Në pritje të vendimit për Gotovinën

Kisha katolike e Kroacisë i ka bërë thirrje besimtarëve që të lutën për lirimin e tij. Shoqatat e veteranëve të luftës në Kroaci madje kanë planifikuar organizim të kremtimeve, për të pritur kthimin e “heroit të luftës”, Ante Gotovina.
Por se a do të dalë si njeri i lirë Gotovina 55-vjeçar nga qelia e tij në burgun e Tribunalit të OKB-së në agë, kjo mbetet krejtësisht e paqartë.
Prokurori Alan Tieger ka kërkuar dënime më burg prej 17 deri në 27 vjet për Gotovinën dhe dy të bashkakuzuarve tjerë: sipas Tieger, është dëshmuar qartë përfshirja e tyre në dëbimin e planifikuar të dhjetëra mijëra serbëve nga Krajina, në gusht të vitit 1995.
Edhe sot e asaj dite, operacioni “Stuhia”, i kryesuar nga Gotovina, në Kroaci cilësohet si pikë e kthesës në luftën kombëtare për çlirim nga pushtuesit serbë-ndërsa në Serbinë fqinje, ky aksion konsiderohet si “spastrimi më i madh etnik” që ka ndodhur gjatë luftërave në ish-Jugosllavisë. Për shkak të aksionit “Stuhia”, Beogradi ka paditur madje Kroacinë për gjenocid në gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kështu nuk mendon Konferenca e Peshkopëve të Kroacisë, e cila ka theksuar se Kroacia ka qenë viktimave e agresionit dhe kriminelëve serbë.
Gotovina ka lindur në Tkon, afër Zarës. Si 16 vjeçar, ai u largua nga atdheu i tij. Në moshën 18 vjet, ai u anëtarësua në Legjionin e të Huajve. Ai luftoi në Xhibuti dhe Kongo. Pasi që mori nënshtetësinë e Francës, ai punoi në shumë shërbime franceze të sigurisë, e një kohë ishte edhe truproje e politikanit të ekstremit të djathtë, Jean Marie Le Pen.
Për shkak të një plaçkitje, ai në vitin 1986 qëndroi për një kohë të shkurtë në burg. Në fund të viteve të 80-ta, ai trajnojë disa organizata paramilitare në Amerikën Jugore, para se të kthehej në atdheun e tij, në vitin 1991: në armatën e re të Kroacisë atëbotë nevojitej shërbimi i luftëtarëve me përvojë.
Si reagim ndaj shpalljes së pavarësisë nga ana e Kroacisë, në vitin 1991, udhëheqësit e pakicës serbe formuan “Republikën Serbe të Krajinës”. Paramilitarët serbë filluan fushatën e spastrimeve etnike dhe për bashkimin e këtij rajoni me Serbinë.
Pas dëbimit të civilëve serbë, në verën e vitit 1995 pasoi kundërpërgjigjja kroate.
Brenda vetëm disa ditëve, ushtria kroate jo vetëm që shkatërroi forcat e serbëve të Krajinës, por nxiti edhe një valë të refugjatëve: mbi 200 mijë serbë u larguan atëbotë nga ky rajon. Për të parandaluar kthimin e tyre, shtëpitë e serbëve u shkatërruan në mënyrë sistematike nga ushtarët kroatë.
Edhe përkundër akuzave kundër Gotovines, kryeministrja konservatore e Kroacisë, Jadranka Kosor, është e bindur se ai do të lirohet. “Do të dëshmohet se Kroacia ka zhvilluar një luftë të drejtë çlirimtare”, deklaroi ajo.
Me gjasë është ky një optimizëm i detyruar i saj, ngase ishte qeveria e HDZ-së ajo që ishte në krye të shtetit, kur Gotovina u arrestua në Spanjë në vitin 2005. Ka spekulime se kjo qeveri kishte tradhtuar atëbotë Gotovinën, për të mundësuar fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Nëse Gotovina dënohet, atëherë hidhërimi i ithtarëve të tij me gjasë nuk do të drejtohet vetëm kundër Tribunalit të OKB-së, por hidhërimin e veteranëve me gjasë do ta ndiej edhe HDZ, parti kjo e përfshirë në disa skandale të korrupsionit.
Me një pelegrinazh deri në Knin, duke e kaluar gjithë Krajinën, ithtarët e Gotovinës dhe veteranët e luftës po përgatitën në pritje të vendimit për Gotovinën. Gjenerali po pret në qetësi dhe me optimizëm vendimin e gjykatës, deklaroi avokati i tij mbrojtës:”Nuk kemi asnjë arsye të dyshojmë se ai nuk do të lirohet”.
Para ekraneve të mëdhenj, me mijëra njerëz pritet që shpalljen e vendimit ta presin sot në rrugët e Zagrebit.
Vendimi mund të provokoj si dhunë, ashtu edhe kremte. Vetë Gotovina duket se nuk ka asnjë dyshim se do të lirohet: për periudhën pas lirimit të tij, ai ka bërë të gjitha përgatitjet për një fillim të ri. Gotovina ka regjistruar një ndërmarrje turistike në emër të tij.