Pikturat e Xhemajlit në Artanë
Piktura me motive nga mesjeta dedikuar Artanës (Novobërdës), të piktorit Emrush Xhemajli, janë ekspozuar të mërkurën në ambientin e Komunës së Artanës.
Me një fjalë përshëndetëse, piktori Xhemajli falënderoi të pranishmit, duke theksuar se atë që ka dashur të tregojë e ka pasqyruar në punimet e tij, në të cilat dominojnë ngjyrat e ndezura, si ngjyrë hiri, kaltër dhe e kuqe, të cilat në vete kompozojnë një lojë ngacmuese, depërtuese dhe estetike për të pranishmit.
Ndërkaq, kritiku i artit, Ilir Muharremi, shpalosi anën teorike të punimeve të Xhemajlit.
“Piktori, Emrush Xhemajli, në artin e tij individual nuk sjell vetëm parajsën ose ferrin, sepse shpirti i tij është i prekur edhe nga lashtësia, e cila dikur kishte ndriçuar dhe ishte tejet funksionale. Kullat, infrastrukturën mesjetare të Novobërdës, funksionin e saj ideal, artisti Xhemajli e ringjallë në peizazhet e tij, të cilat posedojnë ritëm, perspektivë, kompozicion dhe formë më trajta të ndryshme”, theksoi Muharremi.
Sipas Muharremit, koloriti dhe hulumtimi i tingujve të ngjyrave të ndezura, demaskojnë psikologjinë postmoderne, edhe pse e kaluara përvishet si një valë e dhunshme, e shenjat na tregojnë se e kaluara ekziston dhe se ajo nuk është pjesë e hiçit, por një ndihmë për t’u ngjitur në shkallët e së ardhmes.
“E, këtë të kaluar të fuqishme dhe me një bazë të qëndrueshme, piktori Xhemajli e paraqet përmes kullave, të cilat po të vështrohen mirë nuk janë statike, por lëvizëse dhe të puqura mirë me horizontin, i cili pushtohet nga nuanca e katër e ftohët, e njëkohësisht krijon lojën me të bardhën, e cila simbolizon plisin, pastërtinë, qefinin e Rugovasëve etj”, nënvizoi tutje Muharremi.
“Sido që të jetë, trajtimit të peizazhit Xhemajli i qaset me bindje se nëpërmjet të tij mund t’i shprehë ndjenjat e veta, dhe vizionin e hapësirës së pafund e cila nuk na paralajmëron për ndonjë pikënisje”, përfundoi ai.