E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pritje të Montit

Megjithëse dikur në vitin e largët 1878, Kongresi i Berlinit i caktoi Italisë si zonë infl uence të saj Shqipërinë ende pjesë e Perandorisë Osmane asnjëherë Roma nuk e pati për zemër protektoratin që i lanë. Vite më vonë, Viktor Emanueli i III që erudicionin dhe diturinë e kish në përpjesëtim të zhdrejtë me bukurinë, do ta quante vendin e shqiptarëve “një grumbull gurësh”. Për “Qytetin e Përjetshëm”, Shqipëria ishte poligon për të provuar ambiciet perandorake të mbretërisë në Luftërat Botërore; entitet për tu shpërfillur në pesëdhjetë vjeçarin e pas Luftës së Dytë dhe ndihmësi më i madh ekonomik në njëzet vjetët e fundit. Dashuria e saj e madhe ishte gjithmonë për “pirgjet e rërës” që ishin vendet e Afrikës Veriore. Ndërkohë, Shqipëria e ka parë gjithmonë fqinjin e vet si shembull në mënyrën e jetesës, Mekë e kulturës, destinacion i shkollimit të fëmijëve dhe strehë në rast përndjekje apo luftërash.
Marrëdhënia është karakterizuar nga të përpjetat dhe tatëpjetat. Së fundmi, kur Italia kërkonte votën e Shqipërisë për në Këshillin e Sigurimit, Berisha i sapo ardhur në pushtet, deklaronte se do ja jepte Gjermanisë, duke lënë pa gojë ambasadorin italian. “Mund ta kuptonim këtë qëndrim nga Kroacia – shprehej në një bisedë private Ambasadori Iannuçi – por nga Shqipëria nuk ka sens”. Rrugët e jugut të cilat financoheshin nga buxheti italian, për inatet primitive të Berishës, devijoheshin, duke riforcuar bindjen e partnerit jo serioz ku rregullat e lojës nuk kanë vlerë. Shto këtu korrupsionin, mungesën e pronësisë së qartë, mangësi në krah pune të specializuar, infrastrukturë rudimentare krahasuar me fqinjët, të gjitha këto nuk e bëjnë Shqipërinë oreksndjellëse. Edhe gjeografia ka peshën e saj në këtë raport. Përmasa e Shqipërisë, e cila është më e vogël në sipërfaqe, popullsi dhe zhvillim ekonomik se rajoni përballë i Puglias, ndikon në mendimin gjeopolitik të Romës. Peshon faktori trashëgimi dhe rreshtimi i Italisë në radhët e humbësve të Luftës së Dytë, bëri që vendi ti kushtohej thellësisht vetvetes, pa parë jashtë kufijve për arsye se fituesit do ta shikonin me dyshim çdo lëvizje të saj. Një përpjekje e ndruajtur në kapërcyellin e viteve ’50 të shekullit të shkuar, për të rritur ndikimin në pellgun mesdhetar e ish presidentit Giovanni Gronchi, u shtyp në vezë. Duhej rënia e Murit të Berlinit, që trashëgimtarët e Perandorisë Romake të shikonin ndrojturazi vendet matanë deteve që i rrethonin, Ballkanin përfshirë.
Rroposja e komunizmit, solli rikonfigurim të gadishullit sherrxhi. Duke ju larguar vendeve kufitare të Greqisë për të cilat fqinji ynë grindavec i jugut ka qenë gjithmonë xheloz, me shpërbërjen e ish Jugosllavisë, Italia gjeti tek Serbia jo më ish konkurrentin e dikurshëm që luante me peshën e federatës, por një shtet të ridimensionuar. Megjithëse Beogradi e ka bërë të qartë se raporti preferencial është me Moskën, Roma nuk ka mënuar të dashurohet me fqinjin tonë verior. Firmosja e Traktatit të Partneritetit Strategjik me Serbinë, përpara se me Shqipërinë, ishte tregues i riorientimit të vektorëve të Italisë në Ballkan. Ky gjest kryhej nga Berluskoni, mik i pretenduar i dy kryeministrave të fundit shqiptarë. Përballë një Greqie belaçure, Maqedonie hemafrodite, Kroacie filogjermane, Sebie fodulle, Sllovenie më të pasur se Italia vetë, do ishte normale që Roma të dashuronte Shqipërisë. Por kjo ende nuk ka ndodhur.
Në vitet e rizgjimit të saj, politika e jashtme italiane, është fokusuar e gjitha në aspektin ekonomik. Italia nuk ka qenë e ndjeshme për standardet politike të partnerëve të saj dhe tonat gjithashtu. Ambasada italiane në Tiranë, është e dyta për nga madhësia pas asaj të Washingtonit, që Roma ka në botë. Por kjo nuk ka sjellë të njëjtin impenjim në mbarëvajtjen dhe prosperimin e Shqipërisë edhe politikisht. Vitet e fundit kanë shënuar konformizëm të përfaqësuesit zyrtar italian me qeverinë e Tiranës, pa marrë parasysh standardet demokratike të saj. Mund të quhet sjellje brenda kornizës diplomatike, por përfaqësuesi i një vendi të rëndësishëm të BE-së, ka edhe detyrën e vëzhgimit të standarteve politike dhe nxitjes së emancipimit të shoqërisë shqiptare. Dhe në rastin e qeverisë Berisha, ka mjaft për të kritikuar.
Kryeministri aktual italian që do vizitojë vendin tonë, është përfaqësues tipik i elitës teknike italike. Korrekt në sjelljen ndaj pasurisë publike ka shkurtuar shpenzimet e qeverisë, dhe paraqiti në publik edhe faturën e darkës së Krishtlindjeve që kishte konsumuar në selinë e tij. I vetëdijshëm për mungesën e mandatit të zgjedhësve, po mundohet të bëjë më të mirën në politikën e jashtme me vizitat në vendet ku Italia ka interesa dhe projekton të ardhmen. Po përpiqet në mandatin e tij, për krijimin e imazhit të një partneri serioz dhe të besueshëm. Deri tani ja ka arritur t’iu japë të kuptojë interlokutorëve në botë se vendi nuk do jetë ai i politikave të barcaletave të Berluskonit, por as anëtari i ndrojtur i BE-së dhe NATO-s, i cili vetëm paguan faturat, por nuk pyetet për vendimet. Ja tha Merkelit në Berlin shqeto.
Vizita e Mario Montit në Shqipëri ka shqetësimin për të siguruar vazhdimësinë e primatit italian në ekonominë shqiptare. Për një politikë afatgjatë, duhet të ketë edhe synimin e prurjes në këtë vend të investitorëve të mëdhenj italianë të veriut dhe shndërrimin e Shqipërisë në platformë për ekspansionin, këtë radhë ekonomik të Italisë në Ballkan. Edhe në rrafshin politik, ka ardhur koha që Roma të marrë iniciativa për demokratizimin e vendeve ku synon të ketë ndikim. Një shembull tipik është Shqipëria. Larg interesave anglo-franko-gjermane, ose më saktë e tillë që nuk mund të rrezikojë ekuilibrat europianë; një vend pro amerikan, por kjo e fundit e pamundur që të impenjohet përveç në rang ambasadori në këtë zonë; Italia ka rastin edhe të eksportojë dhe investojë demokraci, edhe të bëjë provën e ekspansionit politik të saj. Dhe situata ku ndodhet vendi ynë, është ideale për një bankoprovë të implementimit të këtyre vlerave nga aleati italian. Eksperiencën e ka. Dy vendet ngjajnë në simptomat e zhvillimeve politike. Kuptohet me diferenca në klas. Ashtu si Italia së fundmi, edhe Shqipëria vuan stanjacionin politik. Vendi është bllokuar nga një politikan, i cili ka mbi njëzet vjet që dikton jetën e vendit dhe së fundmi ka okupuar çdo sektor të shoqërisë. Italia vetë doli nga një impas politik, ku ish kryeministri Berluskoni i ardhur para njëzet vjetësh në politikën italiane në emër të luftës kundër korrupsionit dhe sistemit partitokrat, ishte kthyer në një makth për Italinë, e cila nuk do ishte në gjendje të çlirohej pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar. Berluskoni e la Italinë në krizë, dhe në qeverisjen e tij arritja e shënuar qenë ligjet që favorizonin biznesin e tij privat dhe e mbronin nga proceset gjyqësore. Shqipëria ndodhet në të njëjtën situatë, kur një politikan i ardhur në fuqi me flamurin e përmbysjes së komunizmit, ka zënë krejtësisht hapësirën politike, asfiksuar liritë dhe akaparuar pasuritë e vendit nëpërmjet biznesmenëve të lidhur me familjen e tij. Duket se vendi nuk ka fuqinë të çlirohet nga kjo kapje vetëm me forcat e tija. Mbajtja gjatë nën presion, mund të shkaktojë shpërthime të pa parashikuara ku pasojat, e dyta pas shqiptarëve, do ti ndjejë Italia. Dhe është rasti i Montit që të mundësojë edhe një dimension të ri të politikës italiane jashtë kufijve. Nuk bëhet fjalë për një mision të ri “Alba”. Është një profesion të cilin fuqitë e vjetra kontinentale si Anglia dhe Franca e dinë se si ushtrohet. Italia gjithmonë e ka aspiruar. Le ta provojë një herë se si mund ti japë një perspektivë të re, vendit të vogël me të cilin gjeografia e ka lidhur në mënyrë të pandashme.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›