palestinezëve të zhvendosur dhe pasardhësve të tyre të vitit 1947-48. Të dyja palët kanë një pengesë në mes që bllokon procesin paqësor: Olmertit arritja e një marrëveshje paqësore do të mund t’ia shpëtonte pozicionin e kryeministrit të rrezikuar, dhe kjo do të ishte një kartë e fuqishme për “Fatahun”, i cili de fakto ishte në luftë civile me “Hamasin”.
Dështimi për të arritur një marrëveshje nën kushtet kaq të mira për kohën dhe rrethanat nuk sinjalizon ditë të mira për bisedimet e ardhshme. Por Netanyahu ka thënë se atëherë kur do të fillojnë bisedimet, “do t’i befasojmë të gjithë”, dhe palestinezët kanë përparuar më shumë se kurrë në krijimin e kapaciteteve në ndërtimin e institucioneve të nevojshme për pavarësi kombëtare. Madje edhe një optimist hutaq mund ta shikojë se kësaj here mundësitë për pajtim janë mbase më të mira se kurrë.

(Autori, ish-drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, është profesor i shkencave politike në Universitetin Hebraik të Jerusalemit. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›